-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

“Schengeni”, shokon Akademia e Shkencave e Kosovës: Tirana mohon genocidin serb, mbrohet nga shqiptarët e Shkupit

Më të lexuarat

Akademia e Shkencave në Kosovë, ka reaguar dhe ajo mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Schengenin rajonal, që ashtu si një pjesë e politikës, medias e publikut kosovar, e ka konfonduar projektin në fjalë me vizitën e Vuçiçit në Tiranë, e më tej dhe me Raçakun, duke dalë në konkluzionin se edhe qeveria shqiptare mohon genocidin serb ndaj Kosovës.

“Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës ‘pyetje patetike’; edhe më i frikshëm dhe më brengosës doli të ishte reagimi i vakët i institucioneve të pavarura, i shoqërisë civile, i botës akademike dhe i mendjeve të lira të profileve krijuese, të cilët ose u shtrënguan të heshtin, ose pazëshëm mbështetën shfryrjet e egërsuara të liderit të tyre kundër Kosovës”, thuhet në një deklaratë të ASHAK-së (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës).

Më tej, në këtë qëndrim, sulmohet dhe faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut me fjalët:

“Po kaq i pakuptueshëm dhe thellësisht i parëndësishëm, madje i zmbrapsur dhe i pavlerë ishte qëndrimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk gjeti mënyrë të artikulojë një qëndrim që do të shkonte një hap më larg se interesat e ngushta të politikës provinciale”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, shkon deri aty sa përdor në qëndrimet e saj deri dhe fjalorin akzues politik të opozitës kundrejt kryeministrit Rama.

“Të përballur me kriza të brendshme dhe me dështime të njëpasnjëshme në çështje të reformave dhe të integrimeve evropiane; me rritjen e vazhdueshme të autoritarizmit dhe të pushtetit të pakontrolluar të oligarkëve; me cenimin e pashembullt të lirisë së shprehjes dhe të veprimit opozitar; me përfshirjen e pandalur të të gjithë pushteteve në një paqëndrueshmëri institucionale, tre shtete fqinjë të Kosovës (Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) së fundi bënë një depërtim medial në opinionin tonë me një marrëveshje që duhej të imitonte punët e rëndësishme të Evropës, me të ashtuquajturin ‘Mini-Shengen ballkanik’, duke prodhuar të vetmin efekt të dukshëm dhe të prekshëm: çrregullimin serioz të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe lëndimin e krejt ndjeshmërisë sonë rreth këtyre marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.

Në finale, Schengeni rajonal konsiderohet si i dëmshëm për Kosovën.

“ASHAK fuqimisht mbështet qëndrimin se mini-Shengeni ballkanik nuk është i mundur në një asimetri të këtillë politike në Ballkan, me dominim të theksuar të Serbisë, duke qenë se ajo nuk njeh Kosovën dhe që çdo ditë minon dhe shantazhon progresin e saj, synon ndarjen dhe copëtimin e saj, mohon krimet dhe nuk respekton marrëveshjet e arritura dhe që është e angazhuar gjerësisht në pengimin e integrimeve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë sulme të vazhdueshme diplomatike për të zvogëluar numrin e njohjeve. Mbi të gjitha, Kosova nuk mund të përfshihet në një proces të udhëhequr nga Serbia”, thuhet në deklaratë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit