9.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

“Nuk ka sekrete, gjithkush di gjithçka për Ramën dhe të tjerët”

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi

James Burnham, një filozof mjaft i njohur i shekullit të kaluar dhe një kundërshtar egër i totalitarizmave, është i famshëm edhe për ato që njihen si ligjet e Burnham-it. Ato janë dhjetë gjithshej dhe dallohen për thjeshtësinë ekstreme me të cilën ato thonë disa të vërteta të mëdha. Ligji i dytë për shembull thotë se “kush thotë A duhet të thotë B“, ligji i katërt thotë se “nuk mund të investosh në të shkuarën“, ligji i pestë thotë “atje ku ka prohibicion, gjendet një kontrabandist alkooli” etj.

Ligji më i spikatur dhe që është përdorur gjerësisht nga sociologët, psikologët dhe politologët duket se është i pari i cili thotë se “gjithkush di gjithçka“.

Sipas vetë Burnham-it kjo do të thotë se ‘sekreti më i madh është se nuk ka asnjë sekret“. Ligji nënkupton se askush nuk mundet të fshehë për një kohë të gjatë asgjë të keqe mbi veprimet e tij, mbi veten apo për natyrën e tij. E gjitha zbulohet shpejt. Njerëzit e marrin vesh, e kuptojnë të vërtetën. Në terma të politikës thoshte Burnham ligji nënkupton se gjithkush e kupton se çfarë je duke bërë, se pse i bën, dhe cilat janë planet apo strategjitë e tua.

Shqipëria sot, edhe bota sigurisht, është përfshirë nga një krizë e madhe e pandemisë së coronavirusit. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama kanë ndërrmarrë një sërë masash për të përballur këtë pandemi. Siç thonë shumë ekspertë të botës kjo pandemi shëndetësore po shkakton edhe një “pandemi” të madhe ekonomike. Dy dtë më parë Robert Shiler fitues i çmimit Nobel në ekonomi thoshte se rrezikohemi nga një krizë shumë e rëndë ekonomike dhe në mënyrë urgjente duhen marrë masat më të mëdha që janë parë ndonjjherë në faqe të dheut nga bankat dhe qeveritë.

Kryeministri Rama në lidhje me aspektin shëndetësor të pandemisë ka investuar gjithçka në masat e ashpra të distancimit fizik, në ndalime, në orare të kufizuara etj. Masat mund të konkurojnë vetëm Kinën dhe Indinë por tejkalojnë edhe masat e marra në Itali. Nuk kanë asnjë krahasim me masat në Kroaci, Bullgari, Greqi, Gjermani, Austri, Zvicër apo edhe Francë ku ka kudo kufizime. Investimet në testime në shkallë të gjerë, në gjurmimin algoritmik epidemiolgjik në terren, në blerje ventilatorësh, në blerje pajisjesh mjekësore janë pjesa më e vogël e përgjigjes ndaj sëmundjes.

Në lidhje me aspektin ekonomik, qeveria shqiptare ka parashikuar një paketë ndihme që kap vlerën e 200 milionë eurove brenda të cilës janë edhe 20 milionë euro për ministrinë e Shëndetësisë dhe 10 milionë euro për ministrinë e Mbrojtjes.
Kjo paketë do të dyfishojë pagesën e ndihmës ekonomike për familjet që e marrin atë, do të paguajë një pjesë të pagës së punonjësve të biznesit të vogël që nuk janë në punë këto kohë. Paketa nuk parasheh ndonjë ndihmë për të gjithë ata që kanë punuar në punë pa siguracione, nuk parasheh ndihmë për biznesin apo sektorë të caktuar për ti mbrojtur nga falimentimi etj. Kjo sasi parash zë 1,56% për GDP-së sonë.

Paralel me masat në të dy aspektet, atë të shëndetësisë dhe atë ekonomik, kryeministri Rama qëndron vazhdimisht në televizion duke iu folur njerëzve. Ai thotë se jemi në luftë, se lufta është e egër, se armiku nuk duket, se kjo luftë mund të na çojë në vdekje masive, se pamjet me arkviole të Iranit dhe Italisë nuk janë asgjë para asaj që mund të na ndodhë. Kryeministri thotë se masat ekonomike janë më të mirat që mund të merren, se njerëzit nuk duhet të shohin paratë e shumta që jep SHBA, Britania, Franca, Gjermania, se ne jemi vend i varfër. Kryeministri thotë se duhet të kursejmë, se duhet të mbajmë frymën gjallë, kurrë nuk ka vdekur njeri për bukë thotë ai etj.

Të kthehemi tek ligji i parë i Burnham-it. Pavarësisht se Rama mendon se po ua hedh njerëzve, pavarësisht se Rama mendon se po i bind njerëzit, pavarësisht se Rama mendon se po ua mpin trurin me kërcënime dhe me mbjellje frike gjërat janë fare të qarta. Nuk ka asnjë sekret. Gjithkush di gjithçka. Gjithkush e di, pavarësisht se janë mbajtur fshehur, se gjendja e spitaleve tona pas shtatë vitesh qeverisje për të “rilindur” Shqipërinë është e tillë ku numri i ventilatorëve nuk mbulon as disa shtretër. Gjithkush e di, se frika nga kjo mungesë e tmerrshme ventilatorësh bëri që kryeministri të zgjedhë variantin kinez të përballimit të epidemisë. Kjo frikë u shfaq në 10 mars, jo në janar apo shkurt (mbajti kongresin ku kërkoi mandatin e tretë në 28 shkurt), por vetëm kur Italia u fut në krizë të sistemit spitalor.

Gjithkush e di se frika konkrete e Ramës nuk është kapaciteti i ulët i spitaleve dhe mungesa e ventilatorëve por kostoja e tij politike. Ai nuk donte të përballej me një gjendje ku numri i pacientëve që kishin nevojë për ventilator do të ishte më i madh se sa ventilatorët. Dhe ky numër pacientësh duket se nuk duhet të kalojë as 20 vetë. Një shifër kjo si për Burkina Fason apo Gambian. Të gjithë e dinë se Rama nuk ka hallin e jetës të njerëzve. Të gjthë e dinë se policia “që ai do” ka hedhur gaz lotsjellës në shtëpitë me fëmijë në mëngjes herët, të gjithë e dinë se ai ka futur në burg prindër për mospagim dritash etj etj.

Sa i takon aspektit të ndihmës ekonomike të gjithë e dinë që Rama ka dështuar prej shtatë vitesh me ekonominë, që ka mjerim, që ka papunësi, të lartë, që ka rënie të investimeve të privatëve, që nuk ka investime të huaja, që është marrë borxh për të paguar pagat, që gati 1 miliardë euro kanë shkuar për koncesione që nuk prodhojnë asgjë në rritjen ekonomike.

Nuk ka sekret, pavarësisht se Rama përpiqet të fshehë të vërtetën, se ai kërcënon dhe flet për kushte mbijetese dhe mbajtje fryme gjallë ngaqë për shtatë vite e ka shkatërruar ekonominë në mënyrë të strukturuar dhe nuk jep dot më asgjë. Gjithkush e di se Shqipëria nuk mund të paguajë miliarda – siç tha Rama- si SHBA, si Gjermania, si Britania. Askush nuk i ka kërkuar kryeministrit Rama të japë miliarda që nuk i ka. Kryeministrit Rama i kërkohet të japë një përqindje si ajo e SHBA-së, e Britanisë, e Gjermanisë, e Serbisë, e Greqisë.

Pra në qoftë se SHBA ka 10 mijë dollarë dhe paguan 2000 dollarë atëherë Shqipëria që ka 100 dollarë duhet të paguajë 20 dollarë dhe jo 1 dollar. Këtë i kërkojnë njerëzit Ramës, këtë i kërkon opozita, këtë e kërkojnë ekonomistët seriozë në Shqipëi dhe këtë e kërkojnë ekonomistët më të famshëm në botë.

Të gjithë e dinë se paketa prej 2 000 miliardë dollarësh e SHBA-së është sa 10% e GDP-së së ShBA-së ndërsa Rama ka dhënë 200 milionë dollarë ose 1,56% të GDP-së sonë. Të gjithë e dinë se paketa prej 350 milionë paundësh e Britanisë është sa 17% e GDP-së së Britanisë ndërkohë Rama ka dhënë 1,56% të GDP-së. Të gjithë e dinë se Gjermania ka dhënë 500 miliardë euro ose rreth 18% të GDP-së së saj dhe jo 1,56% si Rama. Të gjithë e dinë se Serbia ka dhënë 5,5 miliardë euro ose rreth 10% të GDP së saj dhe jo 1,56% si Rama. Të gjithë e dinë se Greqia ka dhënë 3,5% të GDP-së së saj dhe jo 1,56 % si Rama.

Pra të gjithë e dinë se Rama gënjen kur thotë se Shqipëria nuk mund të japë miliarda si Amerika apo Gjermania nga që është e varfër sepse askush nuk do miliarda por kërkon një përqindja sa Amerika apo Gjermania. Përqindjet që ka dhënë Rama janë 15 herë ose 1500 % më të vogla sa SHBA, 13 herë ose 1300 % më të vogla se sa Britania, 7 herë ose 700 % më të vogla se sa Serbia.

Të gjithë e dinë se Rama i ka planifikuar shpenzimet në një mënyrë që nuk i ndryshon dot rrënjësisht sepse ai është zhytur në një marrëdhënie të shëmtuar dhe shkatërrimtare me dhënien e koncesioneve dhe me qëllimet e tij për të qëndruar shumë e shumë vite në pushtet. Të gjithë e dinë se Rama nuk jep dot para më shumë sepse ndryshe nga SHBA, Gjermania apo Serbia themelet e ekonomisë sonë janë të dërrmuara nga klientelizmi, korrupsioni, përpjekja për ta vënë ekonominë në dorën e pesë njerëzve, përpjekja për ta marrë peng këtë vend për dekada me radhë. Me këto themele dhe me këtë qeverisje 7 vjeçare kjo ekonomi ndonëse në kufijtë e 17 miliardë dollarëve nuk mund të japë kurrë 10% të saj si Serbia që janë 1,7 miliardë dollarë. Me këto themele të kalbura ekonomia jonë nuk mund të japë as 3,5% të GDP sa Greqia, pra as 500 milionë euro. Për të mbetur tek ligji i parë i Burnham-it të gjithë e dinë që Rama është një dështim spektakolar dhe shaktërrimtar dhe të gjitha kostot e këtij shkatërrimi po i paguajnë njerëzit, ai po ua transferon njerëzve qoftë me masat kineze të karantinës, qoftë me paketën e dobët ekonomike. Rame mendon se duke qëndruar natë e ditë në tv, duke bërë propagandë dhe duke sharë kritikët apo opozitën do ta fshehë këtë transferim. Rama, shkon në anën më të kundërt, dhe akuzon të tjerët si të paaftë, si dashakeqës, duke thënë për veten po gjërat po më të kundërta sikur ai është më i afti, sikur ai është më i drejt dhe më i dhembshuri. Këto janë taktika të njohura që nuk dalin dot kurrë mbi ligjin e parë të Burnham-it.

Siç thotë Burnham, Rama kujton se njerëzit nuk dinë gjithçka, por e ka kot.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit