12.1 C
Pristina
Saturday, September 21, 2024

Turqia do të kontribuojë në modernizimin e ushtrisë shqiptare

Më të lexuarat

Zv.ambasadori turk në Tiranë, Cem Baş në fjalën që mbajti në ceremoninë e përcjelljes së 2 kontingjenteve në Afganistan tha se Turqia do të vazhdojë ta ndihmojë Shqipërinë në modernizimin e forcave të armatosura.

Në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë u zhvillua ceremonia e përcjelljes së dy kontingjenteve të Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të NATO-s, Resolute Support Mission në Kabul dhe Herat të Afganistanit, që do të realizojë misionin nën komandën turke.

Në këtë ceremoni merrte pjesë ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Cem Baş, zyrtarë të ushtrisë shqiptare dhe familjarë të pjesëtarëve të kontingjentit që niset drejt Afganistanit për mision.

“Jemi sot këtu së bashku për të nisur shokët, miqtë dhe vëllezërit tanë në Afganistan. Aty ku do të përballen me misionin dhe detyrën e tyre të vështirë të ruajtjes së forcave aleate, në frontin më sfidues dhe më të rëndësishëm në NATO”, tha ministrja Kodheli gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni. Ajo shtoi se këto trupa ushtarake do të vijojnë të dislokohen në kuadër të misionit të NATO-s në përmbushje të angazhimeve të aleancës, për menaxhimin e krizave në funksion të paqes dhe stabilitetit.

Kodheli theksoi ndër të tjera se “Ne nuk mjaftohemi vetëm me solidaritetin me viktimat dhe të goditurit nga terrorizmi, por kontribuojmë aktivisht në luftën kundër tij. Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është domosdoshmëri dhe me sakrifica duhet luftuar që në burimet e tij. Duke vlerësuar mbështetjen e pakursyer që vendet aleate kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për forcat tona të dislokuara në operacione, shpreh mirënjohjen e thellë, veçanërisht për forcat e armatosura turke dhe ato italiane”.

Në një fjalë të mbajtur në këtë ceremoni, zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Cem Baş, ka vënë në dukje rëndësinë e Turqisë në aleancën e NATO-s. Ai ka theksuar se Turqia është një forcë e rëndësishme në NATO, me ushtrinë moderne, ku përfshihen forcat të kualifikuara tokësore, detare dhe ajrore.

Baş ka vlerësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke thënë se është një kontribut i rëndësishëm për aleancën. Ndërsa duke u ndalur në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, që i ka konsideruar të shkëlqyera, ai ka shtuar: “Kemi lidhje shumë të mira ushtarake me Shqipërinë. Lidhjet tona janë të forta dhe miqësore, rrënjët e të cilave kanë një të kaluar disa qindra vjeçare”.

Në vijim të fjalës së tij Baş nuk ka nguruar as të kujtojë me respekt të gjithë ata figura të shquara shqiptare që kanë kontribuar në Perandorinë Osmane, që nga pozitat ushtarake deri në ato shtetërore. Baş ka thënë gjithashtu se, Turqia do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në modernizimin e forcave të armatosura, dhe në fusha të ndryshme si arsim, shëndetësi, etj.

Dy kontingjentet shqiptare janë pjesë e Kompanisë “zemërluanët” e Batalionit II të Këmbësorisë (k1b2k) dhe do të shërbejnë për një periudhë gjashtëmujore në Kabul nën komandën e Forcave të Armatosura turke dhe në Herat nën komandën e Forcave të Armatosura italiane.

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit