12.7 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Telekomi thotë se nuk ka përgjime as qasje të paautorizuar në rrjet

Më të lexuarat

Pas akuzave të presidentit Hashim Thaçi ndaj kryeministrit në detyrë Ablin Kurti dhe siç e ka quajtur presidenti, “grupit të tij”, për ndërhyrje në “dhomën e përgjimeve” , ka reaguar Telekomi i Kosovës.

Përmes një komunikate TK ka mohuar se ka dhomë të përgjimeve, duke i quajtur hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë.

Fadil Lepaja nga Departamenti për Relacione me Publikun në Telekomin e Kosovës, përmes një sqarimi për media thotë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin e tyre.

Në njoftimin për media theksohet se pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës nuk posedojnë dhoma të përgjimeve.

Sqarim nga Telekomi:

Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.

Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.

Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.

Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.

Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.

Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.

Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.

Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

“Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës”, thuhet në reagim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit