Guterres ka nënvizuar se qeveria e Mianmarit ka përgjegjësi të sigurojë qasjen e ndihmave të ofruara nga OKB dhe organizatat e tjera dhe siguri për nevojtarët
NEW YORK (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i ka ftuar forcat e Mianmarit në qetësi dhe maturi, në mënyrë që të parandalohet “katastrofa humanitare” në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres ka nënvizuar se qeveria e Mianmarit ka përgjegjësi të sigurojë qasjen e ndihmave të ofruara nga OKB dhe organizatat e tjera dhe siguri për nevojtarët.
“Gjendja aktuale vë në pah urgjencën për një qasje gjithëpërfshirëse për shkaqet që qëndrojnë prapa kësaj dhune. E ftoj qeverinë e Mianmarit të zbatojë rekomandimet e Komisionit Këshillimor për Arakanin”, ka thënë Guterres.
Ai ka falënderuar Bangladeshin për mbështetjen që ka ofruar për refugjatët e Arakanit, duke kërkuar që të sigurohet që ndihmat e OKB-së dhe organizatave partnere humanitare të arrijnë te refugjatët.
Ndryshe, një numër i madh i civilëve ka humbur jetën javën e fundit nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit në shtetin e Arakanit.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.