Motra ime muslimane, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty!
Allahu azze ue xhel i ka lavdëruar gratë muslimane të cilat janë besimtare, durimtare, e të devotshme dhe i ka përshkruar se ato janë besnike që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu. Prandaj Allahu azze ue xhel kur i ka përshkruar cilësitë e besimtarëve ka thënë: “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre:“Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” Ali Imran 195.
Motra ime muslimane, pasi që Allahu azze ue xhel të nderoi e fisnikëroi me këtë fe dhe të bëri mbretëreshë të vërtet, desha të ta dhuroj një buqetë këshillash, i cili i përmban në vete dhjetë këshilla që i përngjajnë trëndafilave të bukur dhe me aromë të këndshme:
Këshilla e parë: Gruaja muslimane beson se Allahu azze ue xhel është Zoti i saj dhe se Muhamedi është i dërguari i saj dhe se Islami është feja e saj. Gjurmët e besimit të saj shihen qartazi në fjalët, veprat dhe mendimet e saja, pra ajo është e kujdesshme prej hidhërimit të Allahut, dhe i frikësohet dënimit të Tij të dhembshëm si rezultat i kundërshtimit të urdhrave të Tij.
Këshilla e dytë: Gruaja muslimane është e kujdesshme për faljen e pesë kohëve të namazit me nënshtrim të plotë dhe me abdes në kohën e duhur, duke mos e preokupuar prej namazit asnjë preokupim tjetër dhe penguar prej adhurimit asnjë dëfrim. Tek ajo shihen qartazi gjurmët e namazit, për shkak se namazi largon prej imoralitetit dhe të këqijave dhe është fortifikatë e madhe prej mëkateve.
Këshilla e tretë: Gruaja muslimane është e kujdesshme në veshjen e mbulesës dhe ajo nderohet e fisnikërohet me veshjen e saj. Nuk shfaqet para të huajve përveçse e mbuluar duke kërkuar mbrojtje prej Allahut azze ue xhel dhe duke e falënderuar Atë që e fisnikëroi dhe e mbrojti me veshjen e hixhabit dhe dëshiroi pastrimin e saj. I Lartësuari thotë: “O ti i Dërguar, thuaji grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) sipër trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët.” Ahzab 59.
Këshilla e katërt: Gruaja muslimane është e kujdesshme në nënshtrimin ndaj burrit të saj, është e butë me atë, e mëshiron, e thërret në të mirë dhe e këshillon, e qetëson, nuk e rrit zërin e saj ndaj tij dhe nuk është e vrazhdët me atë në bisedë. Përcillet në një hadith të vërtet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ajo grua që i falë pesë kohët e namazit , agjëron Ramazanin dhe e respekton burrin e saj, hyn në Xhenetin e Allahut.” (Ahmedi dhe Taberaniu.)
Këshilla e pestë: Gruaja muslimane i edukon fëmijët e saj me nënshtrim ndaj Allahut azze ue xhel, i ushqen me besim të vërtet dhe ia mbjell në zemrat e tyre dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i largon prej mëkateve dhe moralit të shëmtuar, Allahu azze ue xhel thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Tahrim 6.
Këshilla e gjashtë: Gruaja muslimane nuk vetmohet me burrë të huaj, përcillet në një hadith të vërtet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk është vetmuar një grua me një burrë, përveçse shejtani ka qenë i treti i tyre”. (Ahmedi dhe Tirmidhiu, hadithi është i vërtet).
Pra, ajo nuk udhëton e vetmuar pa mahrem, nuk i viziton tregjet dhe vendet publike përveçse me nevojë edhe atë duke e mbuluar trupin e saj me hixhab.
Këshilla e shtatë: Gruaja muslimane nuk i përngjan burrave në atë çka është e veçantë për burrat. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “I mallkoftë Allahu ata burra që i përngjajnë grave dhe ato gra që i përngjajnë burrave.” (Buhariu ,Ebu Davudi. Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh).
Po ashtu ndalohet përngjasimi me jobesimtaret në atë çka veçohen ata prej zbukurimeve dhe pamjeve, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush i përngjan një populli ai është prej tyre.” (Ahmedi dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtet).
Këshilla e tetë: Gruaja muslimane në radhët e grave thirr në fenë e Allahut azze ue xhel me fjalë të bukura, duke e vizituar fqinjën e saj, duke komunikuar me motrat e saja muslimane me telefon e me internet, duke shpërndarë libra dhe kaseta islame. Ajo vepron me atë çka e thotë dhe kujdeset ta shpëton veten dhe motrat e saja nga dënimi i Allahut azze ue xhel, Pejgamberi ,sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Të bëhesh shkaktar për udhëzimin e një njeriu është më mirë për ty se sa të posedosh deve të kuqe .” (Buhariu dhe Muslimi)
Këshilla e nëntë: Gruaja muslimane e ruan zemrën e saj prej dyshimeve dhe epsheve, syrin e saj prej haramit, veshin e saj prej muzikës dhe gjërave të turpshme, të gjitha gjymtyrët e saj prej thyerjes së ligjit të Allahut azze ue xhel dhe e di se kjo është devotshmëria. Përcillet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në një hadith të vërtet ka thënë: “Turpërohuni prej Allahut azze ue xhel më turp të vërtet, se kush turpërohet prej Tij me turp të vërtet, e mbron kokën e tij dhe vetëdijen, barkun dhe çka ka në të, dhe kush e kujton pleqërinë i harron kënaqësitë e kësaj bote”. (Tirmidhiu).
Këshilla e dhjetë: Gruaja muslimane nuk i kalon ditët dhe netët e saja në gjëra të kota, e ruan kohën e saj dhe e shfrytëzon në të mirë. Nuk është përgojuese, bartëse fjalësh, ofenduese, e papërqendruar e neglizhente: Allahu azze ue xhel ka thënë: “Largohuni nga ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrim e që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote.!” Enam 70., dhe thotë për një popull që e humbë jetën e tyre duke e kaluar në gjëra të kota: “Kur Ora(e Kiametit) t’u vijë papritur, ata do të thërrasin: “Të mjerët ne, sa shumë që e kemi neglizhuar (Kiametin) në jetën e Tokës!” dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!” Enam 31.
Përktheu: Irfan Jahiu