-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kadri Sherifi: Kanuni i neglizhencës

Më të lexuarat

Kanuni i neglizhencës
Nga Kadri Sherifi

A mund të çrrënjoset gjakmarrja nga mentaliteti shqiptar? Në gjthë rruzullin tokësor, shekuj me radhë, gjakmarrja ua ka marrë ose ua ka bërë të padurueshme jetën shumë njerëzve të pafajshëm: të afërmëve të një vrasësi. Gabimisht, ky fenomen është futur në kokat e disa shqiptarëve se është karakteristikë e identitetit tonë duke u referuar në kanun. Në fakt, fjala “kanun” vjen nga greqishtja e vjetër kanôn që do të thotë “rregull”, “model”. Në latinisht kemi shprehjen jus canonicum që do të thotë “ligj kanunor”. Duke e hequr nga mendja se ligjet që nuk i përdor më askush në botë i përkasin kulturës sonë, bëhet pyetja: A mund të çrrënjoset gjakmarrja nga mentaliteti shqiptar? Unë mendoj se po. Shumë popuj tjerë e kanë rregulluar këtë problem në mënyrë të civilizuar. Edhe ne, në ditët tona, kemi një komb të shkolluar i cili e ka në dorë fatin e vet. Mirëpo duhen marrë disa masa urgjente profesionale që në ndodhjen e fatkeqësisë. Nuk duhet lejuar ndërhyrja e nxitësve të gjakmarrjes siç janë kanunarët gjakatarë apo të hollat dhe të edukohet rrethi i familjeve fatkeqe në mënyrë të vetëdijshme e bashkëkohore. Së pari, në rast vrasjeje në rrethana të ndryshme, deklarata e të afërmëve të viktimës për gjakmarrje të konsiderohet si kërcënim me vdekje me paramendim. Pastaj, organet kompetente të marrin masat e nevojshme preventive. Ndërhyrja e organizatave jokompetente nën pretekstin e ligjeve paralele kanunore të dënohet rreptësisht. Këto organizata dhe këta individë, herët apo vonë, do të përgjigjen para drejtësisë kompetente kombëtare ose ndërkombëtare për interpretimin e artikujve famëkëqinj kanunorë. Masat ndëshkimore kundër përçuesve të (pa)drejtësisë kanunore janë një hap drejt çrrënjosjes së gjakmarrjes. Pastaj, dhënia e të hollave për gjak, marrja e të hollave për gjak dhe përcjellja e të hollave për gjak nga njëra palë tek tjetra të konsiderohen si trafik me qenie njerëzore. Të gjithë ata që bëjnë një nga këto tri gjeste të akuzohen edhe për nxitje të gjakmarrjes. Të hollat janë vaj për zjarrin. Sipas disa kërkimeve psikologjike, nëse hiqet ideja e marrjes së të hollave nga koka e gjakmarrësit dhe nëse ai është i bindur se deklarata e tij për gjakmarrje do të dënohet si kërcënim me vdekje, reflekset dhe sjelljet e tij do të jenë ndryshe në momente fatkeqësie të humbjes së një të afërmi. Ideja për të bartur një vdekje në vetëdijë gjatë gjithë jetës dhe ballafaqimi me drejtësinë moderne do të kenë përparësi në psikologjinë e tij. Natyrisht, organizatat famëkeqe e gjakatare dhe individët që bëjnë drejtësinë kanunore nuk duhet të kenë në asnjë rast përfitime monetare sepse kjo gjë i zgjat jetën fenomenit të vëllavrasjes. Në vazhdim, rrethi i të dy familjeve duhet të luajë një rol pozitiv me mençuri dhe qytetërim bashkëkohor. Kur shohim filma dueli nëmes dy gladiatorëve ku dihet se njëri do të vritet, mund të konstatohet se publiku i asaj kohe i shikonte këto skena dhe argëtohej në prezencën e skllavopronarit i cili përfitonte nga spektakli. Spektaklet e tilla janë zhdukur sot në botë siç është zhdukur gjakmarrja. Në trojet shqipfolëse, spektatorët e sotëm të konfliktit nëmes dy familjeve duhet të kuptojnë se ato familje janë në të njëjtën situatë fatkeqësie dhe të ndihmohen që të dyjat. Mediat do të duhej të vënin në pah gjestet humane të cilat do të merreshin si modele. E vërteta optimiste është se populli shqiptar nuk e pranon gjakmarrjen si tipar të identitetit të vet dhe e ka zëvendësuar termin që shpreh këtë fenomen gjakatar fjalën me « vëllavrasje ». Por sikur kjo nuk mjafton… Në përfundim, organet shtetërore nuk mund vazhdojnë të arsyetojnë moskokëçarjen duke u fshehur pas zakoneve e traditave sepse pakujdesia e tyre në ketë aspekt po bëhet traditë. Tashmë mund ta quajmë rregullin e tyre me dy fjalë të huazuara: Kanuni i neglizhencës. Organet kompetente duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për mbrojtjen e atyre që nuk kanë bërë krim duke pasur parasyh se të afërmit e vrasësit nuk janë vrasës. Nuk duhet të fajësohen të pafajshmit siç ndodhte në komunizëm. Nuk është vështire të kuptohet se askush nuk ka mundësi as të drejtë t’i kontrollojë sjelljet e vëllaut apo ato të kushëririt. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës u grantojnë qytetarëve lëvizjen e lirë. Disa përgjigje nga ana e pushtetarëve janë të nevosjshme: Sa gjakmarje duhet të ndodhin në një zonë të caktuar në vit që shefi i policisë dhe kryetari i komunës të japin dorëheqje? Sa gjakmarrje duhet të ndodhin në shtet që të detyrojnë qeverinë të japë dorëheqje, siç do të ndodhte në vende tjera? Në pritje të zgjimit të vetëdijes e gjithashtu të zgjimit nga gjumi të politikanëve dhe ligjvënësve tanë, të shpresojmë se do të dalë një bir apo bijë nga gjiri i këtij populli, si Anton Çeta, e të rregullojë të gjitha konfliktet e tanishme me mirëkuptim dhe paqë … pa u referuar në asnjë ligj kanunor të pandershëm apo bolshevik. E nëse na humbet busulla pa u referuar në të kaluarën, mund ta kujtojmë thënjen “V’llau v’llaun nuk e vret”. Më duket se kjo shprehje ka moshë, sikur vjen nga njëfarë…Gjergj Kastrioti Skënderbeu…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit