“Fjalë me peshë” – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Allahu e ka cilësuar Kuranin në suren el-Muzemil “fjalë me peshë të rëndë”, për shkak të madhështisë së tij, barrës së përgjegjësisë që ai përcjell, vështirësisë me të cilën e përjetonte atë Profeti (alejhi salatu ue selam) kur ai zbriste, shpërblimin që ka zbatimi i tij në Ahiret… etj.

Një nga dimensionet kuptimore të kësaj fjale është se dija që Kurani përcjell nuk është e lehtë për t’u kuptuar dhe përvetësuar.

Ibn Ashuri (rahmet pastë) në komentin e tij të Kuranit thotë për këtë aspekt të Kuranit:

“Metafora e peshës së fjalës është përdorur për shkak të përfshirjes në të të kuptimeve të shumta, që kërkojnë dije dhe mprehtësi shqyrtimi, dhe kjo për shkak të plotësisë së udhëzimit dhe bollëkut të domethënieve të tij (Kuranit). El-Ferra ka thënë: “E rëndë” (thekilan), në kuptimin që nuk është fjalë e cekët.”
Mjafton për ty të dish se ai (Kurani) përmban njohuri dhe dije të tilla që mendja nuk mund t’i përfshijë plotësisht. Sa shumë janë zhytur në kuptimet e tij dijetarët; prej juristëve, teologëve, oratorëve, gjuhëtarëve dhe urtarëve! Ai (Kurani) i ngjan diçkaje të rëndë, për shkak se asnjë individ i vetëm nuk është në gjendje ta përvetësojë i vetëm tërësinë e kuptimeve të tij.”

Ibn Kajimi (rahmet pastë) duke folur për rëndësinë e fetvasë në إعلام الموقعين citon Imam Malikun (rahmet pastë) të ketë thënë: “Nuk e di”- për një pyetje që i bëri dikush. Ndërkohë atij i thanë: “Kjo është një çështje e lehtë dhe e thjeshtë.” – Ai u zemërua dhe tha: “Nuk ka asgjë të lehtë në dije! A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ne do të të shpallim ty një fjalë të rëndë” (el-Muzemil: 5)? E gjithë dija është e rëndë, e posaçërisht ajo për të cilën do të pyetesh në Ditën e Kiametit.”

Ndërkohë dikush mund të konfuzohet këtu, duke thënë se feja e Zotit është e lehtë dhe e thjeshtë për t’u përcjellë, sepse Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Përcillni nga unë qoftë edhe një ajet.”! Por, në fakt këtu nuk ka në realitet asnjë kundërshti, sepse ka dallim të madh mes ftesës së njerëzve në fe, e përcjelljes së një ajetit apo hadithi, ashtu siç ka ardhur, dhe dhënies së fetvasë, që orienton njerëzit sesi duhet të veprojnë për çështje dhe situata të caktuara. T’i ftosh njerëzit tek Allahu, adhurimi i Tij dhe rruga drejt Xhenetit, është vepër që mund ta bëj shumëkush nga besimtarët, me aq sa di dhe ka mundësi dhe nuk kërkon domosdoshmërisht një dije të madhe. Por të flasësh në emër të Zotit e të fesë, të japësh fetva dhe orientime për individët e aq më tepër për një bashkësi të tërë besimtarësh, kjo është barrë tepër e rëndë dhe kërkon dije e cila është e rëndë dhe e vështirë për t’u marrë dhe përvetësuar.

Ibn Kajimi në librin që cituam më sipër thotë:

“Kush jep fetva për njerëzit pa qenë i aftë për të dhënë fetva, është mëkatar dhe i pabindur (ndaj Allahut). E kushdo prej autoriteteve që e lejon atë të vazhdojë në këtë gjendje, është gjithashtu mëkatar. Ebul Ferexh Ibnul Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Detyra e autoritetit është ta ndalojë një të tillë, ashtu siç vepruan Beni Umeje. Të tillët janë si ai që udhëzon udhëtarët, por nuk njeh rrugën; si i verbëri që u tregon njerëzve kahun e kibles; si ai që nuk njeh mjekësinë, por merret me kurimin e njerëzve. Madje ky është më keq se të gjithë këta. E nëse është detyrë për autoritetin ta ndalojë nga mjekimi atë që nuk e zotëron mjekësinë, atëherë çfarë mund të thuhet për atë që nuk njeh Kuanin dhe Sunetin, dhe nuk ka kuptuar fenë?”

Më pas Ibn Kajimi tregon për shejhun e tij Ibn Tejmijen sesi ai e kishte kthyer veten në një qortues të atyre që jepnin fetva pa dije, duke thënë:
“Dhe shejhu ynë, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte shumë i ashpër në kundërshtimin ndaj këtyre (që japin fetva pa dituri). E kam dëgjuar të thotë:
“Më tha njëri prej tyre: ‘A mos je vënë mbikëqyrës i fetvasë?!’ I thashë: ‘Paska mbikëqyrës për bukëpjekësit dhe për kuzhinierët, e të mos ketë për çështjen e fetvasë?!’”

Ibn Kajimi citon hadithe të ndryshme dhe thënie të selefëve për këtë çështje ku do të veçoja duke e përmbyllur:

Ebul Husejn el-Ezdi ka thënë:
“Njëri prej tyre jep fetva për një çështje, që sikur t’i vinte Umer ibn Hatabit, do të kishte mbledhur për të pjesëmarrësit e Bedrit.”

U pyet el-Kasim ibn Muhamedi për diçka, dhe tha: “Unë nuk e di.” E pyetësi i tha: “Erdha te ti, sepse nuk njoh tjetër përveç teje.” Kasimi i tha: “Mos shiko gjatësinë e mjekrës sime dhe shumësinë e njerëzve përreth meje. Pasha Allahun, unë nuk e di.”

Atëherë një burrë plak nga Kurejshët që ishte ulur pranë tij tha:
“O bir i tim vëllai, përmbaju këtij (qëndrimi), sepse pasha Allahun, nuk të kemi parë ndonjëherë më fisnik në një mexhlis sesa sot.”
Kasimi tha: “Pasha Allahun, që të më pritet gjuha është më e dashur për mua, sesa të flas për diçka që nuk kam dije për të.”

 

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit