10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Zbulohet përmbajtja e dokumentit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Më të lexuarat

Versioni i punës për marrëveshjen kornizë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka parë ditorja serbe Danas, ndër të tjera parasheh që “të dyja palët të kenë marrëveshje të mira fqinjësore të bazuara në mosndërhyrjen në çështjet e brendshme dhe në respektimin e ndërsjellë të integritetit territorial”.

Të dyja palët duhet të “bien dakord se anëtarësimi i tyre në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare nuk nënkupton vërtetimin sipas të drejtës ndërkombëtare”, dhe se të dy palët angazhohen “për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura nën patronazhin e Bashkimit Evropian”.
Danasi nga shumë burime e ka konfirmuar vërtetësinë e përmbajtjes së këtij dokumenti, të cilin Christoph Heusgen – këshilltari special për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Kancelares Angela Merkel – në shkurt të këtij viti ia ka dorëzuar nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vucic, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Berlin.
Nga fondacioni “Konrad Adenauer” kanë thënë për ditoren serbe se bëhet fjalë për idenë e tyre që në bashkëpunimin e grupeve të juristëve dhe politikanëve shqiptarë e serbë, thuktë të analizohen të gjitha temat që marrëveshja për normalizimin e raporteve duhet të përmbajë në rrethanat aktuale. Dokumentin e punës fondacioni në janar ia ka dorëzuar Heusgenit. Deri tash nuk ka konfirmim zyrtar nëse ky bashkëpunëtor i besueshëm i kancelares Merkel do të jetë në delegacionin i cili që nga data 16 e deri më 19 mars do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.
Siç kanë sqaruar jozyrtarisht për Danas, versioni i punës së marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me dinamikën dhe përmbajtjen e negociatave në Bruksel, edhe pse në mesin e tyre ka ngjashmëri, sidomos kur është fjala menaxhimin e integruar të kufirit, zyrës për ndërlidhje etj.
Versioni i punës për normalizimin e raporteve parasheh që “të dy palët të futen në negociata për caktimin e pikëkalimeve të reja kufitare, si dhe në përmirësimin transportit rrugor, ajror dhe hekurudhor midis dy territoreve”.
Sipas dokumentit, të dyja palët duhet “reciprokisht të zotohen për të ngritur zyra ndërlidhëse në selitë e qeverisë” dhe se “do të kërkojnë bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet komunave dhe komuniteteve, nxitje të vëllazërimit të komunave dhe marrëdhënieve reciproke, për të lehtësuar lirinë e lëvizjes në mes të komuniteteve fqinje” – në mënyrë që të “reduktohen barrierat”.
Në një prej dispozitave është parashikuar që secila palë “të respektojë të gjitha bashkësitë nacionale (pakicat) në territorin e vet, të garantojë mbrojtje të të gjitha të drejtat të tyre në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, veçanërisht nëpërmjet promovimit të arsimit, kulturës, fesë, dhe gjuhës së komunitetit nacional”. Këtu përmenden “organet e zgjedhura në mënyrë demokratike të pakicave kombëtare ose forma të tjera të përfaqësimit të tyre në të dy anët, të cilat duhet të kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve praktike të mbrojtjes së pakicave kombëtare”.
Dokumenti parashikon që edhe Prishtina e edhe Beogradi që synojnë të futen në BE, “të respektojnë parimet e decentralizimit dhe koordinimit të punëve për harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së”. Të dyja palët në marrëveshje duhet të angazhohen që “reciprokisht do të mbështesin përpjekjet për të qenë anëtare të BE-së”, dhe që “nën patronazhin e OKB-së zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet e tyre, vetëm nëpërmjet mjeteve paqësore, pa kërcënim ose përdorim të forcës”.
Sipas draft-dokumentit, Prishtina dhe Beogradi duhet të “vazhdojnë të sillen me bindjen se asnjëra palë nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare, e as të veprojë në emër të saj, dhe se autoriteti i tyre është i kufizuar vetëm në territorin e tyre”.
Marrëveshja, siç propozohet, duhet të hyjë në fuqi pas nënshkrimit nga përfaqësuesit e të dy palëve, ndërsa versioni anglez i tekstit konsiderohet si i vetmi për interpretim./Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit