19.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Nata e Kadrit – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Nata e Kadrit është prej netëve që e dallon këtë muaj të bekuar të Ramazani. Vlera e saj është shumë e madhe, andaj edhe ia shton edhe më shumë vlerën këtij muaji me shumë vlera.
Është quajtur Nata e Kadrit, sepse Allahu, azze ve xhel-le, në këtë Natë i cakton rizkun, exhelin, gjërat që do të ndodhin, të mirën dhe të keqen, veprat e njerëzve, madje edhe kush do të shkon në haxh.
Ka dijetar që thonë se Nata e Kadrit e ka marrë emrin nga pozita e lartë që ka kjo natë, ose i jep pozitë të lartë atij që ngjallë këtë natë me adhurime, ose sepse veprat që bëhen në këtë Natë kanë pozitë të madhe te Allahu, ose sepse veprat që bëhen në këtë Natë janë më të mirë se veprat që bëhen në një mijë net tjera.
Dikush prej dijetarëve ka thënë se Nata e Kadrit e ka kuptimin e Natës kur sillen vendimet dhe përcaktohen gjërat. (Shiko: “Sherhun e Neveviut të Sahihul-Muslimit”, 8/213, “Fadailul-Evkati”, Të Imam Bejhakiut, fq. 213, “Tefsirin e Begaviut”, 8/485, “Tefsirin e Taberiut”, 24/533 dhe 12/652 dhe “El-Mexhmuu Shehul-Muhedheb”, 6/447 të Imam Neveviut).

Vlera e kësaj nate

Kjo natë ka vlera të mëdha dhe sjell me vete begati të panumërta, mirëpo, fatkeqësisht shumë pak janë ata që përpiqen dhe luftojnë që të pajisen sa ma shumë me mirësitë e kësaj nate.
Ne do ti përmendim disa vlera që ka kjo natë:

1- Është më e mirë se një mijë muaj.
Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
{لَيْلَةُ ٱلْقَدْرِ خَيْرٌ مّنْ أَلْفِ شَهْرٍ} [القدر:3].
“Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”. (El-Kadr: 3).
Domethënë: veprat që bëhen në këtë Natë janë më mirë se ato që bëhen në një mijë muaj tjera. Ose kjo Natë është më e mirë se një mijë muaj, në të cilën nuk gjendet Nata e Kadrit. (Shiko: “Tefsit Taberi”, 24/533).
Dijetarët kanë thënë se një mijë muaj bëjnë tetëdhjetë e tre vjet e tre muaj e gjysmë (83.3 ½). Këtë moshë shumë pak njerëz e arrijnë. Andaj paramendoni atë që e adhuron Allahun në këtë moshë. S’ka dyshim se kjo e bën shumë të dalluar këtë njeri.

2- Zbresin melaqet në këtë Natë.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
{تَنَزَّلُ ٱلْمَلَـٰئِكَةُ وَٱلرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبّهِم مّن كُلّ أَمْرٍ} [القدر:4].
“Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje”. (El-Kadr: 4).
Domethënë në këtë Natë zbresin melaqet dhe me ta zbret Xhibrili, alejhisselam, dhe sjellin me vete urdhrin për të mirë dhe bereqet.
Imam Ibën Kethiri, rahimehull-llah, ka thënë:
“Në këtë natë shtohet zbritja e melaqeve për shkak të shtimit të bereqetit të kësaj Nate. Melaqet zbresin me bereqetin dhe mëshirën, ashtu sikurse zbresin kur lexohet Kur’an, e rrethakojnë grumbullin e njerëzve që e përmendin Allahun dhe i lëshojnë krahët e tyre në shenjë madhërimi dhe respekti për atë që kërkon dijen me të vërtetë”. (“Tefsiri i Ibën Kethirit”, 4/568).

3- Është paqe deri në mëngjes.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
{سَلَـٰمٌ هِىَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ ٱلْفَجْرِ} [القدر:5].
“Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (El-Kadr: 5).
Dijetarët kur e kanë komentuar këtë fjalë kanë thënë mendime të ndryshme, mirëpo ato mund të rumbullakësohen në këtë që vijon:
– Në këtë Natë nuk mund të bën asnjë të keqe dhe asnjë dëm shejtani.
– Melaqet i përshëndesin ata që e madhërojnë Allahun në këtë Natë.
– Në këtë Natë nuk mund të bëhet sihër ose ndonjë sëmundje që zakonisht i bëjnë djalli dhe fallxhorët.
– Mirësia dhe bereqeti.
(Shiko: “Tefsirin e Ibën Ebi Hatimit”, 10/3453), Tefisrin e Ibën Kethirit, 4/568, Tefsirin e Ebi Muadhafer Semeanit, 6/262, “Ahkamul-Kuran” të Kurtubiut, 4/ 1964 dhe “Zadul-Mesir”, të Ibën Xhevziut, 8/287).

1- I falen mëkatet atij që e kalon në namaz.

Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
((من صام رمضان إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدم من ذنبه، ومن قام ليلة القدر إيماناً واحتساباً غفر له ما تقدّم من ذنبه)).
“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresim i falen mëkatet që i ka bërë më herët dhe ai që e kalon Natën e Kadrit me besim dhe shpresim i falen mëkatet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).
Domethënë duke besuar se agjërimi është obligim, duke besuar në shpërblimin e agjërimit dhe namazit, duke e shpresuar me këtë vepër Fytyrën e Allahut dhe duke qëndruar larg nga syefaqësia dhe mburrja.
Kurse Imam Neveviu, rahimehull-llah, duke e komentuar këtë hadith thotë:
“Duke besuar se ky obligim është i vërtetë dhe se me këtë adhurim e synon vetëm Allahun e jo që ta shohin njerëzit ose qëllime tjera që e cenojnë sinqeritetin”. (Shiko: “Sherhu Sahihi Muslimi”, të Imam Neveviut, 6/39).

2- Përcaktimi i rizkut, exheleve dhe përcaktimeve.

Zatën edhe për këtë gjë e ka marrë emrin Nata e Kadrit, sikurse treguam më lartë.
Allahu, subhanehu ve teala, thotë:
{إِنَّا أَنزَلْنَـٰهُ فِى لَيْلَةٍ مُّبَـٰرَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ * فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ} [الدخان:3، 4].
“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë”. (Ed-Duhan: 3-4).
Ibën Abasi, radijAllahu anhu, duke e komentuar këtë ajet e ka thënë një fjalë shumë interesante:
(إن الرجل ليمشي في الناس وقد رُفع في الأموات)
“Njeriu ecë në mesin e njerëzve, mirëpo është regjistruar që të jetë nga të vdekurit”. (shiko: “Tefsiti i Taberiut”, 22/10).
Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, transmeton se Ibën Abasi, radijAllahu anhu, ka thënë:
“Allahu në Natën e Kadrit gjykon për çështjet e dynjasë prej këtij viti deri në vitin e ardhshëm, qoftë kush do të lind, kush do të vdes, për furnizimin, etj. Mirëpo sa i përket faktit se do të jetë fatlum ose fatzi, ajo nuk ndryshon që nga dita kur ka qenë njeriu në bark të nënës”. (Tefsiri i Kurtubiut”, 16/126).

Mospërcaktimi i kësaj dite

Allahu, xhel-le shanuhu, nuk e ka përcaktuar në mënyrë të saktë ditën kur mund të bie kjo natë, për ti nxitur besimtarët që ta kërkojnë vazhdimisht dhe në të gjitha netët e fundit të këtij muaji të bekuar.
Ebu Seid El-Hudriu, radijAllahu anhu, tregon:
اعتكفت مع النبي صلى الله عليه وسلم العشر الأوسط من رمضان، فخرج صبيحة عشرين فخطبنا، وقال: ((إنّي رأيت ليلة القدر ثم أُنسيتها ـ أو نسيتها ـ فالتمسوها في العشر الأواخر في الوتر، وإنّي رأيت أنّي أسجد في ماء وطين، فمن كان اعتكف معي فليرجع))، فرجعنا، وما نرى في السماء قزعة، فجاءت سحابةٌ فمطرت حتى سال سقف المسجد، وكان من جريد النخل، وأقيمت الصلاة، فرأيت رسول الله صلى الله عليه وسلم يسجد في الماء والطين، حتى رأيت أثر الطين في جبهته.
“Ishim në itikaf me Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, në dhjetë ditët e mesme të Ramazanit. Në mëngjesin e ditës së njëzet doli dhe na mbajti një hutbe (ligjëratë) e mes tjerash tha: “E pash Natën e Kadrit dhe e harrova, andaj kërkojeni në dhjetëshin e fundit në netët tek. Pash se atë natë do të bëj sexhde në ujë dhe baltë, andaj ai që bën itikaf me mua le të kthehet”. U kthyem, kurse në qiell nuk kishte re. Na erdhi një re dhe solli shiun saqë rrodhi kulmi i xhamisë, i cili ishte i ndërtuar nga gjethet e hurmave, u thirr ikameti për namaz, e unë pash Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, duke bërë sexhde në ujë dhe baltë, saqë vërejta gjurmët e baltës në ballin e tij”. (Buhariu).

Shkaqet që sollën deri te ngritja e dijes mbi këtë gjë
Duke i analizuar hadithet që flasin mbi këtë gjë na dalin para nesh disa arsye pse është ngritur kjo dije nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
1- Zënka mes dy shokëve të tij.
Ubade ibën Samiti, radijAllahu anhu, thotë:
خرج النبي صلى الله عليه وسلم ليخبرنا بليلة القدر، فتلاحى رجلان من المسلمين، فقال: ((خرجت لأخبركم بليلة القدر، فتلاحى فلان وفلان فَرُفِعَتْ، وعسى أن يكون خيراً لكم، فالتمسوها في التاسعة والسابعة والخامسة)).
“Doli Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, të na tregojë për Natën e Kadrit, e i pa dy musliman duke u grindur mes vete, e tha:
“Dola që tu tregoj për Natën e Kadrit, e filani dhe filani grindeshin mes vete, andaj edhe mu ngrit kjo dije, ndoshta kjo është më mirë për ju, andaj kërkone në natën e njëzet e pesë, njëzet e shtatë dhe njëzet e nëntë”. (Buhariu).
2- Zgjimi i Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, nga ana e grave të veta.
Ebu Hurejre, radijAllahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
((أُرِيتُ ليلة القدر، ثم أيقظني بعض أهلي فنسيتها، فالتمسوها في العشر الغوابر([3])))([4]).
“E pash Natën e Kadrit, pastaj më zgjoi gruaja edhe e harrova, andaj kërkojeni në dhjetë netët e mbetura”. (Muslimi).
Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth këtyre dy rasteve. A ka ndodhur kjo gjë një herë, ose është përsëritur dy herë. Sipas Imam Ibën Haxherit del se kjo ndodhi është përsëritur dy herë. Allahu e di më së miri. (Shiko: “Fethul-Bari”, 4/315).

Mendimet e dijetarëve për përcaktimin e Natës së Kadrit

Dijetarët islam kanë dhënë shumë mendime për përcaktimin e Natës së Kadrit. Aq shumë mendime janë dhënë rreth kësaj nate, saqë Hafidh Ibën Haxheri, rahimehull-llah, i ka numëruar deri në dyzet e gjashtë mendime. (shiko: “Fethul-Bari”, 4/309-319).
Kurse Hafidh Velijudin Irakiu i ka numëruar njëzet e pesë mendime. (shiko: “Sherhus-Sadri bidhikri Lejletul-Kadri”, fq. 25-42).
E disa autor bashkëkohor i kanë numëruar gjashtëdhjet mendime. (Shiko: “Sutuul-Bedri bifadaili Lejletil-Kadri, Ibrahim Hazimi, fq. 69-111).
Imam Kurtubiu, rahimehull-llah, thotë: të gjitha këto mendime janë të dijetarëve të selefit, kurse shkaku i kësaj është divergjenca që gjendet në hadithe, sikur e shihni”. (Shiko: “El-Mufhem”, 3/251).
Dikush ka thënë është gjatë tërë vitit, dikush është vetëm në Ramazan, dikush është në fillim të Ramazanit, dikush në mes të Ramazanit, dikush ka thënë se është nata e parë e dhjetëshit të fundit, dikush nata e njëzet e tre, dikush nata e njëzet e shtatë, dikush nata e njëzet e nëntë, e kështu me radhë.
Mendimin se është nata e njëzet e shtatë e përkrah një numër i madh i sahabeve, prej tyre është Ubej Ibën Kabi, Enes ibën Maliku, Zir ibën Hubejshi, etj.
Imam Ibën Haxher El-Askalani, rahimehull-llah, ka thënë: ky është mendimi i saktë në medhhebin e Imam ahmedit, transmetim nga Ebu Hanifeja, ka qenë i bindur në këtë gjë Ubeji, madje edhe është betuar, sikurse na ka treguar Imam Muslimi. (shiko: “Fet’hul-Bari”, 4/311).
Transmeton Imam Muslimi, rahimehull-llah, nga Zir ibën Hubejshi, kurse ky nga Ubej ibën Kabi, radijAllahu anhuma, i cili ka thënë:
Ubeji tha për Natën e Kadrit: pasha Allahun unë e di dhe se dija më e madhe që kam për natën që na urdhëroi Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ta gjallërojmë është nata e njëzet e shtatë”.

Mendimi më i saktë

Ndoshta mendimi më i saktë është mendimi që thotë se Nata e Kadrit është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, sikurse u përmend në hadithet e lartëcituara, madje rreth këtij mendimi ka edhe konsensus të dijetarëve.
Tregon Ibën Abasi, radijAllahu anhuma: Omeri, radijAllahu anhu, i tuboi shokët e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe i pyeti për Natën e Kadrit, ata ranë në ujdi se është në dhjetë netët e fundit …”. (Shiko: “Mesenef-in” e Abdurezakut, 4/246 dhe “Muhtesar Kijamul-Lejli”, të Imam Merveziut, fq. 123- 124).
Është e pëlqyeshme të kërkohet në netët tek të këtij dhjetëshi të fundit të Ramazanit, kurse kërkimi në natën e njëzet e shtatë është edhe më e pëlqyeshme për shkak të hadithit të Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe betimit të Ubej ibën Kabit, radijAllahu anhu. (Shiko: “Fet’hul-Bari”, 4/413).

A ndërron kjo natë me ndryshimin e vitit?

Përkitazi me këtë çështje ka dy mendime të dijetarëve:
Mendimi i parë: ndërron me ndërrimin e vitit. Të këtij mendimi janë një shumicë e madhe e dijetarëve, prej tyre: Imam Maliku, Sufjan Theuriu, Ahemd Ibën Hanbeli, Is’hak ibën Rahujah, Ebu Theuri dhe të tjerët. Të këtij mendimi janë edhe hanefitë dhe një mendim i shafiitëve. (shiko: “Sherhus-Sadri”, fq. 41, “Ianetut-Talibin”, 2/ 256; “El-Mexhmuu”, 6/ 459 dhe “Fet’hul-Bari”, 4/ 313).
Mendimi i dytë: nuk ndërron, por për çdo vjet vjen në të njëjtën natë. Të këtij mendimi është Ibën Hazmi dhe disa shafiitë. (shiko: “El-Muhala”, 6/ 446 dhe “Hashijetul-Bixhrmi”, 2/478).
Nëse i analizojmë hadithet që flasin për këtë natë del në shesh se mendimi më i saktë është mendimi që flet se Nata e Kadrit lëviz nga një vit në tjetrin.
Imam Ibën Haxheri, rahimehull-llah, thotë:
“Ndoshta mendimi më i saktë është se është në netët tek të dhjetëshit të fundit dhe se ajo lëviz nga një vit në tjetrin, siç nënkuptohet nga hadithet që flasin në këtë kapitull”. (“Fet’hul-Bari”, 4/413).

Urtësia nga mospërcaktimi i kësaj nate në mënyrë të prerë

Duke menduar rreth haditheve që tregojnë dëshirën e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, për të treguar se kur është Nata e Kadrit dhe harresën e kësaj informate, dijetarët kanë thënë se urtësia e kësaj vepre qëndron në:
1- Mos të kapen njerëzit vetëm për këtë nate;
2- Përpjekja në adhurime edhe netëve tjera të Ramazanit.
3- Dallimi i Islamit nga fetë tjera, të cilët mjaftohen me zbatimin e disa simboleve dhe anashkalimin e adhurimit dhe përkushtimit ndaj Allahut në ditët tjera të vitit, gjë që nuk përkon me realitetin e fesë Islame.

Shenjat e kësaj Nate

Ubej ibën Kabi, radijallahu anhu, na rrëfen se i është thënë: Abdullah ibën Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë: kush e kalon tërë vitin në namaz nate e arrin edhe Natën e Kadrit. Atëherë Ubeji, radijallahu anhu, thotë:
والله الذي لا إله إلا هو إنها لفي رمضان، ووالله إني لأعلم أي ليلةٍ هي، هي الليلة التي أمرنا بها رسول الله صلى الله عليه وسلم بقيامها، هي ليلة صبيحة سبع وعشرين، وأمارتها أن تطلع الشمس في صبيحة يومها بيضاء لا شعاع لها
“Pasha Allahun, përveç të cilit nuk ka zot tjetër, kjo natë është në Ramazan dhe pasha Allahun e di se në cilën natë është. Është nata, të cilën duhet na ka urdhëruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ta kalojmë na namaz, është nata e njëzet e shtatë, kurse shenja e kësaj nate është lindja e diellit në mëngjesin e Natës së Kadrit me dritë e pa rreze”. (Muslimi).
Kadi Ijadi, rahimehullah, thotë: Ky hadith mund të kuptohet në dy forma:
Një: Kjo cilësi ka të bëjë vetëm me shenjën e mëngjesit të natës për të cilën ka lajmëruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, se është Nata e Kadrit dhe e bëri argument të asaj nate në atë kohë, e jo se kjo cilësi është e çdo mëngjesi të çdo Nate të Kadrit, sikurse edhe u tregoi se do të bëjë sexhde në ujë dhe baltë.
Dy: Është cilësi e veçantë e secilës Natë të Kadrit. Këtë cilësi të Natës së Kadrit e kanë sqaruar duke thënë se melaqet të cilat ngjiten në qiell ia ndalojnë rrezet diellit, për të cilat na tregon Kurani se ato janë të pranishme deri në agimin e mëngjesit. Allahu e di më së miri!”. (“Ikmalul-Mualim Bifevaidi Muslim”, 3/116).

Çka është e pëlqyeshme të bëjmë në këtë Natë

1- Namazi i Teravisë

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, na rrëfen se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
((من صام رمضان إيماناً واحتساباً غُفر له ما تقدم من ذنبه، ومن قام ليلة القدر إيماناً واحتساباً غُفر له ما تقدم من ذنبه)([2]).
“Ai që agjëron Ramazanin duke besuar dhe shpresuar, i falen gjynahet që i ka bërë më herët. Ai që e kalon Natën e Kadrit në namaz duke besuar dhe shpresuar, i falen gjynahet që i ka bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ebu Seleme ibën Abdurahmani e ka pyetur Aishen, radijallahu anha: si falej Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në Ramazan?
Ajo është përgjigjur: as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, mos pyet se sa mirë e sa gjatë i falte ato. Pastaj i falte edhe katër tjera, mos pyet se sa mirë e sa gjatë i falte ato. Pastaj i falte edhe tre rekate”. (Buhariu dhe Muslimi).
Abdullah ibën Omeri, radijallahu anhu, tha: një njeri e pyeti Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke qenë në minber: si t’ia bëjmë me namazin e natës?
Iu përgjigj duke thënë: falu nga dy rekate, nga dy rekate, e nëse dikush frikohet se ka hyri agimi i mëngjesit le ta fal vitrin si përfundim i asaj që ka falë deri më atë kohë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ska dyshim se udhëzimi më i plotë është udhëzimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, edhe në sasinë edhe në cilësinë.
Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehullah, thotë:
“Namazit të teravisë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk i ka caktuar numër të caktuar, por ai vet as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk falte më shumë se trembëdhjetë rekate, por i zgjaste rekate. E kur i grumbulloi Omeri, radijallahu anhu, sahabet të falen pas Ubej ibën Kabit, ai u falte njëzet rekate dhe në fund ua falte vitrin tre rekate dhe aq sa i shtonte rekate aq edhe i shkurtonte ato, sepse kjo ishte më lehtë për xhematin se zgjatja e një rekatit. Pastaj kishte disa nga myslimanët e parë që falnin nga dyzet rekate dhe në fund i falni tre rekate vitër. Disa të tjerë i falnin nga tredhjet e gjashtë rekate dhe në fund i falnin tre rekate vitër. Krejt kjo lejohet. Cilën do formë që e praktikon myslimani në Ramazan i lejohet. Më e mira dallon me dallimin e gjendjes së xhematit. Nëse mes tyre ka njerëz që e durojnë qëndrimin e gjatë në namaz, atëherë i falë dhjetë rekate dhe në fund i përfundon me tre rekate vitër, ashtu siç falte për vete Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në ramazan dhe jashtë Ramazanit dhe pa dyshim se kjo është forma më e mirë. Por nëse xhemati nuk duron të qëndrojë gjatë në këmbë, atëherë falja e njëzet rekateve është më mirë. Kjo është vepra të cilën e bëjnë shumica e myslimanëve, sepse është mes dhjetë rekateve dhe dyzet rekateve. Nëse i fal dyzet rekate edhe kjo lejohet. Asnjëra prej këtyre formave nuk është e urryer. Për këtë gjë kanë mendime të theksuar shumë imamë, mes tyre Imam zahmedi dhe të tjerët”. (“Mexhmuul-Fetava”, 22/272).

2- Të lutemi ashtu siç na ka mësuar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
((اللهم إنك عفوٌ تحب العفو فاعف عنا))
“Allahumme inneke afuvvun tuhibul-afve fa’fu anna”.
“O Allahu! Ti je Falës e Do faljen, na fal neve”.
Aisheja, radijallahu anha, tha: i thash Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: nëse e kuptoj se cila natë është Nata e Kadrit, si të lutem në këtë natë? I tha: thuaj:
((اللهم إنك عفوٌ كريم تحب العفو فاعف عني))([6]).
“Allahumme inneke afuvun kerimun tuhibul-afve fa’fu anni”.
O Allahu! Ti je Falës dhe Bujar, e Do faljen, më fal mua”. (Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerët).

3- Itikafi.

Abdullah ibën Omeri, radijallahu anhu, tha: Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, bënte itikafin në dhjetëshin e fundit të ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi).
Imam Buhariu, rahimehullah, thotë në librin e tij: “kapitulli që tregon se Itikafi bëhen në dhjetëshin e fundit të Ramazanit dhe se Itikafi bëhet në të gjitha xhamitë…”.
Hafidh ibën Haxher Askalani, rahimehullah, thotë:
“Imam Ahmedi ka thënë: nuk di se dikush prej dijetarëve e kundërshton faktin se kjo vepër është synet”.
4- Ngjallja e kësaj nate me adhurim dhe zgjimi i familjes.

Aisheja, radijallahu anha, na rrëfen se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kur hynte dhjetëshi i fundit i Ramazanit e shtrëngonte rripin, e ngjallte natën dhe zgjonte familjen”. (Buhariu dhe Muslimi).
Shejhul-Islam Ibën Tejmiu, rahimehullah, thotë:
“Kalimi i tërë netëve në namaz, siç është rasti me dhjetëshin e fundit të Ramazanit, ose edhe i ditëve tjera ndonjëherë, është e argumentuar me hadithe. Këtë vepër e bënin edhe sahabet. Është konfirmuar në Sahihun e Buhariut se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur hynte dhjetëshi i fundit e shtrëngonte rripin, e zgjonte familjen dhe e ngjallte tërë natën”. (“Mexhmuul-Fetava”, 22/ 304).
Kastalaniu, rahimehullah, thotë:
“Abdurezaku shtrëngimin e rripit e ka komentu me largim nga marrëdhëniet intime. Këtë mendim e ka transmetuar edhe nga Sufjan Theuriu. Kurse Hatabiu, rahimehullah, ka thënë se qëllimi i kësaj fjale është serioziteti në adhurim. Të tjerët kanë thënë se ka për qëllim edhe shtrëngimin e rripit dhe mos zhveshjen e rrobave, sepse nuk i bie kohë për gjumë, por edhe largimin nga marrëdhëniet intime dhe serioziteti në adhurim.
“E ngjallte natën” d.m.th e kalonte zgjuar dhe në adhurime. Pasi që gjumi është vëlla i vdekjes, atëherë kalimi i natës në pagjumësi është sikur gjallërim.
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e veçonte dhjetëshin e fundit me vepra, të cilat nuk i bënte në pjesën tjetër të muajit, siç është gjallërimi i natës. E kuptimi i kësaj mund të jetë se tërë natën nuk flente ose shumicën e natës”. (shiko: “El-Mevahibu El-ledunijetu”, 4/ 393-394).
5- Larja, parfumimi dhe stolisja.
Këto veprime të përmendura në këtë nëntitull i kanë bërë besimtarët e devotshëm të parë.
Imam Ibën rexhebi, rahimehullah, na tregon për këtë gjë e thotë:
“Ibrahim Nehaiu, rahimehullah, lahej për çdo natë në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, kurse kishte edhe të atillë që laheshin dhe parfumoheshin në netët që shpresonin se në to është Nata e Kadrit. Zir ibën Hubejshi urdhëroi të lahen në natën e njëzet e shtatë të Ramazanit. Na rrëfehet se Enes ibën Maliku, radijallahu anhu, në natën e njëzet e katërt të Ramazanit lahej, parfumohej dhe vishte rroba të bukura dhe kur përfundonte kjo natë i paloste dhe nuk i vishte deri në Ramazanin e ardhshëm.
Hamad ibën Seleme, rahimehullah, na rrëfen se Thabit Bunaniu dhe Humejd Tavili vishnin rrobat më të mira, parfumoheshin dhe parfumonin Xhaminë në netët që shpresonin se në to është Nata e Kadrit.
Tërë këto fakte historike na tregojnë se këto veprime janë të mira në netët në të cilat shpresohet të jetë Nata e Kadrit, ashtu sikur është e ligjshme fetarisht kjo vepër në bajrame, për xhuma dhe për të gjitha namazet, siç na tregon Allahu, azze ve xhel-le, kur thotë:
{خُذُواْ زِينَتَكُمْ عِندَ كُلّ مَسْجِدٍ} [الأعراف:31]
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), …”. (El-A’raf: 31).
Kurse Ibën Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Allahu edhe më shumë meriton t’i stolisemi Atij”.
Stolisja e jashtme nuk mund të jetë e plotë pa stolisjen e brendshme, e kjo bëhet me pendim dhe kthim kah Allahu dhe pastrimi nga llumi i gjynaheve, sepse stolisja e anës së jashtme me shembje të anës së brendshme nuk ban dobi aspak”. (shiko: “Letaiful-Mearif”, fq. 346-347).

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit