2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Shpallen të pavlefshme zgjedhjet në tri vendvotime në veri

Më të lexuarat

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Nenad Rikalo, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion, në mbledhjen që ka zhvilluar të martën mbrëma në Prishtinë, ka marrë vendim që të shpallë të pavlefshëm votimin në tri qendra votimi në pjesën veriore të Mitrovicës.
Rikalo ka thënë se numërimi i votave nga vendvotimet e tjera në veri të Kosovës do të nisë sot dhe do të bëhet në praninë e përfaqësuesve të komisioneve zgjedhore komunale.

“Është kompletuar pranim-dorëzimi i materialit nga katër komunat veriore dhe është vërtetuar se në tri qendra votimi në Mitrovicë nuk ka asnjë kusht për numërim. Ai material është krejtësisht i papërdorshëm dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur sonte (të martën), ka marrë vendim që të anulojë dhe të përsërisë votimin në Shkollën Teknike, Shkollën Shën Sava dhe Shkollën e Mjekësisë”, ka thënë Rikalo.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se është analizuar edhe materiali tjetër zgjedhor nga veriu i Kosovës dhe se është konstatuar se në disa vendvotime mungojnë materialet.

Ditën e zgjedhjeve, në tri vendvotime në veri të Mitrovicës, kanë ndërhyrë persona të maskuar dhe kanë shkatërruar kutitë e votimit. Incidentet kanë detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Incidentet janë dënuar fuqishëm nga autoritetet kosovare dhe ato serbe, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkaq, në pjesët e tjera të Kosovës, procesi zgjedhor është vlerësuar i drejtë dhe demokratik.

Mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve në tri vendvotimet në veri të Mitrovicës e ka paralajmëruar të martën edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

Ai ka thënë se rrethi i parë i zgjedhjeve, që është mbajtur të dielën, ka qenë i suksesshëm, pos në tri vendvotime, ku, siç është shprehur ai, huliganët kanë shkatërruar materialin zgjedhor.

Për procesin zgjedhor në Kosovë do të diskutohet sot edhe në takimin e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit