Zero efekti i antikorrupsionit

0
44

Që nga paslufta, niveli i korrupsionit vetëm sa po i lëshon rrënjët thellë në Kosovë, dhe nuk po bëjnë punë as dhjetëra mekanizma që janë krijuar për të luftuar këtë fenomen.

Shumë task-forca, agjenci e këshilla kanë krijuar institucionet shtetërore të vendit për të luftuar korrupsionin, por megjithatë Kosova vazhdon të mbetet në listën e vendeve me nivel të lartë të korrupsionit.

Madje, disa nga analistët konsiderojnë se korrupsioni ka “metastazuar” në të gjitha poret e funksionimit të shtetit, shkruan “Zëri”.
Ndërsa, numri kaq i madh i mekanizmave “antikorrupsion”, vlerësohet se është bërë në mënyrë të qëllimshme, për të krijuar mjegull dhe askush të mos bartë përgjegjësinë.

Politika e hajnisë thuhet se çdo ditë e më shumë po “lulëzon”, edhe pse përveç misionit të EULEX-it, Qeveria e Kosovës ka krijuar një task-forcë, Prokuroria e Shtetit një tjetër…etj, dhe tash së fundi u pa e nevojshme që edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ta themelojë Këshillin Antikorrupsion.

Që të gjitha këto institucione shtetërore të Kosovës, kush më shumë e kush më pak, për detyrë kanë luftën kundër korrupsionit, për çka vlerësohet se nuk po arrijnë që ta bëjnë.

Madje, ambasadori amerikan Christopher Dell përmes një deklarate pati alarmuar se korrupsioni është përhapur aq shumë dhe është bërë aq i zakonshëm në çdo nivel në Kosovë, saqë e tërë shoqëria, sipas tij, e nënkupton gjuhën e këtij fenomeni.

Zotimet e krerëve institucionalë se me të gjithë mekanizmat do ta luftojnë korrupsionin, për partitë opozitare nuk janë gjë tjetër, përveç deklarime të nivelit retorik bosh.

Deputeti opozitar nga AAK-ja, Burim Ramadani, konsideron se është momenti i fundit që institucionet e vendit të fillojnë luftën e vërtetë ndaj korrupsionit dhe jo të merren me krijimin e mekanizmave të rinj.

Por, shoqëria civile vlerëson se këta trupa janë krijuar në mënyrë të qëllimshme për t’i ikur përgjegjësisë.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet në Kosovë, nëpërmjet krijimit të shumë adresave, po krijojnë mjegull dhe po bëjnë përpjekje që ta humbin fokusin dhe përgjegjësinë e vërtetë të tyre. /Telegrafi/kohaislame