-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si të reagojmë pozitivisht pas tërmetit?

Më të lexuarat

Nga Anila Bashllari, Neurocoach

Situatat natyrore do të donim të mos i përjetonim kurrë pasi shumica prej tyre kanë pasoja, të cilat janë dramatike apo edhe tragjike. Por, vështirësia më e madhe lidhet me momentet pas fatkeqësive.

Tërmeti është një nga këto situata, të cilat vështirë të arrijmë t’i kapërcejmë lehtë dhe pa i mbajtur mend gjatë në subkoshiencën tonë. Edhe pse situata shumë të vështira, jemi ne ato që do i kapërcejmë me mënyrën se si mendojmë, komunikojmë dhe veprojmë.

Eshtë e vështirë në këto momente të kemi mendime positive, por mund të reflektojmë dhe reagojmë për të larguar sadopak frikën dhe panikun që na ka kapur. Çfarë duhet të bëjmë?

Së pari, është e nevojshme të ruajmë  qetësinë dhe t’i kujtojmë vetes që e ardhmja nuk ka lidhje me momentin. Përveç traumës që përjetohet ajo që e ndërlikon dhe e bën më të vështirë situatën është frika ndaj një të ardhmeje të pasigurt dhe si pasojë projektimi negativ i saj. Ne nuk mund ta dimë të ardhmen, prandaj nuk kemi pse harxhojmë energjitë me frikën ndaj diçkaje që nuk e dimë dhe nuk kemi si ta dimë. Edhe duke parë një foto të tillë truri dhe trupi juaj do të fillojë të qetësohet.

E rëndësishmë është të mbrojmë  veten nga informacionet e tepërta mediatike, portalet apo bisedat me të afërmit duke folur vetëm për çfarë kemi përjetuar. Si neurocoach më duhet t’ju shpjegoj që kjo nuk ju ndihmon, përkundrazi ju rrit frikën dhe pasigurinë për të nesërmen.

Lajmet negative na rëndojnë mentalisht dhe emocionalisht duke na lodhur edhe më shumë dhe futur në një rreth vicioz frike dhe pasigurish. Truri nga vetë natyra është ndërtuar të fokusohet tek negativja. Në këto ditë nuk kemi nevojë për më shumë lajme negative. Dikush mund ta quajë egoizëm apo mungesë empatie. Jo, nuk është egoizëm. Ju nuk mund të ndihmoni të tjerët pa ndihmuar veten tuaj në rradhë të parë dhe këtu kam parasysh gjendjen emocionale dhe mentale.

Qëndroni larg hiperbolizimeve dhe ekzagjerimeve të individëve, të cilët ju japin informacione që ju krijojnë panik dhe ankth duke dëmtuar gjendjen tuaj, tashmë të rënduar emocionalisht. Lajmet që dëgjojmë i marrim të mirëqena pa u thelluar nëse janë fakte apo thjesht opinione që duke kaluar gojë më gojë hiperbolizohen tej mase.

Frika është irracionale dhe ushqehet me biseda rreth saj dhe pasigurisë prandaj duhen shmangur bisedat rreth saj. Këto ditë njerëzit nuk pyesin njeri-tjetrin si jeni me shëndet, por a patët frikë, si e përjetuat, etj etj; duke e futur veten dhe të tjerët në qorrsokat. Duhet të mendojmë që kjo situatë është kalimtare dhe  ditë më të mira do të vijnë. Dallgët e detit apo oqeanit pasi ngrihen lart nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër veçse të ulen.

Duhet të rrimë në shoqërinë e personave që ofrojnë pozitivitet dhe siguri, qoftë edhe me një buzëqeshje të tyre. Njerëzit tanë më të dashur na japin siguri me praninë e tyre. Kur ato i ka kapur paniku është detyra jonë t’i ndihmojmë me bisedat tona, por jo rreth situatës që po kalojmë. Për trurin disa orë qetësi do të thotë RIKUPERIM.  Rrethohu nga persona, të cilët janë pozitiv, nuk përhapin panik dhe ta bëjnë jetën më kuptimplotë.

Kemi nevojë t’i japim kurajo vetes pasi ne jemi “motorri” që bën dhe zhbën gjithcka, duke kontrolluar mendimet tona dhe riorientuar drejt pozitives. Dikush mund të thotë që është pothuajse e pamundur të mund të mendosh pozitivisht në këto momente. E vërtetë, por ne jemi mbi mendimet tona pasi kemi forcën që t’i vëzhgojmë ato dhe ndryshojmë rrjedhën. A nuk jemi me fat që jemi gjallë dhe jemi shëndoshë e mirë? Le të gjejmë forcën brenda vetes dhe mos përhumbemi në kurthin e frikës.

Ktheje në kah pozitiv jetën tënde, pasi nëse mendon pozitivisht i gjithë pozitiviteti që ti akumulon në mendjen tënde do të ndryshojë fokusin dhe si pasojë do të pakësojë frikën. Duke u dhënë vëmendje dhe dashuri njerëzve tuaj më të dashur e ke pakësuar frikën pasi dashuria dhe frika nuk mund të qëndrojnë së bashku në të njëjtën kohë.

Jeta është dhurata më e çmuar dhe duhet vlerësuar dhe përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme në mirënjohje ndaj Krijuesit.

Gjithcka fillon me trurin. Nëse kujdesemi për ushqimin e duhur për të – mendimet pozitive- kjo do na ndikojë edhe në forcën e trupit dhe shpirtit. Në këto momente kemi nevojë për dashuri dhe reflektim.

Mund të flasim për frikën, por shkurtimisht pasi çdo moment që tregojmë për çfarë kemi kaluar e forcojmë më shumë në memorjen tonë. Të flasësh për çfarë ke frikë nuk është turp, por është çlirim për mendjen dhe shpirtin pasi dhimbja lehtësohet kur ndahet me të tjerët.

Ushqimi i lehtë, hidratimi dhe ecja në ajër të pastër na ndihmon shumë.  Kur truri dhe trupi qetësohen atëhere rritet shpresa dhe fillojmë e shohim horizontin.

Prekja e trupit ngadalë qetëson sistemin nervor. Mund të masazhojmë qafën, kokën, kyçet e këmbëve, të duarve dhe gishtërinjtë. Qetësimi i tyre do të sjellë një kontaktim më të lirshëm dhe më të qetë me mjedisin përreth.

Trupi ynë është kontraktuar shumë nga stresi, frika dhe paniku që kemi përjetuar dhe ka nevojë të relaksohet. Na ndihmon shumë tendosja dhe shtriqja me lëvizje të ngadalshme të muskujve duke shtrirë krahët para apo anash, fërkuar dhe shtrirë këmbët, duke tërhequr dhe shtriqur trupin anash, poshtë e lart. Kjo ndihmon për një qarkullim më të mire të gjakut, oksigjenim dhe qetësim të trupit. Ky relaksim i dërgon mesazhe qetësie dhe sigurie trurit duke e larguar nga gjendja e alarmit që e ka përfshirë. Këto metoda të thjeshta na ndihmojnë të shkarkojmë negativitetin, të rrisim kthjelltësinë dhe të mendojmë pozitivisht. Por, lëvizjet të jenë sa më të ngadalta, pasi ashtu do mund të qetësohemi.

Duke ndarë me ju këto këshilla të thjeshta por efikase shpresoj shumë që këto situata t’i përballojmë sa më lehtë, pa probleme psikologjike në të ardhmen, duke u dhënë qetësi personave të familjes dhe njerëzve të dashur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit