1.2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Erdogan për “Top Channel”: FETO rrezikon Shqipërinë, ju lutem qëndroni të bashkuar!

Më të lexuarat

Në një intervistë ekskluzive për kanalin shqiptar “Top Channel”, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi se organizata terroriste gyleniste (FETO) është rrezik për Shqipërinë dhe apeloi që shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të hënën në mbrëmje se duhet të respektohet integriteti territorial i Ballkanit.

Kreu i Shtetit turk dha një intervistë ekskluzive për kanalin shqiptar “Top Channel”.

Ai u ndal fillimisht mbi zgjedhjet legjislative, që do të mbahen këtë fundjavë në Shqipëri.

“Zgjedhjet në Shqipëri do të shënojnë fillimin e një epoke të re dhe unë besoj se shqiptarët do t’i hapin rrugën një procesi, i cili do të fuqizojnë të ardhmen e tyre”, tha lideri turk.

“Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri janë të një thellësie gati-gati të pashoqe mes vendeve të tjera. Shqipëria është një vend unik me shumëllojshmëri fetare e kulturore dhe në këtë aspekt ka një respekt reciprok mes myslimaneve dhe të krishterëve. Kjo bashkëjetesë në këtë drejtim është një pasuri dhe unë lutem shpesh që kjo të mbështetet edhe më tej nga Shqipëria”, theksoi Presidenti Erdogan.

Më tej, kreu i Shtetit të Turqisë vuri në pah se vendi i tij është i vendosur të ofrojë çdolloj mbështetjeje për Shqipërinë sa herë që duhet, pasi, sipas tij, Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Ballkan.

“Shqipëria është burim solidariteti. Për sa i përket ruajtjes së stabilitetit, mendoj se Shqipëria luan një rol thelbësor. Stabilitet i Ballkanit është shumë i rëndësishëm, prandaj një vend që ka këtë rol domethënës në Ballkan nuk duhet të ketë asnjë dobësi, ndryshe ne do të shqetësoheshim shumë për Ballkanin”, u shpreh ai.

Erdogan qëndroi në vijim mbi pretendimet rreth nismave për të bashkuar Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën në një shtet të vetëm shqiptar.

“Nuk është ajo që do të donim të mendonim. Çdo vend duhet ta vlerësojmë në kushtet e tij gjeografike. Ndërhyrje si ato që kemi parë në histori janë të gabuara. Çfarëdo që po ndodh në Lindjen e Mesme, në Irak, Siri, ne i shohim pasojat e këtyre ndërhyrjeve në portat tona dhe nuk duam të shikojmë ndërhyrje të ngjashme në Ballkan. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet njëherë e përgjithmonë. Këtë mbrojmë ne dhe kështu duhet të jetë”, tha Presidenti Erdogan.

Pasi nënvizoi se aplikimi i sistemit të Dejtonit nuk solli atë që pritej në Bosnjë-Hercegovinë dhe se dallimet janë pasuri e burim mirëqenieje, Erdogan tërhoqi vëmendjen se ky është një parim themelor që duhet të mbrohet dhe se “Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina do të përfitojnë të gjitha nga kjo”.

Ai gjithashtu u drejtoi një thirrje shqiptarëve, që do të zgjedhin vendin e tij për të kaluar pushimet, duke potencuar se ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë ka lidhje historike shumë të forta.

Pjesë e intervistës së Presidentit Erdogan për televizionin privat shqiptar, “Top Channel”, ishte edhe strukturimi në Shqipëri i organizatës terroriste gyleniste (FETO). Ai vuri theksin mbi paralajmërimet drejtuar autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje dhe shtoi: “Ju lutem, mos i dërgoni kurrsesi fëmijët tuaj në shkollat e FETO-s! I dashur miku im Edi Rama, ju lutem të mos kini më besim në këto shkolla, por të kontaktoni ato të Fondacionit Maarif, të themeluara nga Ministria turke e Arsimit, sepse ato nuk do ta viktimizojnë rininë shqiptare dhe do ta edukojnë në mënyrën më të mirë.”

Në vijim, Erdogan tërhoqi vëmendjen mbi kërcënimet dhe rreziqet, që mund t’i kanosen Shqipërisë nga organizatës terroriste gyleniste.

“FETO-ja u kthye në një rrezik për Turqinë dhe unë do të jem shumë i qartë në këtë drejtim: Shqipëria është një vend i vogël, me popullsi të vogël dhe ata mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh. Sepse qëllimi i tyre më i madh është të tërheqin fëmijët e familjeve të shëndosha dhe t’i arsimojnë e rrisin në shkollat e tyre në një mënyrë të atillë që të indoktrinohen dhe infiltrohen në institucionet shtetërore duke rrezikuar kështu shtetin shqiptar, ashtu siç bënë edhe në Turqi. Prandaj nuk duhet t’ua jepni kurrë këtë mundësi. Kjo organizatë terroriste mund të bëhet burim kërcënimi për Shqipërinë dhe mund të jetë tepër vonë. Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga ajo që kemi kaluar ne, sepse ata nuk ia dolën në Turqi. Por mund të bëjnë të njëjtën në Shqipëri, nesër apo pasnesër. Po ju flas si vëlla”, paralajmëroi lideri turk duke tërhequr vëmendjen se një vend me 80 milionë banorë si Turqia u bë objektiv i FETO-s, anëtarët e të cilës janë infiltruar në ushtri dhe polici duke shkaktuar dëme të mëdha.

Presidenti Erdogan e mbylli intervistën sërish me një mesazh për të gjithë shqiptarët: “Ju lutem qëndroni të bashkuar dhe mbajeni Shqipërinë tuajën!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit