15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Tensione në Kosovë, Qeveria dëshiron ta kthej Trepçën në pronësi të shtetit, serbët paralajmërojnë bllokada

Më të lexuarat

Duke marr parasysh se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nuk ka bërë asnjë plan dhe program për riorganizimin e ndërmarrjes publike Trepça, që ka sjell në rrezik këtë gjigant të ekonomisë kosovare që të falimentojë, prandaj Qeveria e Kosovës ka vendosur që Trepçën ta kthej në pronësi shtetërore. Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur javën e kaluar kishte ardhur në konkludim se, me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrje publike, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që t’ia heqë kompetencat AKP-së mbi ndonjë ndërmarrje shoqërore ose njësie të organizuar shoqërore, përfshirë dhe asetet e tyre, ndërkohë që e autorizon Qeverinë që kjo ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë organizative shoqërore të saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës. Për më tepër, nëse ekziston interes madhor publik, atëherë Kuvendi i Kosovës mund të vendos që atë ndërmarrje ta kthej në pronësi të shtetit. Kështu, pas miratimit nga Qeveria, ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për ndërmarrje publike sot do të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, ku edhe pritet të votohet për t’u miratuar. Kthimin e Trepçës në pronësi të shtetit e kanë kundërshtuar serbët e Kosovës, përkatësisht, Beogradi zyrtar i cili gjatë fundjavës mbajti mbledhje urgjente, së bashku me ministrat serb të Listës Srspka të cilët janë pjesë e koalicionit qeveritar PDK- LDK. Ata kanë kundërshtuar planin për Trepçën dhe kanë paralajmëruar se do të rishqyrtojnë bashkëpunimin me Prishtinën, ndërsa serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar bllokadën e magjistrales Mitrovicë-Leposaviq, në shenjë proteste kundër kthimit të Trepçës në pronë shtetërore. Së fundit, po vërehet një tensionim i shtuar në marrëdhëniet ndërmjet të shqiptarëve dhe serbëve, në veçanti pas festave të fundvitit dhe deklaratave fyese të cilat i bëri ministri serb në qeverinë kosovare, Aleksandar Jabllanoviç, në adresë të nënave gjakovare dhe protestuesve të cilët ju kishin pamundësuar serbëve të zhvendosur nga Gjakova që të vizitojnë kishën ortodokse në këtë qytetet, me rastin e Kërshëndellave ortodokse. Kundër Jabllanoviçit kanë filluar disa protesta në Kosovë, ndërsa një tensionim të marrëdhënieve kanë shkaktuar edhe deklaratat e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, i cili ishte në Kosovë me 14 janar, kur në një rit fetar të inaugurimit të përmendores së mbretit Millutin në Graçanicë, e shfrytëzoi vizitën në Kosovë për deklarata politike dhe kthimin e retorikës e cila ka shkaktuar shumë luftëra dhe fatkeqësi në Kosovë, por edhe në Ballkan. Në deklarata provokuese të Vuçiçit se “Kosova është Serbi”, Qeveria e Kosovës ka reaguar me maturi, ndërsa kryeministri Mustafa me rastin e konferencës së tij për media të premten është përgjigjur “Sikur Kosova të ishte tokë e Serbisë, atëherë a do t’i duhej kryeministrit serb të kërkojë leje të vij në Kosovë. Kush kërkon leje të vij në tokën e vet?”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit