22.5 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Turqia ndihma për banorët e prekur nga përmbytjet në Shqipëri

Më të lexuarat

TIRANË (AA) – Institucione dhe organizata të ndryshme turke po vazhdojnë me shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet e fundit në disa qytete të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryesia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave e Republikës së Turqisë (AFAD), ka shpërndarë sot ndihma ushqimore për banorët që pësuan dëme nga përmbytjet në Qarkun e Tiranës, konkretisht në zonën periferike Valias, që i përket Bashkisë së Kamzës.

Të pranishëm në shpërndarjen e ndihmave për qindra familje ishin përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, të AFAD-it, prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, etj.

Jahollari, në një prononcim për AA theksoi se institucionet turke kanë qëndruar gjithmonë pranë Shqipërisë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore.

“Tirana u përball me një situatë shumë të vështirë nga përmbytjet, veçanërisht Valiasi ku ne jemi sot, që është pjesë e Bashkisë së Kamzës, një ndër pesë bashkitë e Prefekturës së Tiranës. Ne ishim paralajmëruar për situatën e reshjeve shumë intensive dhe ishin marrë masat nga institucionet e pushtetit qendror dhe vendor. Falënderoj Qeverinë e Turqisë për ndihmën që ka dhënë jo vetëm për përmbytjet e fundit, por historikisht në gjithë këto vite na është gjendur pranë në situata të vështira. Turqia është një vend i madh dhe ne ndihemi mirë që jemi përkrah, dhe jemi popuj miq, vëllezër dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, u shpreh Jahollari.

Shpresa Koldashi është një nga banoret e Bashkisë Kamëz, banesa e së cilës është dëmtuar nga përmbytjet. Familja e saj është ndihmuar nga AFAD me produkte ushqimore, ashtu si qindra familje të tjera të kësaj zone. Ajo duke folur për AA, shpreh falënderimet për ndihmën e ofruar dhe interesimin nga institucioni turk.

AFAD ka sjellë në Shqipëri 1300 pako ushqimore, ku përfshihen produkte të ndryshme, si miell, vaj, fasule, oriz, sheqer, kripë, etj, dhe rreth 1160 pako me materiale të tjera në veshmbathje. Ndihmat e ofruar nga AFAD për familjet e prekura nga përmbytjet do të shpërndahen në disa qytete të vendit, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në Shqipëri ka ofruar ndihmë edhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke, me produkte ushqimore dhe materiale të ndryshme higjienike. Kujtojmë se edhe gjatë përmbytjeve të viteve të kaluara, institucione dhe organizata të ndryshme turke kanë ofruar dhe shpërndarë ndihma në Shqipëri.

Disa qytete të Shqipërisë, kryesisht Tirana, Fieri, Vlora, Gjirokastra dhe Fushë Kruja u përfshinë nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në fillim të dhjetorit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit