Investimet e huaja direkte edhe gjatë vitit 2014-të kanë pësuar rënie. E tërë kjo si pasojë e një ambienti jo të favorshëm dhe aspak atraktiv për të bërë biznes dhe tërheqje të investitorëve potencial. Mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsionit, për të cilët raportohet çdo ditë, kanë dekurajuar investitorët potencial për ta shikuar Kosovën si një vend për të investuar kapitalin e tyre.
Kështu pohojnë ekspertë të ekonomisë sipas të cilëve Kosova jo që nuk po arrin të tërheq investime nga jashtë por po i humb edhe ata pak investitorë që ka.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se viti 2014, ka reflektuar më shumë me tkurrje të investimeve të huaja se sa me zgjerimin e tyre. E tërë kjo sipas tij, vie si pasojë e dështimeve ekonomike, të cilat kanë bërë që edhe investitorët e huaj, që kanë qenë këtu të largohen për në vendet tjera. Ndërsa thotë se institucionet e vendit, shumë pak po bëjnë për investitorët e huaj, e aq më pak për ata vendor.
“Ndoshta mu kjo agjendë politike dhe mu ky dështim ekonomik, ka ndikuar që dhe investitorët e huaj, jo vetëm që të mos ia mësyjnë Kosovës, por edhe ata që janë në Kosovë, të gjejnë alternativa për t’u shpërngulur nga Kosova. Një ambient i tillë çfarë është duke dominuar në Kosovë nuk është në favor të biznesit vendor, e jo të atij ndërkombëtar. Në këtë drejtim nëse mendohet të rritet atraktiviteti për investitorët të huaj në rend të parë duhet të kemi sundim të rendit dhe ligjit. Në rend të dytë duhet të jemi shumë më pro prodhimit dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme vendore. Dhe në rend të tretë përmes këtij segmenti të reflektohet dhe përmirësohet imazhi dhe atraktiviteti për investitorët e huaj. Ju po e shihni që vendet e rajonit janë shumë më agresive. Janë duke përgatitur pako të ndryshme lehtësuese për investitorët të huaj dhe një dukuri e tillë në Kosovë, është duke munguar. Prandaj, ne duhet të bëjmë mu atë çka bëjnë vendet e rajonit që vërtetë për investitorë të huaj shumë më tepër të bëjmë se sa të flasim”, thotë Gerxhaliu.
E Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, thotë për KosovaPress se investimet e jashtme në Kosovë po bien nga viti në vit. E arsye për këtë sipas tij mbetet ambienti i rënduar i të bërit biznes, burokracia, korrupsioni, mos funksionimi i gjykatave dhe risku i lartë politik.
“Investimet e jashtme në Kosovë, kanë shënuar rënie që nga viti 2008. Fillimisht është karakterizuar me krizën financiare ndërkombëtare. Por meqenëse kjo krizë ka përfunduar dhe në vendet tjera ka pasur rritje të investimeve, Kosova ka mbetur jashtëzakonisht mbrapa. Pra, edhe këtë vit investimet e jashtme direkte në Kosovë kanë rënë dhe ato shënojnë numrin më të ultë diku rreth 250 milionë euro brenda një viti, që është një shumë jashtëzakonisht simbolik. Ka disa arsye se pse nuk po kemi investime të jashtme direkte në Kosovë. E para dhe më e rëndësishmja është se Kosova nuk është bërë asnjëherë vend atraktiv për investitorët e huaj. Ka ambient të renduar të burokracisëkorrupsionit, mos funksionimit të gjykatave. Ka një risk të lartë politik, funksionimi i institucioneve shtetërore ndër të tjerash këtë vit ka qenë shkatërrues sa i përketinvestimeve”, thotë Abdixhiku.
Abdixhiku madje thotë se Kosova nuk po arrin të ketë një shembull të mirë të investitorëve të huaj që të nxit njëfarë besimi për Kosovën. Madje thotë se për arsye nga më të ndryshmet, bizneset që po vijnë në Kosovë po përfundojnë në vendet përreth nesh. Ai thotë se duhet të ndërpritet korrupsioni, të zhbëhet burokracia dhe të bëhen politika më atraktive, të cilat mund t’i tërheqin investitorët.
“Bizneset që nuk vijnë në Kosovë përfundojnë në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi. Për arsye nga me të ndryshme. Ne e kemi shembullin e kërkesës për korrupsion në Kosovë dhe zhvendosjen e një firme gjermane në Maqedoni që sot ka hapur 5 mijë vende të reja të punës. Pra kjo praktikë e tërheqjes së investimeve është e paparë. Në këtë praktikë Kosova humb me vendet e rajonit. Kjo duhet me u nderpre. Pra, duhet të nderprehet fillimisht korrupsioni, duhet të zhbëhetburokracia dhe duhet të mendohen politika atraktive që bëjnë investimin në Kosovë të lehtë dhe të mundshëm”, tha ai.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, pohon se investimet e huaja janë në normat më të ulëta se 50 për qind krahasuar, me ato të vitit të kaluar. Sipas tij, barrierë kryesore për investuesit e huaj në Kosovë mbetet pasiguria dhe situata e paqartë politike,e cila dekurajon investitorët serioz që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, duke i bërë që të orientohen në tregjet tjera.
“Barriera kryesore natyrisht është pasiguria që përcjell një investitorë potencial gjatë tërë kohës dhe kjo është për shkak të situatës së paqartë politike. Meqenëse faktorët politik janë faktorë të rëndësishëm në marrjen evendimeve për investime. Pra, kemi një jo stabilitet politik….Kemi pasur qindra kompani amerikane të cilat kanë ardhur në Kosovë e realisht sot një pjesë e madhe e tyre janë larguar. Për shkak të mos ofrimit të kushteve të duhura për të bërë biznes”, thotë ai.
Por me një gjë të tillë nuk pajtohet Kryeshefi i agjencisë për promovimin e Investimeve Valdrin Lluka. Ai thotë se nuk ka ankesa nga investitorët për një ambient jo të mirë për biznes. Ndërsa thotë se nuk janë ballafaquar asnjëherë me raste kur investitorët ikin nga Kosova
“Përveç disa rasteve të vogla në përgjithësi investitorët e huaj nuk është që ankohen se ekziston një ambient i keq. Asnjëherë nuk jemi ballafaquar me rastet kur një investitorë ka thënë se ka korrupsion ose më ka kërkuar dikush ryshfet dhe nuk mund të vijë në Kosovë. Absolutisht ajo nuk është valide. Për shkak se ne iu rrimë afër tërë kohen. Ka raste kur ndoshta investitori është i pavarur dhe pa dijen tonë vjen në Kosovë. Por të gjithë ata që vijnë përmes nesh apo me ne së bashku, atëherë nuk e kanë ndonjë problem”, thotë ai.
Ndërsa pohon se ka pasur rënie të lehtë të investimeve. Por megjithatë thotë se shifrat janë optimiste. Sipas tij, diku afërsisht 250 milion euro janë investime totale të huaja në Kosovë.
“Nëse krahasojmë me vitin e kaluar ka një rënie të lehtë të investimeve të huaja. Normalisht si rrjedhojë e shumë problemeve që ekzistojnë në tregun evropian, kryesisht pasi që ne investimet e huaja i kemi kryesisht nga Evropa perëndimore. Tash së fundi ishte dhe një lajm që Gjermania veç ka tkurr shumë numrin e investimeve që bëjnë jashtë vendit të tyre, mirëpo dhe vet në Gjermani, zgjerimi i bizneseve gjermane. Ne e dimë që Gjermania është investitori më i madh në Kosovë që ka investuar tashmë afro gjysmë miliardi euro, për shtatë vitet e fundit, mirëpo prapë se prapë shifrat janë optimiste. Nëse i analizojmë pak më në detaje, atëherë shohim që shtetet që kanë qenë të fuqishme në investime në Kosovë kanë vazhduar të jenë të tilla. Për shembull ne kemi pasur një trend të rritjes së investimeve nga Austria, Holanda, Gjermania, po ashtu kemi pasur rritje nga SHBA-ja. Bullgaria ka qenë mjaftë prezente këtë vit me rreth 6 milionë euro investime. Janë ato shtete që kanë qenë gjithmonë prezente në Kosovë, vazhdojnë të jenë prezente ”, thotë ai.
Ndërkaq sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), bilanci i investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë, në tremujorin e dytë të vitit 2014 ka shënuar vlerë negative prej 3.6 milionë euro. Besnik Kada, zyrtarë për informim në BQK, ka thënë për KosovaPress se bilanci negativ i IHD-ve, është më shumë si rezultat i tërheqjes së kapitalit në formë të superdividentës dhe kosovarizimit të ndërmarrjeve me pronësi të huaj, e jo për shkak të pakësimit të investimeve që kanë hyrë për një tremujor.
“Krahasuar me te dhënat e gjashte mujorit të parë, kemi një rënie të theksuar të Investimeve të huaja direkte në Kosovë. Sa i përket investimeve, sipas sektorëve prinë sektori i patundshmërisë të ndjekura pas nga sektori financiar dhe sektori i Energjetikës. Kurse, shtetet nga të cilat kanë qenë investimet më të larta në Kosovë janë Zvicra, Austria, Gjermania dhe Shqipëria”, ka thënë Kada