8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

TETË CILËSITË TEK ÇDO NJERI.. A I NJEH ATO?!

Më të lexuarat

Diskutues (kundërshtues), i dobët (i pafuqishëm), koprrac, frikacak (i paqëndrueshëm), i ngutur, punonjës (përpiqet shumë me mund), mohues, tiran! Shpesh i hasim këto cilësi te njerëzit, mirëpo në fakt, çfarë janë këto cilësi?! Dhe pse Allahu e përshkroi njeriun me këto cilësi?! Dhe ato, a janë prezent tek gjithë njerëzit?! 

Para se t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, do ta qartësojmë kuptimin e çdo cilësie.


Cilësia e parë: Allahu tha: “por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë Tjetër”. Kehf 54.

Njeriu, pra, është krijesa që më së shumti kundërshton dhe diskuton, ngase Allahu e furnizoi atë me aftësi të shumta mendore. Ai mashtron, e tradhton, bën kurthe dhe, edhe përskaj kundërshtimeve të shumta, prapë mundet të edukon shpirtin që të kapet për të vërtetën dhe drejtësinë, nëse atë e do!

Cilësia e dytë: Allahu thotë: “njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme”. Nisa 28.

Pra, njeriu është i dobët dhe i pafuqishëm, edhe pse ai shfaq art e mjeshtëri në paraqitjen e fuqisë. Një ther e vogël e bën që të rrokulliset tanë natën në shtratin e tij, një gjilpërë mundet t’i shkakton vdekje, një shikim i ëmbël mundet t’ia rrëmben zemrën, e ta robëron dhe mendimin t’ia bllokon, e epshi ta nënçmon, e kur bëhet i uritur acarohet, kur e godet e keqja ankohet dhe ulërin, dhe kur pakësohet ushqimi i tij dobësohen lëvizjet e tij dhe i ndalet të menduarit e tij!

Cilësia e tretë: Allahu thotë: “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak”. Alak 6. Njeriu anon ka tirania dhe padrejtësia, e me të nënkuptojmë tejkalimin e të vërtetës dhe drejtësisë. Njeriu anon ka tirania kur i shtohet pasuria, apo i shtohet fuqia, apo i shtohen ithtarët, apo e merr ndonjë pozitë të lartë. Njeriu këtë sëmundje e largon me të lidhurit e tij të fortë me Zotin e vet, me qëllim që burimin e krenarisë dhe fuqisë ta merr nga Ai.

Cilësia e katërt: Allahu thotë: “Thuaj: “Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheni. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac”. Isra 100.

Pra, esenca tek njeriu është koprracia, dhe për këtë arsye, njeriu e pëlqen të tubon më shumë sesa të shpenzon, pasurinë grumbulluar i mjafton për njëqind vjet, dhe prapë bëhet koprrac për veten, dhe familjen, dhe rrethin. 

Cilësia e pestë: Allahu thotë: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm: kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort, por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac”. Mearixh 19-21. 

Njeri i paqëndrueshëm është ai që frikohet kur e godet e keqja, kurse kur i bie e mira bëhet koprrac dhe dorështrënguar, dhe kjo, për shkak të dashurisë së tij për vetveten dhe dashurisë së asaj që e kënaq atë. Kur e ndjen se atë që e do i kërcënohet rreziku, apo se do t’i humb, e godet frika dhe çrregullohet dhe mërzitet.

Kurani na e qartësoi se si t’i tejkalojmë ato situata frike gjatë periudhës kur sprovohesh me të keqe dhe si të mos bëhemi koprrac kur na vijnë të mirat, dhe ai që përshkruhet me to, do të mundet t’i tejkalon ato cilësi të liga, e ato janë: “Përjashtim bëjnë ata që falen, e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre; e që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre për lypësin dhe për nevojtarin; e që besojnë në Ditën e Llogarisë (Gjykimit); e që frikësohen nga dënimi i Zotit të tyre, -vërtet që askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet -; e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta – në këtë rast nuk meritojnë qortim, por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit -; e që i ruajnë amanetet dhe i plotësojnë besëlidhjet e tyre; e që gjithnjë dëshmojnë drejt; e që i falin namazet rregullisht. Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit”. Mearixh 22-35. 

Cilësia e gjashtë: Allahu thotë: “vërtet që njeriu është i ngutur”. Isra 11.

Baza tek njeriu është se ngutet dhe e pëlqen që gjërat të kryhen shpejt para se të përfundojnë. Madje nga cilësia e të nguturit e tepërt, ai ngutet edhe në gjëra që e dëmtojnë, për shkak të mospasjes durim që të kryhen deri në fund. Për këtë arsye preferohet që kur merresh me ndonjë profesion apo kërkon diçka nga Allahu të thuash: “O Zot, nëse kjo punë është e mirë për fenë dhe jetën time dhe ahiretin tim, ma lehtëso, e nëse është e dëmshme për mua, atëherë largoje nga unë”.

Cilësia e shtatë: Allahu thotë: “atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt”. Inshikak 6. 

Pra, njeriu është që përpiqet shumë dhe punon me mund. Jeta e njeriut është e tëra me lodhje dhe vështirësi, edhe nëse është milioner, dhe e shfrytëzon pasurinë e tij për ta shërbyer dhe për t’u rehatuar, prapë se prapë do të ndjen lodhje. Dynjaja e tëra është lodhje, ashtu siç e përshkroi Allahu: “se, në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi!”. Beled 4. Nuk ka rehati përveç se në Xhenet!

Cilësia e tetë: Allahu thotë: “Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë e pastaj ia heqim atë, ai atëherë bëhet shpresëhumbur dhe mohues”. Hud 9. 

Njeriu, pra, është mohues dhe përgënjeshtrues. Njeriu ka shumë qëndrime karshi sprovave dhe begative, sipas bindjeve dhe vlerave të tij. Kur Allahu ia mundëson ta shijon një begati nga mëshira e Tij, e pastaj ia merr, njeriu atëherë zakonisht atë begati e mohon!

Këto janë tetë cilësitë që gjenden tek çdo njeri, dhe njeriu është mirë që t’i njeh dhe të ballafaqohet me to sa më lehtë, dhe të di se si të sillet me to më së miri që mundet, e ti shndërron këto cilësi negative në ato pozitive, dhe ky shndërrim kërkon vendosmëri, dhe vullnet, dhe mbështetje në Allahun, dhe punë të vazhdueshme.

Njohja e këtyre cilësive të ngulitura në shpirtin e njeriut na mundëson ta njohim veten më mirë, dhe njohja e vetes na ndihmon të kemi bashkëpunim sa më të lehtë me njerëzit dhe fëmijët tanë dhe familjen tonë.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit