9.5 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Tevhidi

Më të lexuarat

Përgatiti: Bahri Curri

Tevhidi është detyra më e madhe që Allahu ua obligoi robërve të Tij. Për këtë arsye dërgoi pejgamberët, zbriti librat, të cilat janë shkak i shpëtimit në Dynja dhe në Ahiret.

Tevhid në kuptimin etimologjik (gjuhësor) do të thotë: Të bërit e një sendi një, i vetëm. Ndërsa, në kuptimin terminologjik është: Besimi në Njësinë e Allahut, në krijimin (rububijen) e Tij, në adhurimin (uluhijen) e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij (esmau ve sifat).

Një gjë e tillë bëhet duke njohur pjesët e Tevhidit, ashtu si i kanë sqaruar dijetarët:

Së pari:

Tevhidi Rububije, i cili është njësimi, të veçuarit e Allahut në veprat e Tij si krijimi, sundimi dhe rregullimi. Allahu i Lartësuar thotë:

“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”[1]

Ai është Sunduesi dhe Rregulluesi i tyre.

Pranimin e rububijes së Allahut nuk e kundërshton thuaja askush, përveç disa gru­­­peve të ateistëve, ndërsa jobesimtarët tjerë e pranojnë rububijen e Allahut dhe një­sojnë në Krijimin, Sundimin dhe Rregullimin e Tij. Këtë na e tregon Allahu në shumë ajete në Kur’an, prej tyre:

“Nëse ti i pyet ata: “Kush krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin)diellin dhe hënën?” Ata do të thonë: “Allahu!” E si prapësoheni, pra?”[2]

Së dyti:

Tevhidi Uluhije, i cili është njësimi i Allahut subhanehu ve teala[3] në adhurim (ibadete). Kjo bëhet duke synuar robi gjithmonë kënaqësinë e Allahut dhe t’i drejtohet vetëm Atij në çdo gjë, dhe nuk e bën asnjë ibadet për dikë tjetër përveç Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.”[4]

Në këtë pikë (lloj) ndodhi kundërshtimi i politeistëve (mushrikëve), andaj edhe Allahu dërgoi pejgamberë, Allahu thotë:

“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve(adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që ishin gjykuar me humbje.”[5]

Së treti:

Tevhidi në Esmau ve Sifat (emra dhe cilësi), i cili është: Pranimi i çdo gjëje që ka pranuar dhe deklaruar Allahu për veten e Tij, apo e ka pranuar dhe deklaruar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem[6] për Allahun, pa i devijuar, asgjësuar, pa i dhënë formë dhe pa i përgjasuar me diçka tjetër; si dhe mohimi i çdo gjëje që ka ndaluar dhe mohuar Allahu për veten e Tij, apo e ka ndaluar dhe mohuar Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem për Allahun. Allahu subhanehu ve teala thotë:

“Asnjë send nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.”[7]

Për ta sqaruar këtë rregull më mirë po sjellim disa shembuj:

* Allahu thotë për veten e Tij:

“Zoti yt është Ai i Fuqishmi, Ngadhënjyesi.”[8]

Qëndrimi i muslimanit në këtë është: Të pranojë këta dy emra (El-Kavijj dhe El-Aziz) për Allahun ashtu si kanë ardhur në ajet me bindjen e plotë se Allahu është cilësuar me këta emra në formën e përsosur që nuk i ngjan asgjë, dhe Atij i takon Fuqia dhe Madhështia Absolute.

* Shembulli për mohimin e cilësive është hadithi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili thotë:

“Allahu nuk flen e as që i duhet(nuk ka nevojë) për të fjetur.”[9]

Qëndrimi i muslimanit në këtë është: Të mohojë cilësinë e gjumit në Allahun subhanehu ve teala duke qenë i bindur në të kundërten e saj në formën e përsosur. Që do të thotë: Mohimi i cilësisë së gjumit në Allahun është argument i përsosmërisë së Jetës së Tij. E njëjta gjë vlen edhe për cilësitë dhe emrat tjerë.

Ky është realiteti i Tevhidit dhe e vërteta për të, i argumentuar nga Drita e Shpalljes dhe nga Shkëlqimi Pejgamberik. Lusim Allahun e Plotfuqishëm të na bëjë prej ithtarëve të Tevhidit me plotë të drejtë dhe ta adhurojmë Atë me plotë sinqeritet! Allahu është posedues i suksesit.[10]

 


[1] Fatiha, 1.

[2] Ankebutë, 61.

[3] Subhanehu ve teala: Kjo thënie thuhet për Allahun kur përmendet emri i Tij. Ka kuptimin: I pastër, i pa të meta dhe i lartë është Allahu.

[4] En’amë, 162.

[5] Nahl, 36.

[6] Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: Kjo thënie ka kuptimin: Lavdërimi dhe shpë­timi i Allahut qoftë mbi të! Duhet thënë sa herë që të përmendet i Dërguari i Allahut, në të folur dhe në të shkruar, që njëherit është edhe ur­dhër i Allahut në Kur’an ku thotë: “Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë të Dërguarin. O ju që keni besuar, ma­dhë­rojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzabë, 56).

[7] Shura, 11.

[8] Hudë, 66.

[9] Transmeton Muslimi, nr. (179) 293.

[10] Ky material është marrë nga: www.islamweb.net. Është përkthyer nga arabishtja në Prill 2005.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit