4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Hulumtimi i QKSS-së: Rusia po ndërhynë në Kosovë

Më të lexuarat

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot raportin gjithëpërfshirës “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?”, ku theksohet se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.
Ky raport është përgatitur nga autori Pëllumb Kallaba-hulumtues i lartë i jashtëm në QKSS, ku thuhet se raporti është hartuar me qëllim të ofrimit të një analize për një çështje të rëndësisë së veçantë për Kosovën, siç është prania ruse dhe ndikimi i saj për zhvillimet ndërkombëtare të vendit.
Hulumtimi konstaton se shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.
“Raporti synon të de-konstruktoj sjelljen e politikës së jashtme ruse në mënyrë kronologjike, sidomos që nga vizita e parë e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin në Kosovë më 17 Qershor 2001 bërë kontingjentit ushtarak rus.Po ashtu, hapësirë të theksuar i është kushtuar vendimit për sanksione të Qeverisë të Kosovës ndaj Rusisë më 2014, vendim ky i pa-azhurnuar tutje në raport me harmonizimin e sanksioneve të BE-së dhe ShBA-së. Rrjedhimisht, sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë rezultuar të jenë efektive pasi që subjektet ekonomike ruse të sanksionuara por prezentë në Serbi dhe rajon, kryesisht duke përfshirë produktet e naftës, vazhdojnë të funksionojnë ende në tregun e Kosovës. QKSS konstaton se Bashkimi Evropian nuk e ka trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e harmonizimit dhe vendosjes së sanksioneve ndaj subjekteve ekonomike dhe autoriteteve politike të Federatës Ruse”, thuhet në një komunikatë të kësaj qendre.
Në komunikatë theksohet se gjatë periudhës janar-korrik 2017, niveli i mallrave ruse të importuara në Kosovë tejkalon shumën prej 10 milionë euro, ndërsa shifrat e eksportit të Kosovës drejt Rusisë mbeten zero.
“Kjo asimetri negative dëshmohet edhe në aspektin e hyrje/daljeve të qytetarëve rus. Sipas hulumtimit, më shumë se 1000 qytetarë rusë vizitojnë Kosovën çdo vit, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Rusi për shkak të refuzimit të menjëhershëm të pasaportave. Raporti ka nënvizuar paradoksin që regjimi i vizave të Kosovës i privilegjon mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit rus nën kategorinë e veçantë të përjashtuar nga kërkesat për viza. Bartësve përkatës u lejohet të hyjnë, të kalojnë ose të qëndrojnë deri në 15 ditë në territorin e Kosovës. QKSS thekson se ky ‘lehtësim’ përbën shqetësim të sigurisë nacionale për Kosovën prandaj një amendamentim i regjimit të vizave është i domosdoshëm. Ndërsa numri i qytetarëve rus që vizitojnë Kosovën rritet, roli aktual i Rusisë në Kosovë, përveç bllokadave në nivel ndërkombëtarë, është treguar më së miri në kontekstin e komunave veriore: lidhjet midis partive politike nga komuniteti serb dhe partia politike Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin janë vazhdimisht në zhvillim, ndërsa krijimi i Asociacionit të komunave serbe mund të paraqesë terren të ri për një angazhim më të fortë rus për të nxitur separatizmin lokal serb në Kosovë. Raporti ka theksuar se faktori fetar paraqet një element të rëndësishëm për ndikimin rus përmes Kishës Ortodokse Serbe. Me mbështetjen politike dhënë institucioneve fetare, Rusia kërkon të ruajë dhe të rrisë një prani të fortë emocionale në mesin e komunitetit serb në Kosovë. Mungesa e kontrollit të duhur financiar në raport me buxhetin e Kishës Ortodokse Serbe krijon mundësi për një agjendë përçarëse dhe një keqpërdorim potencial të këtij hendeku institucional, në interes të angazhimit të Rusisë dhe forcimit të ndikimit të tyre të mundshëm në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Raporti është ndalur edhe te fabrikimi i lajmeve të pavërteta (fake news) përmes përfaqësive mediale ruse në Serbi dhe rajon në raport me Kosovën paraqet një sfidë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
“Raporti konstaton se një prani mediale pro-ruse në Serbi është një kartë e rëndësishme në përhapjen e propagandës midis serbëve të Kosovës, duke përfshirë ‘Sputnik’ dhe ‘Russia Today’. Në anën tjetër, pozicioni i ashtuquajtur neutral i Serbisë ndaj anëtarësimit në NATO, së bashku me perceptimin negativ të publikut në Serbi për aleancën ushtarake perëndimore, mbetet një shqetësim serioz për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Operimi enigmatik i të ashtuquajturës Qendra humanitare ruso-serbe me qendër në Nish nga viti 2011, krahas stërvitjeve ushtarake në rritje dhe investimeve midis dy vendeve, duhet të konsiderohet si një kërcënim afatgjatë i sigurisë jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet fqinje. Për fund, raporti konstaton se institucionet qendrore të Kosovës nuk janë të pajisura siç duhet për të parandaluar penetrimin hibrid rus nëpërmjet instrumenteve ekonomike dhe politike që synojnë të ndikojnë në politikat e saj në Kosovë, dhe për më tepër nuk ka vetëdije institucionale të mjaftueshme për të ndjekur dhe kuptuar interesat ruse në rajon”.
Sipas raportit, Kosova nuk ka strategji të qëndrueshme se si të adresojë sfidat në raport me marrëdhëniet diplomatike bilaterale dhe multilaterale me Rusinë.
Raporti i QKSS ka adresuar një sërë rekomandimesh të përgjithshme të cilat duhet të trajtohen nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian, shoqëria civile, media dhe komuniteti i biznesit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit