Sheshi Adevije në kryeqytetin Kajro të Egjiptit është kthyer në një varrezë të vërtetë si pasojë e ndërhyrjes së përgjakshme të puçistëve kundër përkrahësve të demokracisë.
Numri i të vdekurve është ende i paqartë për shkak të lajmeve kontradiktore. Vëllazëria Myslimane bëri të ditur se në sulmin e forcave të armatosura kanë humbur jetën të paktën 2.000 vetë dhe janë plagosur mbi 10.000 të tjerë.
Kurse qeveria e përkohshme e ardhur në pushtet pas grushtit të shtetit njoftoi se numri i të vdekurve është 278 vetë.
Ndërkaq, masakra e kryer mëngjesin e djeshëm shkaktoi çarje në udhëheqjen puçiste të Egjiptit.
Zëvendëspresidenti Muhamed El-Baradei, i emëruar në këtë detyrë nga organizatorët e grushtit të shtetit, dha dorëheqjen, duke deklaruar se ishte bërë shumë e vështirë për të që të vazhdonte të merrte përgjegjësinë e vendimeve, me të cilat nuk ishte dakord.
Ndërsa Kryeministri El-Biblavi, edhe ky i emëruar nga puçistët, e mbrojti ndërhyrjen e përgjakshme të forcave të sigurisë me arsyetimin se në këtë mënyrë i ka dhënë një shans tranzicionit demokratik.
Po ashtu, udhëheqja puçiste mbylli dy kanale televizive, që bënin transmetim të drejtpërdrejtë nga sheshet e kryeqytetit gjatë ndërhyrjes.
Forcat e sigurisë, që përdorën plumba të vërtetë në këtë operacion, morën në shënjestër edhe gazetarët.
Një kameraman i një kanali televiziv britanik dhe një gazetar nga Emiratet e Bashkuara Arabe gjetën vdekjen duke filmuar pamjet e masakrës.
Qindra persona, mes të cilëve edhe shumë drejtues të lartë të Vëllazërisë Myslimane, u arrestuan nga policia.
Pas ndërhyrjes së përgjakshme, Sheshi Adevije u zbraz plotësisht.
Në Egjipt u shpall gjendje e jashtëzakonshme, pasi ngjarjet e dhunës filluan të përhapen me shpejtësi në të gjithë vendin; kurse në 11 provinca, përfshi këtu Kajron, Aleksandrinë dhe Suezin, u vendos shtetrrethim.
Ushtria egjiptiane kërcënoi se do të marrë masa ligjore “të ashpra” kundrejt kundërvajtësve të shtetrrethimit dhe gjendjes së jashtëzakonshme./trt/kohaislame