10.8 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

UNICEF: Arrin në afro 400 mijë numri i muslimanëve të Arakanit të ikur në Bangladesh

Më të lexuarat

Boulierac tërhoqi vëmendjen se krahas refugjatëve të ardhur në kamp, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit janë duke kërkuar vend për t’u strehuar në rajone të tjera

GJENEVË (AA) – Zëdhënësi i Fondit Emergjent për Fëmijët pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF), Christophe Boulierac, ka njoftuar se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj nga dhuna në Mianmar që nga 25 gushti e deri më tani ka arritur në afro 400 mijë, ndërsa 220 mijë prej tyre janë fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Boulierac, i cili ka ndjekur aktivitetet humanitare të UNICEF-it në kampet e muslimanëve të Arakanit në afërsi të qytetit Cox’s Bazar në Bangladesh, për AA tha se refugjatët vazhdojnë të vijnë në masë të madhe nga Arakani në këto kampe.

“Numri po rritet çdo ditë e më shumë”, shtoi ai.

Boulierac tërhoqi vëmendjen se krahas refugjatëve të ardhur në kamp, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit janë duke kërkuar vend për t’u strehuar në rajone të tjera.

“1.822 fëmijë kanë humbur familjet”

Zëdhënësi i UNICEF-it potencoi se refugjatët e ardhur në kamp janë të rraskapitur nga uria dhe lodhja, ndërsa, siç tha ai, posaçërisht fëmijët janë “të pambrojtur”.

“Gjëja e parë që kërkojnë është një vend për t’u strehuar dhe ujë i pastër. Deri më tani, kemi regjistruar 1.822 fëmijë të ardhur në kamp që kanë humbur familjet. Këto janë vetëm ajo që ne kemi regjistruar. Supozohet se shumë më shumë fëmijë janë të shkëputur nga familjet”, theksoi ai.

Ai njoftoi se numri i refugjatëve që kanë ardhur në kampe duke ikur nga dhuna në Arakan brenda tre javësh ka shkuar në afro 400 mijë, duke e përshkruajtur këtë gjendje si të pabesueshme.

“Deri më tani, nuk kemi asnjë sinjal se fluksi i refugjatëve do të zvogëlohet. Numri i refugjatëve që arrijnë në Cox’s Bazar nga Mianmari rritet me kalimin e çdo ore. UNICEF-i shpërndau të gjitha ndihmat humanitare që posedonte”, tha Boulierac.

Ai tha se përafërsisht 220 mijë janë fëmijë të moshës nën 18 vjet, duke shtuar se janë të shqetësuar edhe për sëmundjet ngjitëse që mund të përhapen përmes ujit të ndotur.

“Fëmijët në kamp duhet të pijnë ujë të pastër. Ne po i furnizojmë me ujë të pastër përmes cisternave. Megjithatë, duhet thënë se ato janë të pamjaftueshme, sepse numri i refugjatëve që kanë ardhur këtu është shumë i madh”, shtoi Christophe Boulierac.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit