Projekti francez për të plaçkitur Londrën

Më të lexuarat

Delegati i City (qendra financiare në Londër) në Bashkimin Evropian (BE), në një raport dërguar Parlamentit dhe qeverisë britanike, lëshon alarmin se “në Francë, të gjithë institucionet bankare dhe Qeveria e Macron-it duan të shkatërrojnë financën e Mbretërisë së Bashkuar”.

Franca u ka bërë të qartë përfaqësuesve të City-të të Londrës, se do të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të ‘plaçkitur’ ekonominë britanike dhe sabotuar financën e lartë londineze, falë BREXIT-it.
Kjo ka dalë nga një raport zyrtar i përfaqësuesit të City-të në BE, Jeremy Broune, zbuluar nga ‘Daily Mail’.
Sipas Broune, institucionet më të larta financiare, në marrëveshje me Qeverinë e re në Paris, kanë një objektiv të vetëm, dhe ai është që t’i marrin vendin City-të dhe të ndëshkojnë Mbretërinë e Bashkuar, për daljen nga BE.
Takimi i dërguarit të City-të në Francë me bankierë, politikanë, financierët dhe përfaqësues të qeverisë, i ka bërë të qartë qeverisë britanike dhe bankierëve britanikë, atë që është bërë e ditur tashmë në disa deklarata nga kontinenti, pra që interesi i Evropës në sektorin e financës së lartë, tani që është mbërritur në këtë pikë të BREXIT është që të mund të fitojë sa më shumë të jetë e mundur, nga përjashtimi i City-të të Londrës prej qarqeve financiare dhe ekonomike evropiane.
Mesazhi i Broune për ministrat britanikë dhe anëtarët e Parlamentit është shumë i qartë. Në të thuhet se “Franca e Macronit i ka shpallur luftë të hapur ‘Square Mile’ të Londrës dhe paralajmëron se institucionet franceze – “janë shumë të qartë në qëllimin e tyre: dobësimin e Britanisë dhe asgjësimin e Londrës”.
Përveç kësaj, thuhet në raport, Broune kishte mbetur veçanërisht i impresionuar nga takimi me delegatët e Bankës së Francës, që i dërguari i City-të e ka quajtur “më të keqin që pata kudo në BE. Ata janë në mbështetje të një hard-BREXIT. Ata duan shkatërrimin dhe shpërbërjen e shërbimeve financiare britanike”.
Për të konfirmuar këtë, përsëri sipas Broune, shërbejnë zbulimet se sipërmarrësit më të mëdhenj francezë kanë shkuar në Londër, kohët e fundit, duke ofruar shuma të mëdha parash për kompanitë me bazë në kryeqytet, që të sigurojnë zhvendosjen e tyre në Paris, duke braktisur kështu City-në. Një sistem i mirëpritur dhe i mbështetur nga qeveria Macron, dhe që është pasojë e asaj që ka deklaruar ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, i cili ka pohuar në mënyrë të përsëritur idenë që BREXIT do të ishte ‘një shans i madh për Francën’.
Në mënyrë që të përforcojë konceptin e shprehur në memorandumin e dërguar Qeverisë dhe parlamentit të Madhërisë së Saj, Broune thotë se “Franca nuk mund të jetë më e qartë. Institucionet franceze e shohin Britaninë dhe City-n e Londrës si kundërshtarë, jo si partnerë”. Memorandumi sugjeron se vendet e tjera të BE-së do të donin të ruanin marrëdhënie të mira me Britaninë e Madhe në lidhje me BREXIT-in, por janë veçanërisht të alarmuar nga sjellja armiqësore e Francës dhe janë shfaqur të pafuqishëm – ose jo të disponueshëm – për të ndaluar synimet armiqësore të Parisit.
Synime armiqësore që e bëjnë të dukshme, me fillimin e raundit të dytë të bisedimeve për BREXIT, se çfarë e pret Londrën në të ardhmen e afërt. Por mbi të gjitha kanë vënë në gjendje alarmi parlamentarët britanikë, të shqetësuar se shërbimet financiare të City-të janë një nga pasuritë kryesore të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë në arkën e shtetit rreth 66 miliardë paund në vit, vetëm prej taksave të shërbimeve, të cilat përbëjnë pak a shumë gjysmën e shpenzimeve publike në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar. Për këtë arsye, qeveria britanike duhet të jetë e kujdesshme në temën e financave, për shkak se nuk është vetëm një problem humbje vendesh pune dhe shtysë e madhe për ekonominë e Londrës, por edhe një burim i rëndësishëm për të gjithë sistemin financiar në Mbretërinë e Bashkuar.
Raporti denoncon atë që në të vërtetë ishte e dukshme qysh prej ditëve të para të BREXIT. Zemërimit të Evropës, në vijim të votës së referendumit që sanksionoi vullnetin e popullit për daljen nga Be, tashmë i është shtuar një ndjenjë e re revanshi.
Nëse në fillim BE donte vetëm të ndëshkonte Londrën për këtë lëvizje, tani do që të fitojë. Në këtë kuptim, ardhja në pushtet e Macron-it përfaqëson një të dhënë shumë shqetësuese për Qeverinë e May, sepse Presidenti francez përfaqëson pikërisht atë botë të financës së lartë, që tani gjendet në krye të frontit pro hard-BREXIT pa asnjë mundësi kompromisi. /Bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit