12.3 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Veçoritë e Pejgamberit, paqja e Zotit qoftë mbi të, në botën e përtejme

Më të lexuarat

Zoti i Plotfuqishëm e veçoi të Dërguarin e Tij, me një sërë karakteristikash të botës së përtejme, për të treguar pozitën dhe lartësinë e statusit të tij nga njëra anë, dhe për të sqaruar nderin e këtij Umeti ndaj popujve tjerë nga ana tjetër.

Prej veçorive të tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, ai do të jetë personi i parë të cilit do t’i çahet toka në Ditën e Ringjalljes. Buhariu përcjell nga Ebu Seid el-Hudri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, ka thënë: “…Do të jem i pari të cilit do t’i çahet toka.”

Prej veçorive tjera: Dhënia e udhëheqjes së njerëzimit, duke e bërë prijës të tyre dhe bartës të flamurit të tyre në Ditën e Ringjalljes, ashtu siç qëndron në hadithin e Ebu Seidit, r.a. se ka dëgjuar pejgamberin e Zotit të thotë: Unë jam zotëria i bijve të Ademit në Ditën e Kijametit dhe për këtë nuk mburrem, dhe nuk do të ketë pejgamber që prej Ademit dhe të tjerëve vetëm se do të jenë nën flamurin tim.” (Shënon Tirmidhiu)

Prej veçorive tjera: Nderimi i tij me pozitën e lavdëruar (Mekami Mahmud), gjegjësisht ndërmjetësimin me rastin e fillimit të llogarisë dhe shpërblimit. Në Sahihun e Buhariut qëndron se Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë me të, pas përmendjes së llogarisë dhe ndërmjetësimit të tij për krijesat, ka thënë: “…Kjo është pozita e lavdëruar, të cilën ua premtoi Pejgamberi i juaj.”

Ai do të ketë më tepër pasues prej të gjithë pejgamberëve tjerë, i pari që do të trokasë në derën e xhenetit, i pari i cili do të ndërmjetësojë për ta për të hyrë në xhenet, madje ekziston hadithi autentik ku thuhet se prej veçorive të tij është se shtatëdhjetë mijë persona nga Umeti i tij do të hyjnë në xhenet pa dhënë llogari. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Abdullah bin Abasi. r.a. se i Dërguari i Allahut ka thënë:

M’u shfaqën përpara popuj; kaluan një a dy pejgamberë me pak pasues; kaloi një pejgamber i pashoqëruar nga asnjë pasues, derisa, kur më kaloi përpara një turmë e madhe njerëzish, pyeta: “Kush janë këta? A janë pasuesit e mi?” Më thanë: “Ky është Musai dhe pasuesit e tij.” Më thanë: “Shih në horizont.” Kur ç’të shoh! Një mizëri e madhe njerëzish që mbushte horizontin! Pastaj më thanë: “Shih atje dhe atje tej në hapësirën qiellore.” Kur ç’të shoh! Një mizëri e madhe njerëzish që mbushte horizontin! Më thanë: “Ky është Umeti yt (pasuesit e tu) nga të cilët shtatëdhjetë mijë do të hyjnë në xhenet pa u marrë në llogari.”

Ndërsa tek Tirmidhiu nga hadithi i Ebu Umame r.a. qëndron se “Allahu i Lartësuar i shtoi të Dërguarit të Tij, për çdo një mijë, shtatëdhjetë mijë të tjerë.” Kjo, pa dyshim se është mirësi nga Allahu për këtë popull.

Prej veçorive tjera të tij që i përkasin botës tjetër, është dëshmia e tij bashkë me popullin e tij përmbi popujt tjerë, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.”(Bekare: 143)

Në Sahihun e Buhariut nga hadithi i Ebu Seid el-Hudri r.a. transmetohet se pejgamberi i Zotit ka thënë: Thirret Nuhu në Ditën e Gjykimit e ai thotë: Lebejke ve sa`dejk o Zoti im (urdhëro o Zot, e unë të përgjigjem i gëzuar përgjigje pas përgjigje). E Ai i thotë: A e kumtove Shpalljen? E Nuhu thotë: Po. Pastaj i thuhet popullit të tij: A ua kumtoi shpalljen? Ata do të thonë: Ne nuk na erdhi kurrfarë qortuesi. Allahu i thotë (Nuhut): Kush dëshmon për ty? Ai thotë: Muhamedi dhe populli (Umeti) i tij, dhe ata dëshmojë se ai kumtoi shpalljen.”

Ai do të jetë i pari, i cili do ta kalojë Urën e Siratit.  Pejgamberi i Zotit thotë: “Unë dhe Umeti im do të jemi të parët që do ta kalojmë atë (urë), atë ditë nuk do të flasë askush tjetër përveç pejgamberëve, ndërsa duaja e pejgamberëve atë ditë është: O Zot, shpëto, shpëto!” (Shënon Buhariu)

Prej veçorive tjera është edhe burimi i Kevtherit, i cili është një lumë i madh, të cilin Allahu ia premtoi atij në xhenet, prej të cilit do të pinë vetëm ndjekësit nga Umeti i tij dhe askush tjetër. Transmeton Buhariu prej Enes bin Malik r.a. se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Hyra në xhenet dhe kalova pranë një lumi në xhenet, brigjet e të cilit kishin tenda të bëra nga perlat. I futa duart në ujin e tij të rrjedhshëm dhe kuptova se ai kishte erën (miskun) më të fortë. E pyeta Xhibrilin: “O Xhibril! Çka është kjo?” Ai u përgjigj: “Ky është El-Kevther, të cilin Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Madhërishëm ta ka dhëne ty.”

Gjithashtu prej veçorive është edhe pozita e El-Vesile, kuptimi i së cilës është shpjeguar në hadithin e Abdullah bin Amr el-As, i cili e ka dëgjuar pejgamberin e Zotit të ketë thënë:

“…Kërkoni nga Allahu për mua Vesilën, e cila është një vend në xhenet i caktuar vetëm për një rob prej robërve të Allahut, e shpresoj që unë të jem ai. (Shënon Muslimi)

Prej gjërave me të cilat e veçoi pejgamberin e tij është edhe fakti se gjysmën e Umetit të tij e ka bërë që të jenë prej banorëve të xhenetit. Abdullah bin Mes’ud r.a. thotë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut në Kuba e ai tha: “A dëshironi të jeni çereku i banorëve të xhenetit? Thamë: Po. Ai tha: “A dëshironi të jeni një e treta e banorëve të xhenetit? Ne thamë: Po. Ai tha: “A dëshironi të jeni gjysma e banorëve të xhenetit? Thamë: Po. Ai tha: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, shpresoj shumë që ju të jeni gjysma e banorëve të xhenetit!” (Shënon Buhariu)

Këto janë vetëm disa prej veçorive të tij, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, me të cilat e veçoi Allahu atë dhe nuk e veçoi asnjë prej pejgamberëve të tjerë në botën e pastajme. Kjo na jep një pasqyrë reale për pozitën e tij që gëzon tek Zoti i tij dhe nderimin që i bën Allahu atij. Paqja e Zotit qoftë mbi të!

Përgatiti: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit