Rreth 20 studentë të Universitetit të Prishtinës, kanë mbajtur një aktivitet simbolik sot para ndërtesës së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, përmes të cilit kanë kërkuar shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviq. Duke vendosur në grilat e kësaj ministrie fotografi nga masakrat që bënë serbët ndaj popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovë, ata kundërshtuan deklaratat fyese të këtij ministri të Qeverisë së Kosovës i cili ditë më parë i quajti “egërsira” nënat e dëshmorëve të luftës, përcjell Koha.net Ndërkaq paralajmëruan se do të jenë prezentë edhe në protestën e së premtes që pritet të mbahet sërish para kësaj ministrie e që do të organizohet nga shoqëria civile./koha