-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Depozitat në rënie për të dytin vit radhazi, individët tërheqin 320 milionë euro; de-euroizimi nuk dha efekt

Më të lexuarat

Në fund të vitit 2018, bizneset, individët, institucionet shtetërore e të tjera kishin gjithsej në banka 989 miliardë lekë, ose gati 7.8 miliardë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në krahasim me një vit më parë, depozitat në banka ranë me 13 miliardë lekë, ose 1.3%. Tkurrja e depozitave ka ardhur tërësisht nga rezuktimi i kursimeve në lekë, të cilat ranë në total me 3.7%, ndërsa në valutë u rritën me rreth 1% (duke pasur parasysh efektin e zhvlerësimit të euros, rritja reale ka qenë më e lartë).

Kjo sjellje ishte në të kundërt të asaj që shpresonte Banka e Shqipërisë, e cila në shkurt të 2018-s nisi një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë, që synonte uljen e përdorimit të euros si në kahun e kredisë ashtu dhe të depozitave. Ndërsa në kahun e kredisë funksionoi dhe pesha e huasë në valutë u ul me 0.7 pikë përqindje, nuk ndodhi e njëjta gjë me kahun e kursimeve. Në fund të 2018-s, kursimet në monedhë të huaj arritën në 53.9% të totalit, duke shënuar nivelin më të lartë historik.

Efektin kryesor në rritjen e valutës në banka e kanë dhënë depozitat pa afat të bizneseve, që u rritën me rreth 120 milionë euro, ose 22.4%.

Në të kundër, individët kanë vijuar të mos kenë interes për bankat, pas uljes së vazhdueshme të normave të interesit, që aktualisht janë nën 1% për kursimet 12 mujore në lekë dhe afër zeros për valutën. Në total, individët rezultojnë të kenë ulur depozitat me afat në lekë dhe valutë me 41 miliardë lekë (-22 mld në lekë dhe 19.2 mld në valutë), ose rreth 320 milionë euro.

Ndërsa një pjesë të kursimeve në valutë, individët i kanë kaluar në llogari pa afat, po në valutë, kjo nuk ka ndodhur për lekun. Në mungesë të alternativave të investimit, kursimtarët kanë preferuar depozitat më afatgjata, letrat me vlerë të qeverisë, ose kanë investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit