-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Islamofobia: Në këtë botën tonë të çoroditun…

Më të lexuarat

Sami Repishti

Pa dyshim jetojmë në nji botë me të paprituna të përditëshme: shumica e tyne të padëshirueshme; mjaft prej tyne me karakter tragjik dhe përpjestime masive. Ka shumë spjegime, ka shumë përcaktime të kësaj situate të vështirë dhe të rrezikshme.

Ajo që shqetëson ma shumë ashtë përdorimi i papushim i fjalës: urrejtje – nji përbuzje e fortë e shoqënueme me vullnet të keq e dëshirë për shkatërrim! Kudo që ngjasin trazime që na shqetësojnë gjindet nji spjegim: urrejtja. Kudo që konfliktet gjakosin masat e pafajshme spjegohen me fjalën: urrejtje.

Përpjekjet tona me krijue nji atmosferë ku njeriu të afrohet me njeriun si vëllau me vëlla duket sikur janë fjalë pa kuptim në këte botë të çoroditun që refuzon të mirën, që përqafon të keqen dhe që shkatërron dalëngadalë, por me siguri, arritjet e qytetnimeve mijëvjeçare të të gjithë kontinenteve, tue damtue randë frymën e shpresës për nji të ardhme ma të mirë….

Ashtë tragjedia e botës sonë bashkëkohore!

Më 15 mars 2019, ditën e premte (xhuma), ditë e shenjtë për afër 1.4 miliard besimtarë myslimanë në botë, në qytetin Christchurch, Zelanda e Re, nji burrë i armatosun dhe me “camera” në kokë për fotografim, u drejtue kah Xhamia Al Nur dhe hapi zjarr me armë automatike kundër cilitdo që shikoi ose takoi, ose që rastësisht i doli para. Gjashtë minuta ma vonë, ai u drejtue kah Xhamia Linwood dhe zbrazi armët përsëri mbi besimtarët që luteshin dhe kërkojshin falje e mëshirë nga Zoti, akti ma domethanës i krijesës ndaj Krijuesit. Akti i terrorit masiv u transmetue “i lirë” për të gjithë botën me u pa në mediat e informimit.

Numri i viktimave të vramë arriti shifrën 50 (pesëdhetë) dhe ma shumë se 54 (pesëdhetë e katër) u plagosën gjatë lutjes fetare, e tani po shërohen në spitalet e vendit. Tragjedia e nji qyteti të vogël preku zemrat e botës mbarë!

I dyshuemi u arrestue. Ai quhet B.H.T, 28- vjeçar, ekstremist supremacist i bardhë me urrejtje për emigrantët. Videoja e prodhueme, dokumentar prej 17 minutash, ashtë rasti i parë ku nji vrasës tregon në filmaktin e tij – kriminal në esencë dhe grotesk në formë,- nji dokumentacion okular i aftësisë së njeriut me zbritë poshtë, poshtë, jashtë botës njerëzore. Inhumanity! Tue folë para Parlamentit, Kryeministri Zonja Ardern shqiptoi këte sentencë madhështore që unë respektoj sot:

“Ai është terrorist, është kriminel, është ekstremist. Por sa herë që do të flas, unë nuk do të përmend emrin e tij. Ju bëj thirrje që sa herë të flisni, të përmendni emrat e atyre që u shuan dhe jo emrin e atij që u mori jetën. Ai mund të ketë dëshiruar të bëhet i famshëm, por për ne, këtu në Zelandën e Re, nuk do t’ia ofrojmë këte.” (VOA)

Monumentale! Sentencë që vlen për kriminelët e çdo kohe dhe çdo vendi!

Vrasësi 28-vjeçar T, qytetar australian që udhëtoi nga Australia në Zelandën e Re, nacionalist ekstrem e i vetëshpallun, i bardhë, sot i akuzuem për vrasjet masive… dënon “myslimanët” dhe i quen të gjithë “emigrantët” “pushtues”, simbas nji manifestos prej afër 70 faqesh, ku elaboron “filozofinë” e tij, të nji mendje të smurë. Nji qendrim i këtillë ashtë i ngjashëm me ate të Presidentit Trump të SHBA-së që quen “emigrantët” e Amerikës latine “invadues” të SHBA-së, tue nxitë kështu urrejtjen kundër tyne. Në fakt, krimineli quen Presidentin Trump “…simbol i sotëm i racës së bardhë…” E pabesueshme!

Vrasësi i 50 myslimanëve dhe plagosësi i 54 të tjerëve në dy xhamitë e qytetit Christchurch, Zelanda e Re, ka udhëtue edhe në Ballkan (2016-2018) simbas “Zërit të Amerikës”. Në fund të vitit 2016, krimineli ka vizitue Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë, ku ka pa vendet e fushëbetejave historike, raporton agjencia Reuter, dhe ashtë kthye përsëri në 2018-n. Ai ka vizitue shumë herë edhe Turqinë dhe ka kalue atje kohë të gjatë, deklaroi nji zyrtar i naltë i qeverisë turke. Nuk ka shënime akoma nëse ka vizitue Shqipërinë dhe Kosovën.

Qyteti Christchurch, Zelandën e Re, ka nji bashkësi të vogël myslimane, afërsisht 1.000 persona, Në përgjithësi, vendësit e dënuen randë këte akt agresiv e kriminal. “Na dënojmë dhunën dhe urrejtjen e çdo lloji dhe bashkohemi me të gjithë të tjerët, në Zelandën e Re duke shprehur trishtim të thellë për ata që janë damtue nga nji ngjarje e tmerrshme”, deklaroi Komisioni për të Drejtat e Njeriut të Zelandës së Re. “Nuk ka vend për urrejtje në Zelandën e Re…!”

KM i Zelandës së Re, J. Ardern, tregoi naltësinë e saj shpirtënore kur deklaroi:

“Ata (myslimanët) kanë zgjedhë Zelandën e Re si shtëpi të tyne dhe kjo tokë ashtë shtëpia e tyne. Ata janë né!… Terroristët vranë njuzelandezët!”

Në nji shkrim të botuem në The New York Times (16.III.2019), shkrimtari Steve Braunias, nga qyteti Te Atatu (Z. e R.) përshkruen:

“…vrasjet në dy xhamitë janë diçka e re për ne, diçka që nuk përputhet me ne. Ky akt ka qenë i organizuem, i planifikuem, masakër në shkallë të gjanë kundër të pafajshmëve, masakër e kryeme nga nji vrasës o ma shumë se nji, me nji kokë të mbushun me material militantësh, zakonisht nji logjikë e supremacistëve të bardhë, me frikën dhe përbuzjen e emigrantëve…”

Kjo urrejtje për myslimanët u theksue sidomos mbas masakrës së 9 shtatorit 2011, me shkatërrimin e dy kullave të nalta në New York City, me afër 3.000 viktima. Unë ruej përjetë kujtimin e pamjeve televizive të viktimave që preferuen me vdekë tue kërcye nga dritaret e kateve të nalta në pamundësi largimi e me evitue djegien për së gjalli nga zjarri që dogji gjithçka dhe të gjithë nëpunësit e ndërtesave madhështore. E ndjeva veten të turpnuem nga akti i nji grupi 19 terroristësh që përdorën fenë time me djegë për së gjalli afër tre mijë persona…! Mbrenda zemrës sime, fillova të ndiej nji dallim nga “të tjerët”, dhe nji nxitje me u përmirësue edhe ma shumë që të ishe i denjë për nji qenie njerëzore me dinjitet dhe pjesëtar i nji shoqënie pa kompleksin e fajit… Me përdorë nji shprehje te shkrimtarit Omer Aziz “… e gjithë kjo gjendje nuk ishte me ruejtë nji lloj politike të respektit publik, por nii akt i vetëmohimit…”.

Masakra në Zelandën e Re fillon me ide, e përfundon me dhunë të randë, ashtë opinioni i përgjithshëm i shprehun në shtyp. Aty lexohet se krimineli që hyni ne xhami u përshëndet me fjalët: “Mirë se vjen, vëlla!” Por myslimanët janë shpeshherë të paraqitun si popull luftarak, i paqytetnuem; megjithëse, e kundërta ashtë e vertetë! Nji fe që na ka dhanë qytet nimin arab për shumë shekuj nuk mund të jetë faktor antiqytetnues! Myslimanët kërkojnë të pranohen në vende të qeta dhe të mira, me quejtë “të bardhët” që hyjnë në xhami “vëllau im” …dhe nuk meritojnë nji përgjigje me automatik.

Viktimët e dy xhamive në Christchurch u likuiduen jo vetëm nga nji person plot me urrejtje, por edhe nga idetë e superioritetit racial që ekzistojnë në vend. Kështu ngjau në Quebec, Canada, në vitin 2017, ku myslimanët u vranë me duzina gjatë lutjeve fetare. Kështu, në 2018- n u vranë hebrejtë në sinagogen e Pittsburgut sepse “kishin strehue ‘emigrantët’ e Amerikës Latine”. Kështu ishte në Norvegji disa vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 77 djelm e vajza të reja në kampin veror (nji vajzë ishte shqiptare). Kështu ishte në Charleston, S.C. tre vjet ma parë kur nji supremacist i bardhë vrau 9 persona gjatë lutjes dhe priftin e tyne. Njeriu ka përshtypjen që nji patologji e urrejtjes ashtë përhapë në të gjithë botën dhe rrezikon jetët tona çdo ditë.

Me dhimbje duhet të pranojmë se “Islamofobia” (urrejtja për çdo gja myslimane) nuk ashtë ma nji fenomen i rastësishëm, por nji problem i ngulun thellë në shoqëninë perëndimore. Për disa dekada të gjata, bashkësia myslimane “umma” ka qenë e detyrueme me pranue fajin kolektiv dhe dënimin nga të tjerët për aktet e nji grupi fanatikësh të aftë për terror e dhunë. “Ne e dimë pse e kreu këte akt. Ai e bani për hakmarrje për vrasjet me kamione që myslimanët kanë ba (në Europë)” deklaroi nji racist njuzelandez….

Definicioni i “racizmit” nuk mund të kuptohet si duhet nëse jemi të paaftë me dallue se krimi ashte krim, qoftë i kryem nga ai që lutet në xhami ose në tempullin e tij. Sot, miliona qytetarë mendojnë se problemi ashtë “Islami” si fe dhe si kulturë. Kjo ka sjellë në përfundimin: nëse “Islami” ashtë problemi, atëherë duhet të kemi kujdes e të ruhemi nga 1.4 miliard myslimanë. Ndiqni ata, mos i lejoni me ardhë në vendin tuej, ashtu si këshillon Presidenti Trump… Idetë krijojnë situata të damshme, sepse merren seriozisht nga shumë qytetarë. Edhe në qoftë se vetëm nji kriminel aplikon këto ide, përfundimi ashtë nji masakër.

Ky ashte mësimi që marrim sot nga Zelanda e Re…!

“Nëse dikush sulmon nji hebre, shkruente Hannah Arendt, çdonjeni nga ne duhet të mbrohet si hebre”. Kur ju sulmoheni si mysliman, ju duhet të mbroheni si mysliman. Dhe sot të gjithë jemi myslimanë – të gjithë ne që jemi të dedikuem me mbajtë të gjallë dritën e qytetnimit tonë, tolerancën e paqën tonë, shpëtimin e shoqënisë sonë nga barbarizmi primitiv i këtyne mendjeve gjysmake dhe të helmueme”, përfundon Omar Aziz në komentin e tij. Ndërkaq, popullsia e qytetit Christchurch mbetet e tronditun për jetë. Kërkesë-falje, ndigjohet kudo. Familja e kriminelit shpreh keqardhjen e saj për këte sulm banditesk dhe shprehen se janë “të tronditun thellë”. Kryeministri Ardern u zotue se “do të bahen ndryshime në ligjët për blemjen e armëve”. Familjarët e kriminelit u drejtuen familjarëve të viktimave: “Jemi shumë të prekun për të gjithë të vdekunit dhe të plagosunit”, tha xhaxhai i kriminelit. “Nuk jemi në gjendje të mendojmë ndryshe e për çdo gja tjetër. Na duem vetëm me shkue në shtëpi e me u mshehë”. Gjyshja e kriminelit, 81-vjeçare, tha: “Na e kemi humbë fare. Na nuk dimë as çka të mendojmë…” Popullsia e krishtenë e qytetit hapi fondin e ndihmës dhe grumulloi mbrenda nji dite shumën prej 638.000 dollarësh për familjet e viktimave.

Para nji tragjedie të këtillë asnjeni nga ne gjen sot forcën e duhun me mendue qartë.

Mbeten vetëm forca e lutjes dhe ndjenja e faljes së fajit…, dy qendrime që na naltësojnë!

Ridgefield, Connecticut, SHBA

Autori është veprimtar për të drejtat e njeriut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit