Trashëgimia e dijes: lindja e një ummeti dhe ripërtëritja e fesë dhe besimit

Më të lexuarat

Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve. Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinar e as dirhem; ata lanë vetëm dijen. Kush e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe.”
(Transmetuar nga Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe të tjerë; hadithi është vlerësuar i saktë nga Albani)

Ky hadith përmban shumë dobi dhe të vërteta:

1. Tregon pozitën e lartë të dijetarit dhe se ai është trashëgimtari i ligjshëm i çdo pejgamberi të dërguar te populli i tij. Trashëgimia e pejgamberëve është dija, dhe trashëgimtarët e kësaj trashëgimie janë dijetarët. Kjo është një tregues i qartë për vlerën e dijes dhe pozitën e lartë të dijetarëve.

2. Ajo që trashëgohet nga pejgamberët është dija me themelet, të vërtetat dhe qëllimet e saj; me fjalët dhe kuptimet e saj; me argumentet dhe çështjet e saj; si dhe me etikën dhe sjelljen që e shoqërojnë.

3. Trashëgimia e pejgamberëve nuk fitohet përmes prejardhjes familjare, por përmes përpjekjes, mësimit dhe mundit. Ajo është një trashëgimi fetare e plotë, që nuk lidhet me origjinë, famë apo pozitë shoqërore, por vetëm me dijen fetare, mjetet e saj dhe synimet e saj.

4. Trashëgimia kalon te më i afërti; dhe më të afërtit e ummetit në lidhje me fenë janë dijetarët. Çdo dijetar merr pjesën e tij nga kjo trashëgimi sipas afërsisë së tij me metodën e pejgamberëve në dije, kuptim, fikh dhe urtësi. Pjesa e secilit dijetar është në përpjesëtim me afërsinë e tij me Pejgamberin ﷺ në zbatim, pasim, dije dhe urtësi.

5. Qëllimi i kësaj trashëgimie është dyfishtë:
– mbajtja, ruajtja, kuptimi dhe zbatimi i dijes;
– përhapja, kumtimi dhe mbrojtja e saj.
Prandaj kjo trashëgimi është njëkohësisht përgjegjësi dhe nder, dije dhe veprim, përkushtim dhe obligim.

6. Dijetarët kanë theksuar se fakti që dijetari është trashëgimtar nënkupton se ai zë vendin e Pejgamberit ﷺ në ummet në lidhje me përhapjen, shpjegimin dhe ruajtjen e dijes, pa e fshehur dhe pa e shtrembëruar atë.

7. Nga ky hadith vërehen tipare të përsosmërisë: trashëgimlënësit janë pejgamberët, trashëgimtarët janë ata që e realizojnë dijen dhe besimin, ndërsa trashëgimia është dija e plotë. Prandaj kush është trashëgimtar i vërtetë në këtë kuptim, ka marrë një pjesë të madhe dhe një begati të bollshme.

8. Jo çdo njeri që i atribuohet dijes është domosdoshmërisht trashëgimtar i pejgamberëve. Ashtu si trashëgimia familjare ka pengesa, edhe trashëgimia e dijes nga pejgamberët ka pengesa. Mund të ndodhë që dikush në fillim të jetë trashëgimtar, por më pas të pengohet plotësisht ose pjesërisht nga arritja e plotë e saj. Për këtë arsye, dijetarët e sinqertë dhe të devotshëm janë përpjekur vazhdimisht t’i largojnë këto pengesa, duke e ditur se shumë prej tyre lidhen me zemrën, qëllimin, vullnetin, përkushtimin dhe nijetin.

9. Një hollësi e rëndësishme e këtij hadithi madhështor është se Pejgamberi ﷺ nuk e ka kufizuar trashëgiminë me kohë, vend apo persona të caktuar, por me cilësi. Kjo trashëgimi vazhdon deri në Ditën e Kiametit, për sa kohë ekziston dijetari dhe trashëgimia është dija.

10. Kjo është një mesazh për dijetarët e qëndrueshëm dhe thirrësit e sinqertë se kriteri i thirrjes dhe vlera e ummetit maten me trashëgiminë dhe transmetimin nga një brez te tjetri. Nëse trashëgohet dija fetare me themelet, kuptimin dhe etikën e saj, dhe nëse kalon kuptimi, fiku dhe urtësia nga një brez te tjetri, atëherë jemi në mirësi dhe fitim të madh. Por nëse trashëgohet vetëm dëshira për rivalitet, garë për udhëheqje dhe polemikë mendore, atëherë jemi në humbje dhe privim.

Prandaj nevojitet rishikim dhe vetëllogaritje.
Nevoja më e madhe e kësaj kohe është puna për trashëgiminë e dijes së pejgamberisë, sepse jetojmë në kohë varfërie, jo pasurie.

Allahu është pas qëllimit.

Shejh Fethi el-Mosili – Allahu e begatoftë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit