Ministria e Jashtme e Polonisë po këmbëngul që një marshim i madh i mbajtur gjatë fundjavës nga mijëra nacionalistë dhe grupe të ekstremit të djathtë në Varshavë, të cilët mbanin pankarta duke bërë thirrje për një “Evropë të Bardhë”, ishte një shprehje e vlerave patriotike.
Ministria dënon fuqishëm idetë raciste, antisemitike dhe ksenofobike, duke thënë se marshimi i Ditës së Pavarësisë të së shtunës ishte “një festim i madh i polakëve për t’u bashkuar rreth vlerave të përbashkëta të lirisë, dhe besnikërisë ndaj një atdheu të pavarur”, duke thënë se nuk ishte e justifikueshme të përcaktohej marshimi bazuar në disa elemente “të rastësishme”.
Marshi, i organizuar nga grupet e ekstremit të djathtë, në të cilin morën pjesë rreth 60,000 njerëz dallohej nga pankartat me mesazhe të tilla si “Evropa e Bardhë e kombeve vëllazërore” dhe “Lutuni për Holokaustin Islamik”.
Marshimi i organizuar nga grupet e ekstremit të djathtë ishte një nga disa marshime të organizuara në kryeqytetin polak, i cili festonte rilindjen e Polonisë si një komb i pavarur 99 vjet më parë.
Prania e grupeve të ekstremit të djathtë në këtë ngjarje ishte e dukshme për të gjithë, me disa që mbanin pankarta ksenofobike dhe këndonin slogane raciste. Një demonstrues i intervistuar nga televizioni shtetëror TVP, tha se kishte ardhur në marshim për “largimin e hebrenjve nga pushteti”.
11 nëntori i vitit 1918 shënon ditën e Pavarësisë në Poloni, kur vendi riktheu sovranitetin e tij në fund të Luftës së Parë Botërore pasi ishte ndarë dhe sunduar nga Rusia, Prusia dhe Perandoria Austro-Hungareze.
Udhëheqësi i partisë në pushtet Jaroslaw Kaczynski vuri në dukje se Polonia nuk ka qenë gjithmonë plotësisht e pavarur që nga viti 1918, një referencë ndaj okupimit të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dekadave të kaluara nën drejtimin e Moskës gjatë Luftës së Ftohtë.
Megjithatë, ai tha: “Shteti polak u njoh ndërkombëtarisht gjatë gjithë kohës dhe kjo është një arritje e madhe”. /tesheshi.com/