Najif Ebu Thureja, babai i dëshmorit palestinez me aftësi të kufizuara, Ibrahim Ebu Thureja tha se “Ibrahimi kishte dëshirën të martirizohej për Palestinën, dhe kjo iu plotësua. Sot është ditë dasme për Ibrahimin”
GAZA (AA) – MUHAMMED ABUD
“Ai e shijoi martirizimin që e dëshironte për Palestinën”, është shprehur për djalin e tij Najif Ebu Thureja, babai i dëshmorit palestinez me aftësi të kufizuara, Ibrahim Ebu Thureja, i cili humbi jetën në protestat e zhvilluara në mbështetje të Kudsit ku ai mori pjesë, pavarësisht se kishte humbur të dyja këmbët gjatë një sulmi ajror që Izraeli ndërmori në Gaza në vitin 2008.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), babai i Ibrahimit, tha se, “Ibrahimi kishte dëshirën të martirizohej për Palestinën dhe kjo iu plotësua. Sot është dita e dasmës për Ibrahimin”.
Duke treguar fotografinë e djalit të tij në telefon, Najif tha se, “Këmbët tua ecën para teje në xhennet. Ti u bëre i denjë për shpresën tënde Ibrahim. U martirizove për Palestinën, për Kudsin.”
Ai ka shtuar se, “Dëshira e djalit tim ishte si çdo i ri të martohej dhe të formonte një familje. Por, pengesa që kishte e kushtëzoi nga kjo. Edhe pse ai ishte me aftësi të kufizuara ai u vra nga ushtarët izraelitë. Këto janë ndjenja shumë të vështira”.
– Forcat izraelite martirizuan Ebu Thureja-n me aftësi të kufizuara
Duke tërhequr vëmendjen se historia e Ibrahimit me Palestinën është shumë e madhe, babai i dëshmorit është shprehur se “Kudsi ishte problemi më i madh që ai kishte. Ai asnjëherë nuk hoqi dorë nga kauza e tij. Sapo ai dëgjoi vendimin e Trumpit doli menjëherë për të marrë pjesë në protesta”.
Ndër të tjera Najif ka shpjeguar se djali i tij ka marrë pjesë rregullisht në protestat e zhvilluara në “mbështetje të Mesxhid-i Akasasë dhe për të protestuar kundër vendimit të Trumpit për Kudsin”.
Një nga dy personat që ranë dëshmorë gjatë ndërhyrjeve të ushtarëve izraelitë në protestat në kufirin e Gazës ishte edhe Ebu Thureja, i cili në vitin 2008 kishte humbur dy këmbët si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit në Gaza.
– “Ne sfidojmë ushtrinë izraelite”
Pak para se të vdiste, protestuesit kanë marrë mendimet e Ebu Thurejas, i cili edhe përkundër faktit se ishte me aftësi të kufizuara, nuk hezitoi të marrë pjesë në protesta në mbrojtje të trojeve të tij.
Në pamjet që u publikuan në rrjetet sociale, fjalët e Ebu Thurejas ishin: “Erdha që ushtrisë izraelite t’ia jap mesazhin se ky vend është i yni. Kjo tokë është e jona. Nuk do ta dorëzojmë për shkak të vendimit të Trumpit. Do t’i vazhdojmë protestat. Sfidojmë ushtrinë izraelite. Populli palestinez është popull guximtar”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës në Gaza, Eshref el-Kudra, njoftoi më herët se Jasir Sukar, 23 vjeçar, dhe Ibrahim Ebu Thureja, 29 vjeçar, kanë rënë dëshmorë nga ndërhyrja e ushtarëve izraelitë në zonat kufitare të Gazës, dhe se 82 persona janë plagosur, prej të cilëve pesë më rëndë.