Kur Shtetet e Bashkuara vendosën të shkulnin një popull në emër të ligjit
“Udhëtimi i lotëve” nuk ishte metaforë letrare, por emër i vërtetë për një krim të vërtetë.
Ishte një politikë zyrtare që u adoptua nga shteti, u miratua me ligj, u ekzekutua nga ushtria dhe çmimin e saj e pagoi një popull i tërë nga banorët autoktonë të Amerikës, të cilët më vonë u njohën me emrin “indianët e kuq”.
Në vitet ’30 të shekullit XIX, qeveria amerikane vendosi se prania e fiseve autoktone në juglindje të vendit nuk ishte më e pranueshme. Shkaku nuk ishte ndonjë kryengritje e armatosur, as ndonjë kërcënim sigurie, por toka.
Toka të cilën e donin kolonët e bardhë; ari që u zbulua; dhe zgjerimi që nuk e njeh si njeri atë që e ka paraprirë në vend.
U dha vendimi: dëbim i detyruar.
Me ligje të miratuara zyrtarisht, fise të tëra – burra, gra e fëmijë – u detyruan të braktisin tokat e tyre historike, shtëpitë, arat, varret e të parëve dhe gjithçka që i jep kuptim vetë ekzistencës. Nuk u la zgjedhje, as u pyetën. U tha se largimi ishte “ligjor” dhe se qëndrimi ishte “shkelje”.
Kështu, atdheu u shndërrua në krim.
Karvanët ecën mijëra kilometra nën përcjelljen e ushtrisë.
Në të ftohtë, në uri, në sëmundje.
Mijëra vdiqën rrugës. Jo thjesht ngaqë rruga ishte e ashpër, por sepse ashpërsia ishte e qëllimshme. Ecja nuk ishte mjet transporti, por mjet rraskapitjeje, thyerjeje dhe asgjësimi të ngadalshëm të një populli që duhej të zhdukej pa bërë zhurmë.
Nuk ishte shkarje nga sistemi, por zbatim i përpiktë i tij.
Ligji ishte ai që urdhëronte.
Shteti ishte ai që e zbatonte.
Bota pa… dhe heshti.
Para dëbimit, u nënshkruan traktate.
Banorëve autoktonë u premtohej mbrojtje, paqe dhe njohje e të drejtës së tyre mbi tokë. Por besëlidhja, në logjikën e forcës, nuk ishte zotim moral, por mjet për të fituar kohë. E kur pushonte së qenë e dobishme, thyhej pa hezitim, sepse tradhtia në këtë logjikë nuk është gabim, por funksion.
“Udhëtimi i lotëve” nuk ishte një tragjedi njerëzore kalimtare, por një çast themeltar:
Çasti kur shteti modern mësoi si të kryente shfarosje pa pranuar ta quante shfarosje,
Si të vidhte tokën pa e quajtur vjedhje,
Dhe si ta bënte viktimën të dukej sikur ishte ajo që po shkelte ligjin.
Kjo hyrje nuk shkruhet për të përkujtuar një ngjarje, por për të zbuluar një logjikë.
Logjikën që thotë se ai që heq dorë nga rezistenca në emër të paqes,
ai që i beson një ligji që nuk e mbron,
ai që dorëzon tokën e tij me shpresën e drejtësisë…
do të çohet më vonë drejt humbjes në emër të “legjitimitetit”.
“Udhëtimi i lotëve” nuk është kapitull i mbyllur i historisë,
por një paralajmërim i shkruar me gjak:
Kur ligji ndahet nga drejtësia, shfarosja bëhet procedurë administrative, dhe shkulja politike shtetërore.
Vijon në pjesën e ardhshme:
Besëlidhja si mjet çarmatosjeje – si përdorën Shtetet e Bashkuara traktatet për t’i zhveshur banorët autoktonë nga forca, përpara se t’i shkulnin nga toka.
Pjesa e parë nga seria “Udhëtimi i lotëve”…
– Analiza e tradhtisë dhe logjika e forcës.
Krimet e mëdha nuk filluan me klithma, por me formulime.
Nuk filluan me plumba, por me një term.
Dhe nuk filluan me varreza, por me një fjali juridike që thotë:
“Ky veprim është i ligjshëm.”
Në çastin kur forca vendosi të vinte dorë mbi historinë, mbaroi roli i ligjit si mburojë dhe nisi funksioni i tij i ri si xhelat i rafinuar. Nuk kërkohej më thjesht të vritej njeriu, por të ridëfinohej jashtë tekstit, jashtë mbrojtjes, jashtë kuptimit. Kur njeriu nxirret jashtë ligjit, gjithçka që i bëhet më pas kthehet në çështje “organizimi”, jo në krim.
Këtu nis “Udhëtimi i lotëve”.
Jo si marshim i detyruar në një rrugë të ftohtë,
por si itinerar mendimi që i parapriu rrugës me vite.
Filloi kur në Uashington, në vitin 1830, u miratua ajo që u quajt “Ligji i Dëbimit të Indianëve”;
një ligj që nuk shpalli luftë, por shpalli se kombe të tëra nuk ishin më të përshtatshme për të ardhmen.
Nuk tha: “Vritini”, por tha: “Zhvendosini.”
Dhe zhvendosja, në gjuhën e forcës, është vrasje atëherë kur kërkon të duket e sjellshme.
As Çeroki, as Çoktëu, as Krik, as Seminol, as Çikaso nuk ishin turma të shpërndara pa rend.
Ishin popuj me tokë, me ligje, me traktate të nënshkruara me vetë shtetin.
Por besëlidhja, në logjikën e forcës, nuk është detyrim moral, por mjet i përkohshëm kontrolli:
mjet për të fituar kohë
dhe për t’i qetësuar ata që duhen shkulur më vonë pa rezistencë.
E kur koha mbaroi, besëlidhja u thye pa pështjellim.
Sepse tradhtia këtu nuk është skandal, por hap i llogaritur.
Madje më shumë se kaq: tradhtia, në këtë sistem, është shenjë “efikasiteti”, jo turpi.
Ligji, në formën e tij të parë, u krijua për ta kufizuar forcën.
Por kur forca vë dorë mbi ligjin, kuptimi përmbyset:
Ligji nuk është më kufi i dhunës, por bëhet administrimi zyrtar i saj.
Njeriu nuk u shkul ngaqë kreu krim, por ngaqë vetë ekzistenca e tij nuk përshtatej më me hartën e re,
nuk shkonte në një vijë me logjikën e zgjerimit dhe me etjen për tokë që shteti vendosi ta quajë “përparim”.
Nuk u dëbuan se ishin të dobët, por sepse ishin aty.
Sepse toka ishte e tyre përpara se të quhej “pronë”, përpara se natyra të kthehej në investim,
në fabrika, kulla e resorte… e njeriu në pengesë.
Në këtë kontekst, të drejtat nuk shuhen menjëherë.
Fillimisht zbrazet përmbajtja e të drejtës, pastaj ruhet emri, pastaj përdoret i njëjti emër për të justifikuar të kundërtën.
I thuhet viktimës: “Ti je i mbrojtur nga ligji.”
Pastaj ridëfinohet ligji.
Pastaj riformulohet vetë “mbrojtja”.
Pastaj ridëfinohesh ti…
derisa e gjen veten jashtë çdo përkufizimi që meriton jetën.
Kur nisi marshimi, nuk ishin vetëm këmbët që ecën.
Eci uria, i ftohti, sëmundja.
Fëmijët binin në rrugë, sepse ligji kishte vendosur se koha nuk ishte në anën e tyre.
Mijëra vdiqën, jo pse u vranë drejtpërdrejt, por sepse shteti vendosi që vdekja e tyre ishte detaj i pranueshëm në një plan “administrativ”.
Këtu dhuna arrin kulmin: Kur njeriu bindet se zhdukja e tij është procedurë ligjore dhe se vdekja e tij nuk është padrejtësi, por “pasojë dytësore” e një vendimi sovran.
“Udhëtimi i lotëve” nuk ishte devijim moral i rastësishëm në një histori të shëndoshë, por pasojë e natyrshme e një filozofie që e ndau ligjin nga drejtësia, legalitetin nga njeriu dhe e trajtoi vetë ekzistencën si privilegj tërheqshëm – dje, sot dhe nesër.
Kush e pranon këtë logjikë, nuk mbron rendin, por nënshkruan paraprakisht për përsëritjen e krimit
me emra të rinj, me viktima të reja dhe me ligje edhe më të stolisura.
Kjo pjesë nuk shkruhet për të risjellë të kaluarën, por për të zbuluar mekanizmin.
Sepse mekanizmi që nisi atëherë nuk është ndalur.
Ai thjesht është bërë më i “rafinuar”, më pak i zhurmshëm dhe më i aftë për të vrarë pa i njollosur duart.
Në pjesën e ardhshme:
Besëlidhja si mjet çarmatosjeje…
Si përdoret “paqa” jo për të mbrojtur të dobëtit,
por për t’u hequr edhe arsyen e fundit për të mbijetuar.
Pjesë e tretë
– Kur krimi shkruhet me bojë, para se të zbatohet me gjak…
#Pjesa e dytë nga seria “Udhëtimi i lotëve – Analiza e tradhtisë dhe logjika e forcës”
Krimi nuk mbaroi me plumbin e fundit.
Atje, kur klithmat u shuan dhe pluhuri u ul mbi kufoma, doli në skenë diçka tjetër. Nuk ishte pushkë, as shpatë, as zjarr. Ishte letër.
Të mbijetuarve nuk u la kohë për të qarë.
Lotët, në logjikën e forcës, janë luks i shtyrë për më vonë.
Në vend të ngushëllimit, atyre u ofrua një premtim: i vulosur, i nënshkruar dhe i shkruar në një gjuhë që nuk e kuptonin, por që iu paraqit si gjuha e shpëtimit.
Kështu fillon tradhtia, sapo fillon të vishet me elegancë.
Pse i duhet fitimtarit një traktat?
Pyetje që mund të duket naive, por është çelësi i gjithçkaje që vjen pas. Fitimtarit nuk i duhet letër për të vrarë; i duhet letër që vrasja të duket e pranueshme, “ligjore” dhe e arkivueshme.
Arma rrëzon trupin, ndërsa ligji rrëzon kundërshtimin.
Që nga çasti i parë, ligji nuk ishte zëvendësim i dhunës, por forma e saj më e pjekur: dhuna kur mëson të shkruajë.
Banorëve autoktonë u ishte thënë se toka do t’u ruhej, se kufijtë do të respektoheshin dhe se bashkëjetesa ishte e mundur. Gënjeshtrat nuk ishin madhështore; ishin të llogaritura, të besueshme. Sepse gënjeshtra absolute e tradhton veten, ndërsa gënjeshtra e zgjuar ka nevojë për kohë derisa të zbulohet – e kur zbulohet, është tepër vonë.
Gradualisht, gjuha ndryshoi.
Nuk ishin më “popuj”, por “fise”.
Nuk ishin më zotër të tokës, por pengesë gjeografike.
Nuk ishin më njerëz me histori, por “problem administrativ”.
Çasti më i rrezikshëm në çdo shfarosje nuk është çasti i vrasjes, por çasti i zhveshjes nga emri. Kur njeriu ridëfinohet, vdekja e tij kthehet në detaj. Kur zhveshet nga njerëzillëku, vrasja e tij nuk quhet krim, por “procedurë”.
Pikërisht këtu, “indiani” lindi si koncept, jo si njeri: figurë e gatshme në imagjinatën koloniale – i egër, i paqytetëruar, i paqëndrueshëm.
Figurë e rehatshme, sepse lehtëson ndërgjegjen: vrasja e “përbindëshit” nuk lë gjurmë morale.
Kur ky përkufizim u ngulit, ligji bëri hapin tjetër.
Dëbimi nuk ishte më kaotik.
Gjaku nuk rridhte më “pa rend”.
Çdo gjë mori orar, hartë, nënshkrim.
Dëbimi nuk u shfaq si krim, por si zgjidhje: zgjidhje për një “problem”, zgjidhje për “tepri njerëzish”,
zgjidhje për “përplasjen mes përparimit dhe prapambetjes”.
Fjalët ishin të pastra, të dezinfektuara, pa erë.
Fjalët, gjithmonë, nuk rrjedhin gjak.
Pastaj erdhi marshimi.
Fëmijë që ecin sepse toka ku lindën nuk është më “ligjërisht” e tyre.
Pleq që rrëzohen sepse rruga është më e gjatë se vitet e tyre.
Gra që mbajnë kujtesën mbi supe, ndërsa toka u rrëshqet nga këmbët.
Marshimi nuk ishte aksident, por përfundim logjik:
Kur njeriu reduktohet në një nen ligjor, zhvendosja e tij bëhet e mundur, si lëvizja e gurëve në tabelën e shahut. Askush nuk e pyet gurin nëse i dhemb.
Krimi, kur menaxhohet administrativisht, humb ulërimën, jo egërsinë.
Por logjika e forcës nuk kënaqet me trupin.
Trupi mund të vdesë e të lerë gjurmë.
Kur thyhet kujtesa, nuk mbeten më dëshmitarë.
U hapën shkolla – jo për të mësuar, por për të rishkruar.
Gjuha u shkul nga gojët e fëmijëve.
U ndërruan emrat, sepse emri është gjëja e fundit që zotëron njeriu.
Fëmijët u ndanë nga prindërit, jo si ndëshkim, por si politikë.
Shfarosja nuk pati më nevojë për varre masive.
U bë më e heshtur, më e ngadaltë dhe më e qëndrueshme.
Vrasja e kuptimit është më efektive se vrasja e trupit, sepse i ndalon viktimës rrëfimin e historisë së vet.
Kur ky model pati “sukses”, nuk mbeti i mbyllur në vendin e vet.
Çdo gjë që funksionon një herë në emër të “civilizimit” bëhet e ripërdorshme me emra të tjerë.
Titulli ndryshon, gjuha ndryshon, por struktura mbetet:
Gjithmonë ka një tokë që duhet “rregulluar”, një popull që duhet “administruar”, një kujtesë që duhet “korrigjuar”.
Dhuna themeluese nuk ndalet te viktima e saj e parë.
Ajo nuk e sheh veten si krim, por si burim, si normë, si referencë.
Gjithçka që vjen pas nuk është devijim, por “zhvillim”.
Këtu pyetja bëhet edhe më e dhimbshme:
Sa herë duhet të përsëritet krimi që ta pranojmë se nuk është përjashtim, por sistem?
Në pjesën e ardhshme, nuk do të kërkojmë forma të reja të dhunës, por emrat e rinj të krimit të vjetër.
Sepse veprimi është i njëjtë edhe nëse maska ndryshon.
Pjesë e katërt
– Nga shfarosja te rezervatet: si ndryshoi maska dhe mbeti vepra…
#Pjesa e tretë nga seria “Udhëtimi i lotëve – Analiza e tradhtisë dhe logjika e forcës”
Dhuna nuk u ndal kur pushuan masakrat e mëdha.
Ajo vetëm ndërrroi veshjen.
Pas marshimit, pas dëbimit, pasi toka “u çlirua” nga teprica e gjakut, forca u përball me një dilemë të re: ata që mbetën nuk ishin zhdukur.
Tradhtia e parë nuk e mbylli rrëfimin,
as ligji nuk e mbylli dosjen.
Ishin ende njerëz që merrnin frymë dhe vetë prania e tyre mjaftonte për t’ia kujtuar botës krimin.
Në këtë pikë, vrasja nuk ishte më zgjidhje praktikisht e qëndrueshme.
Gjakut i mbetet gjurmë.
Ndërsa frika… ndërton sistem.
Kështu nisi një fazë e re, që nuk u paraqit si dhunë, por si “organizim”.
Nuk u quajt shfarosje, por mbrojtje.
– ose, më mirë, “administrim”.
Armatimi nuk ngrihej më në çdo çast; tani viheshin kufij – ndonjëherë edhe vija.
Lindën rezervatet – ose kampet.
U tha se qëllimi ishte mbrojtja e atyre që mbetën.
U tha se shteti do të garantonte siguri dhe ushqim
– ose “bashkësia ndërkombëtare”.
U tha se kjo ishte më mirë se kaosi.
Por burgu që quhet mbrojtje nuk ka nevojë për mure.
Toka që dikur ishte atdhe u bë “zonë e administruar” – e verdhë, e kuqe, si të duash.
Jeta që dikur ishte e lirë u bë e kushtëzuar.
Dalja, hyrja, lëvizja – nuk ishin më të drejta, por privilegje.
Këtu dhuna nuk është më akt brutal, por strukturë.
Pyetja nuk është më: “Si t’i zhdukim?”
por: “Si t’i mbajmë nën kontroll?”
Kur nuk mund t’i vrasësh të gjithë, i vëzhgon ata që mbeten.
Nuk kishte më nevojë për kolonin e armatosur si dikur.
Ushtria mori përsipër detyrën – ose forca ndërkombëtare, ndonjëherë vendore – jo si vrasës i drejtpërdrejtë, por si roje e “rendis”.
Rendis që nuk pyet për drejtësi, por për stabilitet.
Për qetësi.
Për mungesë zhurme.
Kështu lindi një gjuhë e re:
“Siguria”.
Siguria nuk ishte premtim për mbrojtje, por riorganizim i botës.
Botës që ndahet në: ata që “duhen mbrojtur”… dhe ata prej të cilëve “duhet të mbrohemi”.
Në të kaluarën thuhej se viktima ishte “e egër” – ose “ekstremiste”.
Sot thuhet se është “e rrezikshme” – “terrorizuese”.
Dallimi është vetëm gjuhësor.
Kur njerëzit rrethohen në emër të sigurisë, nuk thuhet se po ndëshkohen, por se “situata kërkon masa”.
Kur jeta e tyre survejohet, nuk thuhet se janë pa liri, por se janë “rast i veçantë”.
Përjashtimi nuk paraqitet si krim, por si domosdoshmëri.
E kur sundon frika, përjashtimi nuk mbetet i përkohshëm.
“Gjendja e jashtëzakonshme” zgjat jetën e vet.
Të drejtat pezullohen “pak”.
Dhe ky “pak” shndërrohet në të përhershëm.
Në këtë fazë, armikut nuk i duhet më të sulmojë.
Mjafton të dyshohet.
Vetë ekzistenca është vënë në pikëpyetje.
Çdo gjë që nuk hyn në plan, automatikisht përkthehet si kërcënim.
Kur i shtypuri përpiqet të flasë, i thuhet se zëri i tij prish “rendis”.
Kur përpiqet të rezistojë, veprimi i tij ridëfinohet si “agresion”.
Vetëmbrojtja kthehet në “cënim të sigurisë”.
Dhe heshtja e vetme konsiderohet sjellje “e përgjegjshme”.
Xhelati, në këtë narrativë, nuk e sheh veten si xhelat, por si roje.
Ndërsa viktima, në rrëfimin e ri, është “projekt kaosi”.
Historia nuk përsërit veten në hollësi, por në strukturë.
Nuk kthehet me të njëjtat fytyra, por me të njëjtën logjikë.
Hartat kanë ndryshuar, jo ideja.
Emrat ndryshojnë, jo funksioni.
Nga rezervatet e djeshme te “zonat” e sotme – a nuk ta thashë: të verdha, të kuqe, ose ndoshta të gjelbra? – nga popuj “nën mbrojtje” te popuj “nën masa”, dhuna ecën ngadalë, sepse nuk ka më nxitim.
Dhuna moderne nuk ka nevojë për skena të bujshme.
Ajo parapëlqen rrethimin e gjatë: pritjen, rraskapitjen.
T’i lërë njerëzit gjallë mjaftueshëm për t’u lodhur, jo për të dëshmuar.
Këtu vetë koha kthehet në mjet.
Vitet kalojnë, kujtesa gërryhet, kundërshtimi plaket.
Me çdo brez, ridëfinohet “normalja”: Ajo që dikur ishte krim, bëhet realitet.
Ajo që dikur ishte përjashtim, mësohet si “rend natyror”.
Sa herë thuhet se “kësaj here është ndryshe”, se konteksti ka ndryshuar, se bota ka mësuar nga gabimet e saj…
Por ai që qëndron brenda rrethit sheh të njëjtën skenë: Tokë që “administrohet”, jetë që matet, dhe njeri që i kërkohet të ndihet mirënjohës për faktin se ende është gjallë.
Në pjesën e ardhshme, do t’i afrohemi çastit më të rrezikshëm: kur dhuna nuk imponohet më vetëm nga jashtë, por riprodhohet nga brenda; kur i shtypuri kërkohet të ruajë vetë mekanizmat e shtypjes që e mbajnë nën këmbë.
