4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kosovari që prodhon pajisje për makinerinë e KEK-ut

Më të lexuarat

Kishte fatin e shumicës së kosovarëve që emigruan në perëndim për një jetë më të mirë. Mirëpo ajo çfarë punoi Mahmut Gërguri në Gjermani për 10 vjet tash po i shërben edhe në Kosovë. Në vitin 2005 ai hapi fabrikën për konstruksione të produkteve metalike “Daci” në Bardh të Madh të Fushë Kosovës. Filloi me një kapacitet të vogël të prodhimit për ta rritur gradualisht atë.

“Kam punuar edhe më herët në këtë lëmi në firmat gjermane përgjatë 10 vjet por kur jam kthyer këtu kam punuar në termocentralin ‘Kosova A’, si asistent i firmës gjermane për renovimin gjeneral të ‘Kosovës B’, pastaj dy vite kam qenë edhe drejtor i firmës gjermane ‘Koh-transport-teknik’ që është marrë me rehabilitimin pas djegies së ‘Kosovës B’. Pas përfundimit të këtij projekti kam hapur firmën time dhe jam marrë me këtë lëmi”, tregon Gërguri, shkruan Zëri.
Produktet e “Dacit” janë të lëmive kryesisht të ndërtimtarisë që kanë të bëjnë me prodhimin e konstruksioneve të çelikut. Deri më tani, sipas pronarit Gerguri, kanë realizuar mbi 150 projekte. Deri në vitin e kaluar 2012, sipas tij, kanë punuar vetëm në prodhimin e konstruksioneve të çelikut, ndërsa nga viti 2012 kanë kaluar edhe në prodhimin e pajisjeve makinerike me destinim për miniera dhe termocentrale.
“Vitin e kaluar kemi ekzekutuar dy projekte të stacioneve teleskopike për KEK-un si nënkontraktor i firmës polake dhe i firmës kosovare ‘Ekotrade’, ndërsa para dy viteve kemi pasur dy sisteme ku kemi realizuar punët e demodimit, punët e prodhimit dhe punët e mundimit prapë me porosi të firmës kosovare ‘Ekotrade’ në vlerë deri në 4.5 milionë”, thotë ai.
Kishin filluar me një kapacitet të vogël dhe me një numër prej 8 punëtorësh, mirëpo aktualisht kjo fabrikë ka përmasa gjigante me një kapacitet të prodhimit nga 2500 deri në 3000 tonë vjetorë. Ndërsa aktualisht ka 110 punëtorë. Gërguri tregon edhe vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë, mirëpo nuk tregohet edhe aq pesimist pasi që, sipas tij, në rast se je serioz në prodhimin tënd atëherë edhe vështirësitë janë më të vogla. “Është lehtë të punosh me çdo kosovar atëherë kur gjithçka paraprakisht e definon dhe gjithçka paraprakisht e vendos në letër. Është vështirë të punosh me këdo, përderisa nuk i përmbahesh rregullave që marrëveshjen gojore ta vendosësh në letër”, thotë ai.
Ajo çfarë e brengos dhe e vështirëson punën e tyre në raport me obligimet shtetërore, Gërguri thotë se importet të cilat i bëjnë të lëndës së parë janë importe për të cilat janë të obliguar të paguajnë taksat e doganës dhe TVSH paraprakisht në doganë në vend se, sipas tij, TVSH të realizohet pas shitjes së mallit. “Të njëjtat produkte që ne i blejmë shtetet anëtare të CEFTAS nuk e paguajnë doganën për 10 për qind pra ata në çdo produkt janë për 10 për qind në avantazh. Pra një politikë e mbrojtjes së prodhuesve vendorë kishte me qenë shumë më e favorshme për neve”, thotë Gërguri.
Ajo çfarë i zhgënjen thotë se është mënyra e tenderimit që bëhet nga ndërmarrjet vendore e që kushti kryesor është çmimi më i lirë. Kjo, sipas tij, iu lejon që të bëhet punë jokualitative. “Ne jemi për atë që origjina e mallit ta ketë një vlerësim dhe tenderët të vendosen në atë mënyrë se cili tender është ekonomikisht më i favorshëm”, thotë ai. Ai thotë se zakonisht vështirësitë kanë qenë në marrjen e tenderëve në KEK, mirëpo nuk i ka akuzuar zyrtarët e KEK-ut për një gjë të tillë pasi që, sipas tij, mënyra e prokurimit është e tillë.
“Tash janë pjekur kushtet që ne të jemi kontraktori i parë në KEK, i kemi dëshmuar edhe atyre, jemi e vetmja firmë që e bën prodhimin e pajisjeve makinerike për KEK-un si për miniera ashtu edhe termocentrale”, thotë ai. Një projekt të cilin Gërgruri e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishtëm është ai për filtrimin e pluhurit në Termocentralin “Kosova A”. “Bashkë me firmën gjermane jemi duke e ekzekutuar projektin për ‘Kosovën A’ për sistemin e hinezimit, jemi si kontraktor gjeneral të firmës gjermane me 95 për qind të punës. Me këtë pajisje fiton ‘Kosova A’, por edhe rrethina sepse me këtë pajisje filtrohet pluhuri dhe në mënyrë të lëngët dërgohet në minierë”, tregon Gërguri.
Vendet ku ata kanë eksportuar produktet e tyre janë Germania me një numër të madh të kontejnerëve ekologjikë, ku nga ky shtet kanë pasur për destinim Kanadanë dhe Afganistanin. Në Austri, thotë se kanë eksportuar depo automatike, ndërsa në Shqipëri konstruksion të çelikut. Ndërsa vendet nga importojnë lëndën e parë thotë se janë Greqia, Gjermania, Sllovenia dhe Maqedonia. “Sa i përket Kosovës për produkte, pajisje makinerike në Kosovë përveç KEK-ut nuk ka kërkesa tjera, ndërsa sa i përket konstruksioneve të çelikut ka kërkesa të mëdha dhe kryesisht jemi të angazhuar me firma që janë më stabile në treg”, thotë ai. /Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit