Zv/kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputete nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Müferra Şinik, bëri të ditur se kanë kërkuar shkarkimin e zv/ministrit Dedaj
PRISHTINË (AA) – Ndaj deklarimit të zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, i cili ofendon shtetin e Turqisë, ka reaguar Qeveria e Kosovës duke e cilësuar të papranueshme dhe se nuk paraqet dëshirën e Qeverisë dhe popullit të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në reagimin nga Zyra e kryeministrit të Kosovës thuhet se “Këto deklarime mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Turqisë”, pa marrë parasysh nëse thuhen nga ndonjë zyrtar qeveritar apo kushdoqoftë tjetër, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë së kryeministrit Haradinaj.
“Këto deklarime nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk”, theksojnë nga Zyra e kryministrit Haradinaj.
Ndaj deklaratave ofenduese të zv/ministrit kosovar ka reaguar edhe zv/kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputete nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Müferra Şinik, e cila në një deklaratë me shkrim për AA bëri të ditur se kanë kërkuar shkarkimin e zv/ministrit Dedaj.
“Zyrtarisht kemi kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj shkarkimin e zv/ministrit, në të kundërtën partneriteti ynë në koalicion mund të jetë në rrezik”, tha Şinik, duke dënuar deklarimet e zv/ministrit Dedaj.
Gjatë ditës së djeshme, zv/ministri i Punëve të Jashtme Gjergj Dedaj, në një postim të titulluar “Shtrigat e Ballkanit”, në rrjetin social Facebook ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj Turqisë dhe Serbisë.
“Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”, ka shkruar zv/ministri Dedaj.