Tridhjetë arsye pse “Barazia (shkatërruese) Gjinore” nuk duhet miratuar

Më të lexuarat

E sotmja në parlament, testi moral për deputetët e mazhorancës

Sepse bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë

– Ky ligj cenon nenet 18, 22, 24, 54 të Kushtetutës që garantojnë barazinë, lirinë e shprehjes, lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit fetar.

– Ai e tejkalon kuadrin kushtetues, duke shpikur përtej dy gjinive natyrore të njohura në Kushtetute, “identitete të shumëfishta gjinore” që nuk ekzistojnë në ligjin themelor të shtetit.

Sepse nuk është përafrim por largim nga Bashkimin Europian

– Asnjë direktivë e BE-së nuk kërkon që një shtet anëtar apo kandidat, të pranojë ideologjinë e “përkatësi gjinore të shumëfishta” apo “gjini neutrale”.

– Direktivat e BE-së flasin qartë për barazinë midis dy gjinive natyrore, grave dhe burrave dhe jo midis “gjinive neutrale” apo “të shumëfishta”.

– Ky projektligj nuk është përafrim — është devijim nga standardet europiane të BE-së.

Sepse 21 shtete të Bashkimit Europian e kanë refuzuar këtë model

– Franca, Italia, Spanja, Portugali, Greqia, Polonia, Austria, Kroacia dhe shumë shtete të tjera të BE-së, e kanë refuzuar ligjërimin e “identiteteve gjinore jo-binare”.

– Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të bëhet eksperiment ideologjik i Ballkanit dhe Evropës.

Sepse edhe Gjykata Kushtetuese e Francës e ka rrëzuar këtë ideologji

Në vitin 2016, Conseil Constitutionnel i Francës e ndaloi njohjen e “gjinisë neutrale” si shkelje të unitetit të identitetit civil dhe sigurisë juridike. Ky precedent europian tregon se drejtësia nuk ndërtohet mbi ideologji, por mbi realitet.

Sepse rrezikon largim nga aleati yne strategjik SHBA

– Një nismë e tillë na largon edhe nga aleati yne strategjik SHBA, e cila është dukshëm kundra kësaj ideologjie, sidomos në vitet e fundit.

– SHBA nuk kërkon një Shqipëri ideologjikisht e deformuar, por një shtet që respekton lirinë dhe arsyen.

Sepse imponon kuota të detyruara ideologjike në institucione

– Ky ligj kërkon përfaqësim të detyruar gjinor në Parlament, në pushtetin gjyqësor, në administrate, në arsim, etj, jo mbi bazën e meritës, por të identitetit subjektiv dhe bindjeve ideologjike.

– Kështu, meritokracia zhduket dhe zëvendësohet nga konformiteti ideologjik ndaj një axhende.

Sepse cenon familjen – themelin e shoqërisë

– Familja shqiptare është ndërtuar mbi bashkimin natyror të burrit dhe gruas dhe njeh dy gjinitë natyrore.

– Ky ligj e zëvendëson këtë themel me “identitete fluide” apo “të shumëfishta”, duke hapur rrugën për konfuzion ligjor në martesë, prindërim, trashëgimi dhe edukim.

Sepse cenon fëmijët

– Nëse miratohet, do të futë në shkolla “edukimin gjinor me shumë identitete”, duke u imponuar fëmijëve ide që kundërshtojnë biologjinë dhe bindjet e prindërve.

– Shteti nuk mund të imponohet dhe të zëvendësojë familjen në formimin moral të fëmijëve.

Sepse cenon të drejtën natyrore të prindërve

– Prindërit humbasin të drejtën themelore për të përcaktuar edukimin moral dhe filozofik të fëmijëve të tyre.

– Ky ligj i jep shtetit pushtetin t’u mësojë fëmijëve se gjinia nuk është realitet biologjik, por “zgjedhje personale” madje e ndryshueshme – një ndërhyrje e rëndë në ndërgjegjen individuale dhe familjare.

Sepse bie ndesh me Kodin e Familjes, me Kodin Civil dhe Kodet e tjera

– Kodi i Familjes njeh vetëm dy gjini dhe si rrjedhim martesën midis burrit dhe gruas.

– Kodet e tjera njohin vetëm dy gjintë natyrore: burrë dhe grua.

– Ky projektligj bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto Kode, duke krijuar një dis-harmoni dhe krizë juridike në të gjithë sistemin ligjor.

Sepse cenon lirinë e shprehjes dhe të medias

– Ky ligj dënon fjalën ndryshe.

– Gazetarët, mësuesit, imamët, priftërinjtë, dhe qytetarët mund të ndëshkohen vetëm sepse mendojnë dhe shprehen ndryshe nga doktrina zyrtare e shtetit.

Sepse vendos censurë mbi fenë dhe ndërgjegjen

– Nëse një prift, imam apo qytetar besimtar shprehet sipas fesë së tij — për shembull, se Zoti krijoi mashkullin dhe femrën — ai rrezikon të dënohet për “diskriminim gjinor”.

– Vetë predikimi i teksteve fetare (psh. Bibla & Kurani) rrezikohet të sanksionohet, sepse mund të konsiderohet se bie ndesh me këtë ideologji duke kufizuar përdorimin dhe mësimin e tyre.

– Kjo është ndërhyrje e shtetit në besim, një shkelje e hapur e nenit 24 të Kushtetutës dhe nenin 9 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Sepse ndëshkon penalisht, administrativisht dhe civilisht çdo mendim ndryshe

– Ky ligj e trajton mendimin ndryshe si shkelje ligjore.

– Një fjalë, një shkrim, një predikim apo një koment mund të çojnë në gjobë, dëmshpërblim apo ndjekje penale.

– Kjo nuk është drejtësi – është terror ideologjik ligjor.

Sepse përmbys parimin e drejtësisë duke vendosur barrën e provës tek i akuzuari

– Në çdo rast pretendim “diskriminimi”, personi i akuzuar duhet të provojë pafajësinë e tij, edhe pa prova reale.

– Ky është përmbysje e plotë e drejtësisë ku ai i cili akuzon duhet të ketë barren e provës: por sipas projektligjit, një njeri është fajtor vetëm pse dikush “u ndje i ofenduar”.

Sepse shkatërron arsimin

– Ky ligj do ta kthejë shkollën nga vend i dijes në laborator të ideologjisë, ku fëmijët mësojnë jo si të mendojnë, por çfarë të mendojnë.

– Ky ligj detyrimisht fut “edukimin gjinor” me përmbajtje ideologjike në programet shkollore, duke zëvendësuar biologjinë dhe shkencën me teori subjektive për “identitete fluide”.

– Kështu, mësuesit nuk mësojnë më fëmijët të kuptojnë botën — por t’u nënshtrohen axhendave ideologjike që mohojnë natyrën e tyre.

Sepse kthen universitetet në qendra propagande

– Liria akademike – thelbi i kërkimit shkencor – zhduket.

– Ligji detyron institucionet akademike të zbatojnë politika “të barazisë gjinore” duke prezumuar ekzistencën e tyre, sipas përkufizimit të ri ideologjik dhe jo shkencor.

– Profesorët që nuk i përmbahen këtij diskursi rrezikojnë sanksione, përjashtim ose gjoba.

Sepse krijon kaos social dhe ligjor

– Ky ligj krijon kaos. Si do të përcaktohet gjinia në dokumentet zyrtare?

– Si do të regjistrohen martesat, lindjet?

– Sa gjini do regjistrohen në dokumentat zyrtare?

– Një person i lindur mashkull ose femër, asgjë nuk e pengon që të shkojë dhe të kërkojë të ndryshojë gjininë, dhe t’i kërkojë të tërve që t’i drejtohen sipas gjinisë që pretendon, pavarësisht faktit natyror biologjik.

Ky ligj e zhyt shoqërine dhe administratën në absurditet, duke e bërë shoqërinë dhe vetë shtetin konfuz dhe të paqëndrueshëm.

Sepse fut ideologjinë në administratën publike

Në vend të shërbimit profesional ndaj qytetarit, administrata do të detyrohet të ndjekë manuale ideologjike për “gjuhë të përfshirjes” dhe “trajnime gjinore” të identitieve dhe gjinive të shumëfishta dhe të ndryshueshme, duke kthyer institucionet në zyra propagande të detyruar.

Sepse e zëvendëson meritën me ideologjinë

– Në vend që kariera të bëhet me përkushtim e aftësi, do të promovohen ata që përshtaten me dogmën e re gjinore, dhe që kanë përqindje të detyrueshme përfaqësimi.

– Ky është fund i barazisë reale dhe i drejtësisë meritokratike.

Sepse shkatërron sportin

– Futja e “identiteteve gjinore” në sport rrezikon barazinë në garë dhe padrejtësisht zhvesh gratë nga arritjet e tyre sportive.

– Asgjë nuk e pengon një sportist burrë që të shkojë dhe të kërkojë të ndryshojë gjininë, dhe të kërkojë të futet në garën sportive të grave, pavarësisht faktit natyror biologjik, duke i dëmtuar ato në manyrë të padrejtë.

Sepse rrezikon shëndetin dhe sistemin shëndetësor

– Mjekët nuk mund të detyrohen të trajtojnë pacientët sipas “identitetit të deklaruar”, jo sipas të dhënave natyrore biologjike të pacientit.

– Kjo bie ndesh me etikën mjekësore dhe parimin “mos dëmto”.

Sepse përmbys rendin moral dhe kulturor shqiptar

Ky projektligj mohon traditën, kulturën dhe moralin e ndërtuar mbi familjen, besimin dhe respektin për natyrën njerëzore.

Sepse vendos një standard të rrezikshëm për censurën shtetërore

– Në emër të “tolerancës”, ai krijon ligje për ndëshkim të fjalës, duke bërë që frika të zëvendësojë lirinë.

– Shtetet që ndëshkojnë mendimin janë diktatura, jo demokraci.

Sepse krijon ndarje artificiale në shoqëri

– Në vend që të bashkojë qytetarët, ky ligj i ndan shqiptarët sipas identiteteve të shpikura dhe krijon konflikt kulturor midis shumicës që beson në rendin natyror dhe një pakice që kërkon ta zëvendësojë atë, dhe me ideologjinë e tyre t’ia detyrojnë gjithë shoqërisë.

– Kjo nuk është barazi – është përçarje kombëtare.

Sepse cënon parimin e sovranitetit ligjor dhe identitetin kushtetues të shtetit shqiptar

– Ky projektligj importon koncepte të ideologjike që nuk kanë asnjë bazë në traditën juridike, morale apo kushtetuese shqiptare.

– Shteti shqiptar nuk mund të humbasë sovranitetin e tij ligjor, duke kopjuar formulime që nuk ekzistojnë në asnjë nen të Kushtetutës së tij dhe Kodeve në fuqi.

– Njohja e “identiteteve të shumëfishta gjinore”, të mbështetura në ideologji, përbën ndryshim të rendit kushtetues në mënyrë të fshehtë dhe pa referendum popullor.

Sepse cenon balancën institucionale dhe pavarësinë e drejtësisë

– Duke imponuar kuota dhe detyrime gjinore në gjyqësor dhe institucionet e pavarura të drejtësisë, ky ligj shkatërron parimin e pavarësisë së gjykatës dhe meritës profesionale.

– Në vend të drejtësisë së bazuar në prova dhe ligj, dhe rekrutimeve bazuar në meritokraci, krijohet një sistem selektiv, ku emërimet varen nga përkatësia ideologjike, jo nga kompetenca.

– Ky është politizim i drejtësisë, jo emancipim.

Sepse shkel parimin e proporcionalitetit dhe racionalitetit të ligjit

– Çdo ligj duhet të jetë i nevojshëm, i arsyeshëm dhe proporcional me qëllimin që ndjek.

– Ky projektligj nuk ka asnjë nevojë reale shoqërore për ekzistencë — pasi barazia gjinore mes burrave dhe grave është tashmë e garantuar me ligj.

– Në vend që të zgjidhë probleme reale, ai krijon probleme të reja ligjore, morale dhe shoqërore, duke minuar sigurinë juridike.

Sepse kërcënon harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare e qytetare

– Shqipëria është shembull unik i tolerancës fetare dhe respektit për besimin.

– Ky ligj, duke kriminalizuar shprehjet fetare tradicionale për moralin, krijon ndarje dhe konflikt ndërfetar.

– Në vend të paqes shoqërore, ai mbjell konflikt kulturor dhe armiqësi ndaj fesë, duke rrezikuar një nga vlerat më të mëdha kombëtare shqiptare.

Sepse e zhvendos Shqipërinë nga demokracia drejt totalitarizmit

– Kur shteti fillon të përcaktojë çfarë duhet të mendojmë, të themi, të besojmë dhe si ta rrisim fëmijën, ai nuk është më shtet demokratik.

– Ky është fillimi i diktaturës së ideologjisë – një rikthim i frikshëm tek format e imponimit që populli shqiptar i ka vuajtur në shekullin XX nga ditatura ateisto-komuniste.

Sepse është një ligj kundër njeriut vetë

Në thelb, ky ligj mohon natyrën njerëzore, mohon Zotin, mohon biologjinë, mohon realitetin.

Dhe një ligj që mohon të vërtetën, ligjin natyror, nuk është ligj — është dhunë me vulë shteti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit