20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Teoritë e Komisionit

Më të lexuarat

Disa anëtarë të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, hedhin poshtë mundësinë që gazetari Bojan Bozovic, i arrestuar në Serbi, të ketë qenë pjesëtar i saj.

Asnjë fjalë nuk është thënë të mërkurën nga zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), në lidhje me rastin e Bojan Bozovicit, të arrestuar kohë më parë në Serbi, shkruan “Express”.

Ky institucion i shërbimit inteligjent të Kosovës, as nuk e ka mohuar, por as nuk e ka pohuar me asnjë njoftim se Bojan Bozovic, ish-korrespondent i televizionit Klan Kosova nga Veriu i Mitrovicës, mund të ketë qenë pjesëtar i kësaj agjencie.

Por për Bozovicin, i arrestuar në Serbi me dyshimin për përfshirje në akte pedofilie, dhe për të cilin nga burime jozyrtare pretendohet se mund të ketë qenë pjesëtar i AKI-së, folën anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e këtij institucioni.

Zyrtarët e këtij komisioni, edhe pse thonë se nuk kanë informacione të sakta e të detajuara në lidhje me veprimtarinë e mundshme të këtij personi, japin teoritë e tyre.

Për disa anëtarë të Komisionit, informacioni se Bojan Bozovic, i arrestuar në Serbi, mund të jetë pjesëtar i kësaj agjencie, është thjesht fabrikim i shërbimit sekret serb.

Kryetari i këtij komisioni, Florin Krasniqi, dhe anëtari tjetër, Bekim Haxhiu, dhe se për këtë me urgjencë janë konsultuar me zyrtarët e AKI-së.

Krasniqi thotë se lajmi është përpjekje e agjencisë serbe të inteligjencës, BIA, apo agjencive të tjera, për ta dëmtuar imazhin e AKI-së, konstatim me të cilin pajtohet edhe anëtari tjetër i Komisionit, Bekim Haxhiu.

Deklarimet e zyrtarëve të këtij komisioni u bënë të mërkurën, pas mbledhjes së Komisionit, në të cilën të gjithë u pajtuan se zyrtarët e AKI-së duhet t’u dërgojnë atyre një raport me shkrim për shpenzimet e buxhetit të kësaj agjencie.

Duke folur për arrestimin e gazetarit Bojan Bozovic, nga policia e Serbisë, për të cilin dyshohet se i është gjetur një kartë e AKI-së, kryetari i këtij komisioni, Florin Krasniqi, pas mbledhjes së Komisionit, tha se nuk ka informacione se ky person ka shërbyer në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

“Agjencia nuk lëshon karta të identitetit. Ky është një shkrim me përpjekje të agjencisë BIA, ose agjencive të tjera, me qëllim të shantazhit e dëmtimit të imazhit të AKI-së”, tha Krasniqi, të mërkurën.

“Mendoj se kjo është në shërbim të shërbimit inteligjent serb. Nuk ka ndonjë të vërtetë”, u shpreh Krasniqi, kryetar i këtij komisioni parlamentar, i cili megjithatë, pranoi se për këtë çështje do të diskutohet me inspektorin e përgjithshëm të AKI-së.

Të njëjtin konstatim e dha edhe anëtari tjetër i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekim Haxhiu, i njohur “Kamishi”.

Ai tha para mediave se Bojan Bozovic ka qenë një gazetar që ka raportuar nga Veriu i Mitrovicës, por jo edhe pjesëtar i AKI-së. Madje ai tha se për arrestimin e tij, fillimisht duhet të reagojnë vetë mediat, ngase Bozovic ka qenë një gazetar, duke shtuar edhe “se kjo është një tentativë e Serbisë për ta dëmtuar AKI-në”.

Edhe Haxhiu, pa sqaruar fare nëse është konsultuar paraprakisht me zyrtarët e AKI-së, tha se kjo është tentativë e shërbimit serb, e cila, sipas tij, bëhet në dy drejtime.

“Drejtimi i parë për të goditur AKI-në dhe e dyta për të frikësuar komunitetin serb, në veçanti ata gazetarë që bashkëpunojnë me mediumet shqiptare. Mendoj se është një lojë e vjetër me një person të ri, në këtë rast, e shërbimit serb”, ka thënë Haxhiu.
Bojan Bozoviq është arrestuar nga autoritetet e Serbisë, si i dyshuar për pedofili dhe kërcënim të sigurisë në shtetin serb.

Ai, para autoriteteve të Serbisë, ishte deklaruar si shtetas i Kosovës, kurse dyshohet se autoriteteve të atjeshme ua ka shfaqur një dokument të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit