9.4 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Trump dhe Kim morën atë që deshën, por jo pjesa tjetër e Botës

Më të lexuarat

Aga Anne Applebaum ”The Washington Post”

Një seri flamujsh amerikanë dhe koreano-veriorë, u rreshtuan krah për krah në një skenë. Dy burra i afrohen skenës nga anët e kundërta, dhe pastaj shtrëngojnë duart. Ata pozojnë para kamerave. Dhe pastaj largohen. Ky është imazhi, panorama, që të dy burrat donin të projektojnë para mbarë botën. Por pse?

Për Kim Jong Un, ky moment është një lloj triumfi. Është konfirmuar “mençuria” e politikës së tij bërthamore:vendi i tij i vogël, i varfër, shpesh i uritur, ku qindra mijëra njerëz janë vrarë në kampet e përqendrimit që ndryshojnë pak nga ato të ndërtuara dikur nga Stalini, është trajtuar si i barabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse Kim nuk do të kishte vazhduar programin e tij të raketave, nëse ai nuk do të kishte zgjeruar aftësinë e tij të lëshimit të raketave, presidenti Trump nuk do të ishte atje.

Fotografitë, do ta ndihmojnë Kim të zgjidhë një problem të rëndësishëm. Të gjithë diktatorët janë të pasigurt, dhe diktatorët absolutë janë absolutisht më të pasigurt se sa pjesa tjetër.

Disa vjet më parë, Kim kreu një ekzekutim publik të xhaxhait të tij, duke detyruar pjesën tjetër të elitës së vendit komunist të shihte teksa rivali i tij masakrohej nga armët automatike anti-ajrore.

Frika dhe terrori, janë një mënyrë për të transmetuar mesazhe të pushtetit; ndërkohë frymëzim i admirimit dhe frikësimit janë diçka tjetër.

Flamujt dhe shtrëngimi i duarve, do të përforcojnë legjitimitetin e Kim, dhe do ta bëjnë më të vështirë rrëzimin e tij nga pushteti. Për Trump, ky imazh trajton problemin disi të ndryshëm të ndjenjave të tij personale të pasigurisë.

Ligjërisht, legjitimiteti i tij nuk është në dyshim. Megjithatë Trump duket se shqetësohet shpesh për këtë. I zgjedhur pa shumicën e votës së amerikanëve, Trump pretendon në mënyrë të përsëritur se e ka një të tillë me vete.

Pa kualifikim politik, arsimor apo ndonjë kualifikim tjetër, Trump i atribuon vetes cilësi pothuajse mistike dhe intuitive. Deri më tani, ato kanë dështuar. Në botën e ndërlikuar dhe të nuancuar të ekonomisë dhe sigurisë, ai nuk ka arritur asgjë përveç shkatërrimit: të marrëveshjeve të mëparshme, të institucioneve, madje edhe të deklaratës në samitin e fundit të G-7 vetëm disa ditë më pare në Kanada.

Por në Singapor, ai mund të arrinte diçka pa diskutuar për çështje komplekse, pa asnjë përpjekje intelektuale:një fotografi, një “zbulim”, imazhi i mashtrues intuitiv i të cilit dëshiron “paqe”. Imazhet që vijnë nga Singapori janë gjithashtu të rëndësishme për Trump, sepse ato i ka krijuar ai.

Kur takohet me aleatët, Trump nuk e kontrollon dot narrativën, dhe as nuk vendos se çfarë do të shohin njerëzit.

Në fakt, imazhi që u krijua për të simbolizuar takimin katastrofik dhe plot tensione të G-7 nuk mbante autorësinë e tij:ai u kap nga një fotograf gjerman, dhe e tregonte kancelaren Angela Merkel në këmbë, me duart e mbështetur mbi një tavolinë, dhe duke i folur presidentin amerikan që qëndronte ulur si një prind fëmijës.

Ndërkohë, në Singapor, Trump e kontrolloi tablonë, madje duke i dhënë prioritet qëllimisht një stacioni televiziv lokal, në vend të stafit të Shtëpisë së Bardhë.

Ai kënaqet me këtë aftësi. “A jeni duke marrë plane të mira?”- e pyeti ai kameramanin: “Pra, a dukemi të bukur dhe të përsosur?”. Sa për përmbajtjen e takimit, nuk pati asgjë të tillë.

Dokumenti i nënshkruar, përsërit marrëveshjet e mëparshme të paqarta. Ai premton “denuklearizim”, ashtu si në të kaluarën, por pa asnjë substancë, ashtu si në të kaluarën. Kjo nënkupton se tani do të ketë bisedime të mëtejshme rreth negociatave, por ka pasur edhe më herët negociata mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut.

Sikur ndonjë president i mëparshëm amerikan, republikan ose demokrat, të dilte nga një ngjarje si kjo, në të cilën të kishte kaq shumë pak për të treguar, ai do të ishte zënë tepër ngushtë, dhe ndoshta do të kishte gënjyer. Por Trump dhe Kim janë dy burra që mbijetojnë në politikë, duke insistuar në versionet e tyre të realitetit.

Të dy kanë makineritë e tyre propagandistike, që do të trumbetojnë një sukses të madh. Të dy do të duartrokiten shumë nga përkrahësit e tyre përkatës. Të dy do të fitojnë personalisht, edhe pse vendet e tyre nuk do të kenë ndonjë përfitim. Në këtë kuptim, ky ishte vërtet, siç tha Trump, “një takim realisht fantastik”.

Shënim: Anne Applebaum, është një kolumniste e “Washington Post”, që mbulon politikën kombëtare dhe politikën e jashtme, me një fokus të veçantë mbi Evropë dhe Rusi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit