Vdiq një nga trashëgimtarët e Pejgamberëve, alejhimu selam!
Me zemër të rënduar nga dhimbja, përcjellim lajmin e ndarjes nga kjo botë të Shejh Ebu Is’hak el-Huvejnit, një nga dijetarët më të mëdhenj të hadithit të kohës sonë. Me largimin e tij, umeti ka humbur një nga yjet ndriçues të dijes, një njeri që ia kushtoi jetën ruajtjes dhe përhapjes së sunetit të Pejgamberit ﷺ.
Shejh Ebu Is’hak Huvejni, Allahu e mëshiroftë, nuk ishte thjesht një dijetar; ai ishte një thesar i gjallë i sunetit, një mbrojtës i palëkundur i hadithit të Pejgamberit ﷺ, një njeri që ia kushtoi çdo frymëmarrje kërkimit, mësimit dhe përhapjes së diturisë. Nuk kishte lodhje për të, nuk kishte gjumë kur kishte hadithe për të ruajtur, nuk kishte prehje kur kishte dije për të ndarë.
Si një fanar që ndriçon në errësirë, ai udhëzoi breza të tërë studentësh, e mbajti të pastër dhe të mbrojtur sunetin e te Dërguarit të Allahut ﷺ dhe qëndroi i palëkundur në rrugën e dijes, pa u ndikuar nga sprovat e kohës apo presionet e njerëzve.
Vdekja e një dijetari është si shuarja e një drite në errësirë. Por trashëgimia e tij do të jetojë në zemrat e nxënësve, në fjalët që ai la pas dhe në librat që ai la pas.
O Allah, mëshiroje këtë rob tëndin dhe bëje varrin e tij një kopsht nga kopshtet e Xhenetit! O Allah, mos na lër pa udhëzues të diturisë! Na dhuro dijetarë të devotshëm që do të mbrojnë fjalën Tënde dhe do të ruajnë sunetin e Pejgamberit Tënd ﷺ, ashtu siç bëri Shejh Ebu Is’hak el-Huvejni.
Fitim Gërguri
17.03.2025
