Gjërat që e nxjerrin njeriun nga feja islame janë të shumta, mirëpo dhjetë nga to janë më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Ato janë:
1. Shirku në adhurim ndaj Allahut:
Këtu bën pjesë: therja e kurbanit për dikë tjetër përveç Allahut, siç bëjnë ata që therin kurban për xhinët dhe për varre.
Argument për këtë është thënia e Allahut: Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ai me të vërtetë, ka humbur dhe është larguar shumë prej udhës së drejtë.1
2. Ai që merr ndërmjetës mes tij dhe Allahut, i lut ata, kërkon prej tyre ndërmjetësimin dhe u mbështetet atyre del nga Islami njëzëri.
3. Ai që nuk i konsideron mushrikët (politeistët) si jobesimtarë, dyshon në mosbesimin e tyre ose e konsideron besimin e tyre si të vërtetë del nga feja.
4. Ai që beson se ndonjë udhëzim pos udhëzimit të Muhammedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, është më i përsosur a beson se gjykimi i ndokujt tjetër është më i mirë se gjykimi i tij, siç bëjnë ata që parapëlqejnë gjykimet e tagutëve2 ndaj gjykimit të Pejgamberit Muhamed është kafir (jobesimtar).
5. Ai që urren diçka me të cilën ka ardhur i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, bën kufër (del nga feja), edhe po qe se ai vepron sipas saj.
6. Ai që tallet me diçka që i takon fesë së Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ose me shpërblimin a ndëshkimin e ndonjë vepre bën kufër (del nga feja).
Argument për këtë është thënia e Allahut: Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).3
7. Magjia.
Në të bën pjesë shndërrimi nga dashuria në urrejtje dhe anasjelltas4. Andaj, kushdo që bën magji ose është i kënaqur me magji del nga feja.
Argument për këtë është thënia e Allahut: Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar a duke ushtruar magjinë)!”5
8. T’i ndihmosh jobesimtarëve kundër muslimanëve.
Argument për këtë është thënia e Allahut: O besimtarë! Mos i bëni miq e mbrojtës hebrenjtë dhe të krishterët! Ata janë mbrojtës të njëri-tjetrit. Kushdo prej jush që i bën ata miq, është me ata. Vërtet, Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë keqbërësit.6
9. Ai që beson se ndokush mund të dalë jashtë suazave të sheriatit të Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, është kafir (jobesimtar).
Argument për këtë është thënia e Allahut: Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.7
10. T’ia kthesh shpinën fesë së Allahut, duke mos e mësuar atë dhe duke mos punuar sipas saj.
Argument për këtë është thënia e Allahut: Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden shpalljet e Zotit të tij, nuk ua vë veshin atyre? Vërtet, Ne do të hakmerremi ndaj keqbërësve!8
Vërejtje:
E para: Në të gjitha këto vepra që e nxjerrin njeriu nga feja nuk bëhet dallim mes atij që i vepron ato qëllimisht, atij që i vepron duke bërë shaka e as atij që i bën nga frika, përveç atij që është i detyruar.
E dyta: Këto vepra janë nga veprat më të rrezikshme që nxjerrin njeriun nga feja dhe njëkohësisht ndodhin më së shpeshti, andaj muslimani duhet të ruhet prej tyre dhe të ketë frikë nga rënia në to.
Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
1. Sureja en-nisa 16.
2. Çdo kush që adhurohet përveç Allahut dhe është i kënaqur me atë adhurim.
3. Sureja et-teube 65, 66.
4. Duke bërë që burri që e do gruan e tij ta urrejë atë ose anasjelltas dhe burri që nuk e do gruan e tij ta dojë atë ose anasjelltas (përkthyesi).
5. Sureja el-bekare 102.
6. Sureja el-maide 51.
7. Sureja al-Imran 85.
8. Sureja es-sexhde 22.