1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Pesë shtete arabe ndërpresin marrëdhëniet me Katarin

Më të lexuarat

Arabia Saudite ka akuzuar Katarin për mbështetje të grupeve terroriste dhe promovim të grupeve terroriste në media dhe për mbështetje ndaj militantëve të Lëvizjes Husi në Jemen

RIJAD (AA) – Pesë shtete arabe, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA, Bahreini, Egjipti dhe Jemeni kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për destabilizimin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite të publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve njoftohet për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin për shkaqe të sigurisë kombëtare të vendit dhe për mbylljen e kufirit detar dhe atij ajror.

Në deklaratë, Arabia Saudite ka akuzuar Katarin për mbështetje të grupeve terroriste dhe promovim të grupeve terroriste në media dhe për mbështetje ndaj militantëve të Lëvizjes Husi në Jemen, me çka, siç thuhet në deklaratë, ky vendim në të njëjtën kohë është marrë “në solidarizim me shtetin vëllazëror Bahreinin pasi Katari mbështeti aktivitetet terroriste në Bahrein”.

Sipas deklaratës, shtetasve të Arabisë Saudite u është ndaluar udhëtimi dhe qëndrimi i vazhdueshëm në Katar, ndërsa shtetasve të Katarit u është ndaluar hyrja në vend dhe përdorimi i aeroporteve për transit.

Ndërkaq, shtetasve të Katarit që veçmë ndodhen në Arabi Saudite u është kërkuar që brenda 14 ditësh ta braktisin vendin, ndërsa, siç njoftohet, ndërprerja e marrëdhënieve nuk do të ndikojë tek ata që udhëtojnë për kryerjen e Haxhit dhe Umres.

Në ndërkohë, në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të EBA-ve publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve ENA, theksohet se EBA-të mbështesin vendimin e Bahreinit dhe Arabisë Saudite për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin dhe se edhe EBA-të ndërpresin të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

Siç bëhet e ditur, autoritetet e vendit u kanë dhënë afat prej 48 orësh diplomatëve të Katarit për ta braktisur vendin, kurse shtetasit duhet ta lëshojnë atë në afat prej 14 ditësh.

Ndërkaq, edhe Bahreini, siç kanë njoftuar autoritetet e tyre, ka thirrur prapa misionet diplomatike në Doha dhe ka kërkuar nga diplomatët e Katarit në vend që brenda 48 orëve ta braktisin shtetin.

Nga ana tjetër, edhe autoritetet e Egjiptit njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, për arsye të, siç thuhet, “qëndrimeve armiqësore”.

Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit thuhet se “Katari përhap ideologjinë e Al Kaedës dhe DEASH-it, mbështet organizatat terroriste në Gadishullin e Sinait dhe ndërhyn në punët e brendshme të Egjiptit dhe shteteve arabe”.

Tensionet diplomatike midis vendeve u përshkallëzuan pas hakimit të agjencisë zyrtare të lajmeve Katar, QNA, në të cilën u publikuan informacione “kundër SHBA-ve dhe pro-Iranit”, të cilat iu atribuuan Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Edhe pse autoritetet e Katarit menjëherë kishin dalë me deklaratë për të njoftuar për sulmin kibernetik ndaj QNA-së dhe për të përgënjeshtruar deklaratat e plasuara, mediat e Arabisë Saudite dhe EBA-ve vazhduan të përdorin deklaratat e atribuuara Al Thanit.

Katari përjashtohet nga Koalicioni Ndërkombëtar në Jemen

Merr fund roli i Katrit në Koalicionin Ndërkombëtar të kryesuar nga Arabia Saudite kundër Lëvizjes Husi në Jemen, njofton Komanda e Koalicionit.

Siç thuhet në njoftimin e koalicionit të publikuar në agjencinë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite SPA, Koalicioni Ndërkombëtar ka marrë vendim për përjashtimin e Katarit nga koaliconi “për arsye të fuqizimit të terrorizmit në Jemen dhe për marrëdhëniet e tyre me milicët puçistë”.

“Komanda e Koalicionit, e themeluar për mbështetjen e legjitimitetit në Jemen, ka marrë vendim që Katari, i cili ka vepruar kundër parimit të koalicionit për luftën kundër terrorizmit, të përjashtohet nga koalicioni për shkak të forcimit të terrorizmit në Jemen, Al Kaedës dhe DEASH-it, dhe për marrëdhëniet e tyre me milicët puçistë”, thuhet në njoftim.

Paraprakisht, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan për ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin.

Tensionet diplomatike midis vendeve u përshkallëzuan pas hakimit të agjencisë zyrtare të lajmeve Katar, QNA, në të cilën u publikuan informacione “kundër SHBA-ve dhe pro-Iranit”, të cilat iu atribuuan Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani.

Edhe pse autoritetet e Katarit menjëherë kishin dalë me deklaratë për të njoftuar për sulmin kibernetik ndaj QNA-së dhe për të përgënjeshtruar deklaratat e plasuara, mediat e Arabisë Saudite dhe EBA-ve vazhduan të përdorin deklaratat e atribuuara Al Thanit.

Edhe në vitin 2014, Bahreini, Arabia Saudite dhe EBA-të kishin akuzuar Katarin për ndërhyrje në punët e brendshme, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.

Edhe Jemeni ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Katarin

Pas Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinit dhe Egjiptit, edhe qeveria e Jemenit ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Jemenit, SABA, në njoftimin e qeverisë bëhet e ditur ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, ndërsa Katari akuzohet për “marrëdhëniet me milicët puçistë”, akuzë kjo me të cilën, siç thuhet, e mbështesin edhe shtetet që përkrahin qeverinë legjitime në Jemen.

Në deklaratë po ashtu është mbështetur edhe vendimi për përjashtimin e Katarit nga koalicioni ndërkombëtar i krijuar kundër Lëvizjes Husi në Jemen.

Paraprakisht, Arabia Saudite, EBA-të, Bahreini dhe Egjipti njoftuan për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, ndërsa nga Komanda e Koalicionit Ndërkombëtar në Jemen bënë të ditur se Katari është përjashtuar nga ky koalicion.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit