20.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Trump në Lindjen e Mesme: ç’pritet?

Më të lexuarat

Me një titull pak as shumë të ngjashëm, “Vizita e Donald Trump-it në Lindjen e Mesme: çfarë duhet pritur,” William Roberts hedh dritë në Al Jazeera mbi vizitën e parë të presidentit të ri amerikan jashtë vendit, që nis në Arabinë Saudite.

“Donald Trump merr rrugën të premten për në Arabinë Saudite, në të parin udhëtim të tij jashtë si president, për të ndrequr marrëdhëniet me aleatin më të ngushtë arab të Shteteve të Bashkuara, për të rinisur procesin e paqes arabo-izraelite, dhe, potencialisht, për të ritheksuar rolin amerikan të sigurisë në rajon,” shkruan Roberts në shtjellimin e tij te Al Jazeera.

“Vajtja fillimisht në Arabinë Saudite është një lëvizje tejet simbolike për presidentin Trump, me telashe politike në vendin e tij, por që mbushet me optimizëm nga udhëheqësit arabë, pavarësisht nga jopopullariteti i tij i madh në opinionin publik arab për shkak të komenteve të tij antimuslimane gjatë fushatës elektorale amerikane të 2016-s,” vijon analizuesi i vizitës së Trump-it në Lindjen e Mesme.

“Presidenti do të ketë një seri takimesh, që fillojnë të shtunën me qeverisësit sauditë, duke përfshirë mbretin Salman dhe zëvendësprincin e kurorës, Mohammed bin Salman. Sauditët duan më shumë ndihmë amerikane në përballje me Iranin dhe grupet e armatosura, si dhe investime private në kompanitë saudite.”

Si vijon vizita?

“Trump do të ketë një takim të veçantë me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit për të diskutuar luftën civile në Siri… Ai do të drekojë me 56 udhëheqës arabë dhe muslimanë të ftuar, me çështjen e luftimit të ekstremizmit si temë në axhendë…,” shpjegohet në raportimin e Al Jazeera-s.

“Pasi të vizitojë Arabinë Saudite, Trump ka për të fluturuar për në Izrael, për takime me kryeministrin Netanyahu, e më pas për në Vatikan, në Romë, përpara se të drejtohet për në Bruksel, për një takim të NATO-s, për bisedime me udhëheqësit e BE-së, e më tutje për në Siçili, në një takim të vendeve të G7-s.”

“Udhëheqësit e Lindjes së Mesme, veçanërisht në Gjirin Persik dhe në Jordani, nga këndvështrimi i tyre nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si Obama e trajtoi politikën e Lindjes së Mesme, e për pasojë, sepse kanë një president të ndryshëm që e udhëheq politikën e jashtme, kjo [vizita] është e mirëpritur,” citon raportimi i Al Jazeera-s analizën e një profesori të Universitetit të Merilandit, Shibley Telhami. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit