Presidenti Erdogan tha se Turqia asnjëherë nuk do të pranojë një rend botëror ekonomik, në të cilin disa vende janë prodhues dhe të tjerët janë vetëm konsumatorë
JOHANNESBURG (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një fjalim të mbajtur para afaristëve në Johannesburg, tha se dëshiron thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Republikën e Afrikës së Jugut, raporton Anadolu Agency (AA).
“Jemi të angazhuar me krijimin e një ambienti investues dhe të tregtisë i cili do të ketë për bazë përfitimin reciprok”, deklaroi Erdoğan në margjinat e samitit të 10-të të vendeve të BRICS-it i cili këtë vit mbahet në Johannesburg.
Kreu i shtetit turk vuri në dukje se vendet afrikane, njëjtë sikur Turqia, pavarësinë e tyre e kanë fituar me gjak dhe “shpirt të fortë” dhe jo nga vullneti i fuqive të caktuara botërore.
“Ne, ashtu si ju, nuk mundemi lehtë të heqim dorë nga të arriturat tona. Ajo për të cilën me vite të tëra kanë nevojë vëllezërit tanë në Afrikë janë miq të vërtetë të cilët respektojnë historinë, kulturën, traditën dhe gjuhën e tyre”, tha Erdoğan, duke shtuar se Turqia dëshiron të jetë një mik i vërtetë i Afrikës.
Siç tha presidenti Erdoğan, Turqia asnjëherë nuk do të pranojë një rend botëror ekonomik, në të cilin disa vende janë prodhues dhe të tjerët janë vetëm konsumatorë.
Dje u mbajtën takimet përfundimtare në margjinat e samitit të 10-të, ku morri pjesë edhe presidenti turk.
Samiti, i cili u hap të mërkurën, mbyllet sot me debatin për luftërat gjithnjë e më të forta tregtare.
BRICS është një union i ekonomive me rritje të shpejtë të cilën e përbëjnë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Këtë vit, në cilësi të mysafirit u ftuan presidenti turk Erdoğan dhe udhëheqësit e disa vendeve afrikane.
BRICS përfaqëson mbi 40 për qind të popullsisë së botës.