Shembuj nga urtësia e Pejgamberit ﷺ

Më të lexuarat

Pejgamberi Muhammed ﷺ ishte njeriu më i urtë, më i mëshirshëm dhe më largpamës. Ai nuk udhëhiqej nga emocionet e çastit, por nga urtësia, mëshira dhe synimi për t’i udhëzuar njerëzit drejt së vërtetës. Në jetën e tij gjejmë shumë shembuj që tregojnë madhështinë e moralit dhe urtësisë së tij.

1. Urtësia në Taif – shpresa në vend të hakmarrjes

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e pyeti Pejgamberin ﷺ:

“A ka ardhur mbi ty ndonjë ditë më e vështirë se dita e Uhudit?”

Ai ﷺ përmendi ngjarjen e Taifit, kur banorët e atij qyteti e refuzuan, e fyen dhe nxitën fëmijët e tyre që ta gjuanin me gurë derisa iu gjakosën këmbët.

Në atë gjendje të rëndë, Allahu i dërgoi Xhibrilin dhe me të engjëllin e maleve, i cili i tha:

“Nëse dëshiron, do t’i bashkoj mbi ta dy malet.”

Ishte momenti kur shumë njerëz do të kërkonin hakmarrje. Mirëpo Pejgamberi ﷺ tha:

“Jo. Unë shpresoj që Allahu të nxjerrë nga pasardhësit e tyre njerëz që do ta adhurojnë Allahun Një dhe nuk do t’i bëjnë shirk Atij.”

Kjo është urtësi e jashtëzakonshme. Ai nuk shikoi vetëm gjendjen e momentit, por të ardhmen. Nuk mendoi për shkatërrimin e njerëzve, por për udhëzimin e tyre.

2. Urtësia në Marrëveshjen e Hudejbijes

Kur u shkrua marrëveshja e Hudejbijes, kurejshët kundërshtuan shkrimin:

“Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim”

dhe kërkuan të shkruhej:

“Bismike Allahumme.”

Po ashtu kundërshtuan shkrimin:

“Muhammedi, i Dërguari i Allahut”

dhe kërkuan:

“Muhammedi, biri i Abdullahut.”

Shumë sahabë e konsideruan këtë si lëshim të madh dhe e ndien veten të rënduar.

Por Pejgamberi ﷺ pranoi këto ndryshime, duke thënë:

“Pasha Allahun, unë jam i Dërguari i Allahut, edhe nëse ju më përgënjeshtroni.”

Ai e dinte se thelbi i çështjes nuk ishte një formulim në letër, por interesi më i madh i Islamit. Më vonë u bë e qartë se Hudejbija ishte një fitore e madhe për muslimanët.

Kjo na mëson se njeriu i urtë ndonjëherë heq dorë nga diçka dytësore për të arritur një dobi më të madhe.

3. Urtësia në edukimin e beduinit

Një beduin hyri në xhami dhe filloi të urinonte në një cep të saj.

Sahabët u zemëruan dhe deshën ta ndalonin menjëherë.

Por Pejgamberi ﷺ tha:

“Mos e ndërprisni, lëreni.”

Pasi ai mbaroi, Pejgamberi ﷺ e thirri me butësi dhe i tha:

“Këto xhami nuk janë për urinim dhe papastërti. Ato janë për përmendjen e Allahut, namazin dhe leximin e Kuranit.”

Pastaj urdhëroi që mbi vendin të hidhej një kovë me ujë.

Imam Neveviu shpjegon se kjo urtësi kishte dy dobi:

* Nëse do t’i ndërpritej urinimi, ai do të dëmtohej fizikisht.
* Papastërtia do të përhapej në vende të tjera të xhamisë dhe në rrobat e tij.

Përveç kësaj, sjellja e butë e Pejgamberit ﷺ bëri që ai njeri të mësonte dhe të pranonte të vërtetën pa u poshtëruar.

Mësime nga këto shembuj

* Urtësia është vendosja e gjërave në vendin e duhur.
* Mëshira dhe falja shpesh japin rezultate më të mira se hakmarrja.
* Duhet të shikojmë pasojat afatgjata dhe jo vetëm emocionet e momentit.
* Edukimi i njerëzve kërkon butësi, durim dhe mirëkuptim.
* Interesi i përgjithshëm duhet të ketë përparësi ndaj interesit personal.

Këto shembuj tregojnë se Pejgamberi ﷺ nuk ishte vetëm mësues i fesë, por edhe shembulli më i lartë i urtësisë, largpamësisë dhe mëshirës për njerëzimin. Allahu e lavdëroi atë duke thënë:

﴿ وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ ﴾

“Dhe vërtet, ti je në një moral madhështor.”

(Sure El-Kalem, 4)
Solli për ju Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit