Dhoma e Apelit të Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare Penale konfirmoi aktvendimin për Radovan Karaxhiçin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe zgjati dënimin e tij 40 vjeçar me burgim të përjetshëm.
Leximin e vendimit të Këshillit kryesues, gjyqtari danez Vagn Joensen, me të cilin u dënua për kalimin e pjesës tjetër të jetës së tij prapa grilave, ish-presidenti i Republikës Sërpska dhe Partisë Demokratike Serbe e përcolli pothuajse pa asnjë reagim.
Kryetari i trupit gjykues tha se konsideron se dënimi i shkallës së parë prej 40 vjet burgim ishte i papërshtatshëm “duke pasur parasysh përmasën e paparë dhe brutalitetin e krimit”. Gjyqtari Joensen gjithashtu tha se dënimi është joadekuat kur krahasohet me të dënuarit që kanë marrë burgim të përjetshëm.
Karaxhiç u gjet fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe për persekutim, shfarosje, vrasje, deportim, veprime çnjerëzore (shpërngulje të dhunshme), terrorizim, sulme të paligjshme ndaj civilëve dhe marrje pengjesh.
Dhoma e Apelit konfirmon se Karaxhiç kreu krime duke marrë pjesë në katër veprime të përbashkëta kriminale edhe atë në veprim të bashkuar kriminal që synonte largimin e përhershëm të muslimanëve boshnjakë dhe kroatëve boshnjakë nga zonat në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilën serbët boshnjakë pretendonin se kishin të drejtë, duke bërë krime në komunat e gjithë BeH-së dhe në veprim të bashkuar kriminal që synonte përhapjen e terrorit në mesin e popullatës civile të Sarajevës, duke kryer një fushatë snajperike dhe granatimin ndaj popullatës civile.
E njëjta vlen edhe për përfshirjen e tij në veprimin e bashkuar kriminal me qëllim të përbashkët për të marrë peng anëtarët e OKB-së që të detyrojnë NATO-n të përmbahet nga sulmet ajrore kundër objektivave ushtarake të serbëve boshnjakë dhe veprim të bashkuar kriminal për eliminimin e muslimanëve boshnjakë nga Srebrenica në korrik të vitit 1995.
Në sallën e gjyqit, gjykimi i Karaxhiçit u shoqërua me duartrokitje dhe fishkëllima.