17.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Vërtetë kemi disa fe, por kemi një Zot e një Atdhe

Më të lexuarat

SAJMIR HURDHA |

Një nga metodat më të sigurta për të kuptuar se çfarë mendon dikush për ju është të perdorni metodën e projektimit. Atë që ai jua atribon juve duke pohuar se ju këtë mendoni dhe ndjeni ndaj atij, nga fjala në fjalë, ai shpreh në fakt atë që ai mendon dhe ndjen ndaj jush!

Pikërisht kështu është edhe projektimi që bëjnë komunistët dhe disa qarqe katoliko-misionare në Shqipëri. Ata imagjinojnë dhe projektojnë një Shqipëri ku islami paraqitet si i huaj, i cili nuk ka vend në shoqërinë tonë. Në këtë shoqëri, myslimanët shihen si qytetarë të dorës së dytë dhe pa ndonjë status social e shoqëror, si mbetje të pushtuesit, apo si gur i hedhur në Ballkan nga thellësitë e Anadollit. Ata nuk e durojnë dot faktin e një shoqerie me shumicë muslimane, e cila ka të drejta legjitime që të përdorë hapësirat publike për kryerjen e ritualeve fetare, ashtu si çdo komunitet tjetër fetar

Reagimi i këtyre ditëve ndaj vendosjes se një ekrani rretj 20-30 metra para përmendores së Skënderbeut gjatë faljes së Kurban Bajramit, vërtetoi në mënyrë të qartë projektin e tyre, se çfarë shoqërie imagjinojnë dhe dëshirojnë të implementojnë në Shqipëri. Reagimi në emër të shqiptarizmit, është vetëm fshehje e fytyrës dhe e qëllimeve të tyre. Kjo form reagimi nuk i bën ata më “shqiptarë” apo “patriotë” se pjesa tjetër e shumicës myslimane të shqiptarëve. Një shprehje thotë se “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjeve”. Prandaj, nuk duhet të fshihen pas “mbulesës” së Skënderbeut për planet e tyre.

Figura e Skenderbeut ka një rol shumë më unifikues nga sa e reduktojnë ata me pretekstin e “mbrojtjes” së tij. Pozita e tij si figurë përbashkuese e kombit shqiptarë është përzgjedhur nga rilindasit me konsensus, ku të gjithë shqiptarët janë të përfaqësuar pa dallim feje dhe krahine.

Kjo islamofobi e shfaqur prej tyre ndaj bashkombasve të tyre rrezikon seriozisht prishjen e harmonisë shoqërore dhe destabilizimin e unitetit kombëtar. Ata, me debate të tilla provokative, u hodhën në sulm ndaj myslimanëve me pretekstin se janë duke mbrojtur heroin kombëtar, ku në emër të kombit bëjnë thirrje për një bashkim kryqëzatash. Në të vërtetë kjo “mbrojtje” që i bëjnë Skënderbeut nuk është më shumë se një shfaqje e urrejtjes që kanë ndaj myslimanëve. Kjo lloj urrejtje e shfaqur ndaj bashkombasve të tyre myslimanë po minon një nga vlerat më të mëdha që ka kombi ynë, siç është harmonia dhe bashkëjetesa fetare.

Asnjëherë myslimanët nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë probleme me identitenin e tyre si shqiptarë. Feja islame nuk është diçka e re në këto treva, ajo është po aq autoktone sa feja katolike dhe orthodokse. Sa shqiptar mund ta ndiejë vetën një katolik apo orthodoks, po aq shqiptar e ndien vetën dhe një mysliman.

Kjo që po bëjnë këto qarqe qëllim-keqija, bashkë me disa injorantë, është në dëmin e kombit tonë. Nuk ka mënyrë më të mirë se kjo per t’i shërbyer armiqve të shqiptarëve. Askush të mos ngrihet dhe të tentojë apo të pretendojë t’i përvetësojë figurat kombëtare. Sepse Shqipëria është e të gjithëve, ka vend për të gjithë, e do të mbetet e të gjithëve. Pasi është një kontratë sociale e nënshkruar dhe e pranuar nga të gjithë!

Si përfundim, po e mbyll me thënien e dy klerikëve të njohur që i shërbyen shqiptarisë me nder, Mulla Idriz Gjilani dhe Gjergj Fishta.

“Vërtetë i kemi tri fe, por kemi një Zot e një Atdhe”. – Mulla Idriz Gjilani.

“Vërtetë bëjmë Pashkë e Bajram, por Shqipërinë e kemi të gjithë bashkë”. – At Gjergj Fishta.

Autori është student i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Gazit në Ankara, Turqi.

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit