0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Materiali zgjedhor në veri të Mitrovicës ka humbur

Më të lexuarat

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk ka arritur që të marrë asnjë fletëvotim nga tri qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut, që u sulmuan në ditën e zgjedhjeve.
Zëdhënësi i këtij misioni Nikolla Gaon thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas sulmit, i cili nxiti edhe evakuimin e personelit të OSBE-së nga veriu, nuk dihet gjë se ku kanë mbetur votat e qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës.

“Në tri lokacionet, të cilat kanë qenë të sulmuara dje në veri të Mitrovicës, Shkolla Fillore “Sveti Sava”, Shkolla e Mesme Teknike dhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë, materialet [zgjedhore] nuk kemi mundur t’i mbrojmë. Ne nuk e kemi në posedim këtë material dhe të njëjtin nuk kemi mundur ta dorëzojmë [tek KQZ-ja]”, thotë Gaon.

Persona të maskuar kanë hyrë të dielën rreth orës 17h në tri qendrat e votimit për Mitrovicën e Veriut.

Në xhirimet e postuara në portale të ndryshme, shihen kuti të demoluara të votuesve, ndërsa raportohet edhe se listat e votuesve janë marrë nga agresorët që sulmuan këto vendvotime.

OSBE-ja ishte mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për lehtësimin e procesit zgjedhor në katër komunat veriore.

Zëdhënësi i OSBE-së, ndërkaq thotë sot se nuk e di se ku është materiali zgjedhor të cilin duhej ta mbronte.

“Ai material, sipas asaj që kemi parë, nga xhirimet që kemi parë në Youtube dhe media të tjera, është i dëmtuar, i shpërndarë nëpër tokë, kështu që unë nuk e di, parimisht, se cili është fati i këtij materiali; nëse ka përfunduar në shportë mbeturinash apo çka ka ndodh me të”.

“Thjesht, personeli ynë duhej të largohej nga këto lokacione, sepse siguria ishte rrezikuar, dhe nuk kemi mundur që ta ruajmë materialin zgjedhor”, thotë Nikolla Gaon për Radion Evropa e Lirë.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, në një konferencë për shtyp mbrëmë vonë, ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për rolin që ka pasur ky mision në këto zgjedhje. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit