0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Spastrimi etnik i myslimanëve nuk është ndalur

Më të lexuarat

Paqeruajtësit ndërkombëtarë kanë dështuar në përpjekjet për të parandaluar spastrimin etnik të myslimanëve në Republikën e Afrikës Qendrore, bëri të ditur “Amnesty International”, grupimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sulmet e militantëve kanë sjellë një “eksod të myslimanëve në përmasa historike”, thotë “Amnesty”. Grupimet e ndihmave kanë paralajmëruar për një krizë ushqimore, për shkak se shumë dyqane dhe linja furnizimi me ushqime drejtoheshin nga myslimanët. Programi botëror i ushqimit i OKB-së ka filluar të dërgojë ushqime me avionë. Rrugët janë tepër të rrezikshme për transport të ushqimeve pa eskortë ushtarake, bëri të ditur një zyrtar i OKB-së. Për këtë arsye po përdoret transporti i kushtueshëm ajror nga shteti fqinj i Kamerunit.

OKB-ja ka aktualisht në axhendë të dërgojë 1800 tonë drithëra, të mjaftueshme për të ushqyer 150 mijë njerëz, por ndërkohë vlerësohet se janë 1.25 milionë njerëz në nevojë për ushqime.

Sipas OKB-së, vlerësohet se 90 për qind e popullsisë së vendit po ushqehet vetëm me një vakt në ditë. Çmimet thuhet se janë rritur, pasi shumë tregtarë myslimanë ikën nga kryeqyteti Bangui. Në aeroportin e Banguit janë mbledhur 100 mijë njerëz që kërkojnë mbrojtje nga trupat paqeruajtëse.

Franca ka dërguar 1600 trupa në këtë vend krahas 4500 trupave të dërguara nga vendet afrikane, por këto duket se janë shumë të pakta për të vendosur paqen në një territor kaq të gjerë. Popullsia në Republikën e Afrikës Qendrore përbëhet në masën 50 për qind nga kristianë, 35 për qind nga besime vendase dhe 15 për qind nga myslimanë.

Dhuna ka vënë përballë kristianët me myslimanët, duke shkaktuar ndryshime të forta demografike, si dhe rrezikun e ndarjes de facto të këtij shteti.

“Amnesty International” deklaroi se forcat paqeruajtëse në disa raste kanë mundësuar dhunën duke lejuar milici abuzive kristiane të zënë pushtetin, pas vakumit të krijuar nga largimi i milicive myslimane. Ajo u bëri thirrje paqeruajtësve të shkatërrojnë bazat e kontrollit të milicive kristiane, në ato zona ku myslimanët janë të rrezikuar. Ajo vëren gjithashtu se edhe luftëtarët e Selekas po vijojnë të sulmojnë kristianët. “Amnesty” bëri thirrje që trupat paqeruajtëse të hyjnë në veprim real dhe të mbrojnë civilët, të patrullojnë zonat e rrezikuara dhe të ndalojnë eksodin e popullsisë./ilirida/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit