11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Teatri i një shoqërie të revoltuar

Më të lexuarat

Armand Bora

A është bota sot aq e mirë dhe e paqtë sa të jesh i kënaqur me të dhe të mos kesh nevojë për të protestuar? Natyrisht që jo! Të pakënaqur janë si ata që përpiqen ta bëjnë botën më të mirë ashtu edhe ata që synojnë ta bëjnë atë akoma edhe më të keqe, më të rrezikshm edhe më të vështirë se ç’është. Prandaj revolta dhe pakënaqësia rriten dita ditës. Njeriun e revoltuar e has shpesh e më shpesh rrugëve të qytetit. Revolta vjen edhe bëhet gjendje e përgjthëshme dhe nuk ka se si shpëton pa u përfshirë prej saj asnjë pjesë e shoqërisë. Fjalori dhe debati politik, zhvillimi dhe ecuria ekonomike, infrastruktura shpirtërore, arti dhe letërsia që prodhohen në një kohë të tillë mbajnë vulën dhe ngjyrat e revoltës dhe pakënaqësisë.
Në kohë dhe situata të tilla përpjekja për ta shndëruar gjendjen e pakënaqësisë në një veprim dhe aksion protestues mbetet detyrimi kryesor i çdo antari të një shoqërie të emancipuar. Ambientimi dhe bashkëjetesa me të keqen e përgjithëshme vetëm sa zgjat agoninë dhe ashpërson përplasjen në momentin e shpërfaqjes së krizës;ndërsa nevoja për të thënë dhe dëgjuar të vërtetën e vërtetë kthehet në domosdoshmëri. Në njërin prej shkrimeve të tij kritikë,aty ku edhe përshkruan “Pesë vështirësi për të shkruar të vërtetën”, regjisori dhe dramaturgu gjerman Bertolt Breht shkruan se “Epokat e shtypjes më të madhe janë përgjithësisht epokat në të cilat bëhet edhe më shumë fjalë për madhështinë dhe idealen. Në epoka të tilla duhet të kesh kurajë që të flasësh për gjëra aq të ulëta e të vogla, siç janë ushqimi dhe banesa e punonjësve, kur nga të katër anët trumbetohet me aq bujë shpirti i sakrificës si virtyti i parë e më i lartë. Në kohën kur fshatarët i ngopin me fjalë të bukura dhe i mbulojnë me dekorata, duhet kurajë që të flasësh për makina e për ushqim për kafshët me çmim sa më të lirë, që do ta lehtësonin punën e tyre aq të nderuar. Kur kudo në të gjitha stacionet e radios çirren se një njeri pa dije e pa kulturë vlen më shumë se një njeri i ditur, duhet kurajë për të pyetur: për cilin vallë vlen më shumë? Kur s’flasin veçse për raca të përkryera dhe për raca të degjeneruara, duhet kurajë për të pyetur se mos vallë janë uria, padija dhe lufta që kanë shkaktuar këto gjymtime të tmerrshme.”
Historia tregon se arti dhe letërsia e kanë ndjerë dhe shprehur, të parët, nevojën për ndryshim të botës, shumë kohë përpara se kjo nevojë të bëhej çështje e debatit politik dhe ekonomik.

 


Në vazhdimësi, arti dhe letërsia e kanë nxitur dhe kërkuar ndryshimin duke treguar një interes të dukshëm ndaj jetës sociale dhe politike. Por ndryshe nga politika e cila përpiqet që përmes fakteve dhe ngjarjeve reale të ngrejë dhe të frymëzojë shpirtin e revoltës në shoqëri, arti në përgjithwsi dhe teatri në veçanti, përdorin rrugën e kundërt; përmes mjeteve të tyre artistike dhe skenike ata synojnëtë ndezin revoltën duke i treguar audiencës problemet dhe të vërtetat e përditshmërisë së saj.
Dëshmitë për këtë interes të artit vijnë prej antikitetit ku satirat politike të shkruara nga Aristofani, i cili njihet ndryshe edhe si “princi i komedisë antike”, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e opinionit publikpër demokracinë e qytet shteteve të Greqisë së lashtë.
Jo vetëm në fillesat e tij, por gjatë gjithë historisë së zhvillimit të tij, teatri mbetet një nga gjinitë më të interesuara për ngjarje, fenomene dhe nevojën për ndryshime social – politike. Gati në të gjithë veprën e Shekspirit do të gjejmë lidhjen dhe interesin që ky dramaturg i madh ka ndaj sjelljes së pushtetit duke e shprehur dukshëm revoltën e tijndaj dhunës, krimit, pabesisë dhe pushtetit të padrejtë. Mjafton të kujtojmë tituj veprash skenike si “Makbeth”, “Mbreti Lir”, “Hamlet” ose “Rikardi i tretë” si shembujt më të pastër që do ta etiketonin Shekspirin, pa as edhe një mëdyshje, si një individ të shqetësuar dhe dramaturg të revoltuar.
Lindja dhe përhapja e ideologjisë marksiste shërbeu si bazë ideologjike për shumë e shumë artistë dhe emra të rëndësishëm të artit dhe kulturës botërore.Një pjesë e tyre, kryesisht artistë dhe krijues nga vendet e kampit socialist, u detyruan ta vinin artin e tyre në shërbim të fushatës së agjitacionit dhe propogandës ndaj ideologjisë marksiste dhe komuniste. Të ndaluar për të thënë dhe treguar të vërtetat e vërteta veprat e tyre jo vetëm që e kanë humbur funksionin në raport me të vërtetën, por pjesa më e madhe e tyre është e varfër edhe sa i përket vlerave estetike dhe artistike. Brenda grupimit të artistëve dhe shkrimtarëve që përqafuan idetë komuniste, më shumësi nevojë e qëndrimit të tyre kundërshtues ndaj nazizimit dhe fashizmit, ka personalitete që përmes veprës së tyre kanë mundur të sjellin risi dhe qasje estetike të rëndësishme.Një nga këta emra është edhe Bertolt Brecht.I pozicionuar hapur dhe me forcë kundër nazizmit e gjithë vepra e tij është shprehje e revoltës intelektuale dhe qytetare ndaj zhvillimeve politike në Gjermani në prag të Luftës së Dytë Botërore.Pjesa kryesore e veprës së tij si “Jeta e Galileit”, “Nëna Kurazh dhe fëmijët e saj”, “Arturo UI”, “Frikë dhe mjerim në Rajhun e Tretë”etj janë vepra të shkruara drejt për së drejti kundër ideologjisë fashiste dhe vetë Hitlerit. Brecht e vuri teatrin e tij në shërbim të shoqërisë duke zgjedhur të tregojë me forcë dhe të parashikojë rrezikun që i kanosej botës.Krijimi i Teatrit Epik si një estetikë e re teatrore bëri që Brecht të jetë një nga personalitetet me ndikim të madh te të gjithë krijuesit e botës së teatrit. Ndikimi ka qenë jo vetëm sa i përket formës dhe estetikës teatrore, por edhe sa i përket përmbajtjes dhe brendisë ideologjike të veprave të tij.Emra të rëndësishëm të teatrit, të ndikuar prej teatrit të Brehtit janë Edwin Piskator apo braziliani Augusto Boal.

 

Dramaturgët dhe regjisorët pas Luftës së Dytë Botërore e forcuan edhe më shumë dhe e bënë akoma edhe më të dukshëm karakterin poitik të teatrit.Thirrja për ndryshime sociale dhe politike vjen e hapur dhe e drejtpërdrejtë në pjesën më të madhe të veprave të tyre. Augusto Boal themeloj në vitet 70 atë që u quajt “Teatri i të shtypurve” si një formë të re të komunikimit ku synohej që audiencat të beheshin aktive gjatë shfaqjes duke e treguar, duke e analizuar dhe duke u përpjekur të gjenin rrugët për ta ndryshuarrealitetit në të cilin ata jetonin. Format e reja teatrore dhe pëdorimi i teatrit si një mjet komnikimi në përçimin e idesë dhe nevojës për ndryshime social-politike që Augusto Boal solli me tetarin e tij u përhapën shumë shpejt në europë dhe më vonë edhe në Amerikë, ku të theë autorë me forma dhe mjete të tjera artistike ishin kthyer në përcjellës të frymës kritike në vend. Artur Miller,një emër i rëndësishëm i teatrit amerikan dhe atij botëror, gati me të gjithë veprën e tij, nuk është veçse një gjuhë e fortë kritikendaj realitetit të shoqërisë amerikane.Fati i individit, përgjegjësia sociale, jeta dhe vdekja janë tema të cilat Miller ka sjellë me mjeshtëri të gjithë mendimin e tij kritik ndaj shoqërisë amerikane. Në përplasjen e vazhdueshme që ai i bën individit me shoqërinë në të cilën jeton, qëndrimi kritik i Arthur Miller të kujton një tjetër dramaturg të madh norvegjez, Henrik Ibsen.Brenda galerisë së pasur të karaktereve të krijuar nga Ibsen ka personazhe të tillë që tregojnë më së miri se poshtersia, gënjeshtra dhe veset e tjera e kanë burim te imoraliteti dhe hipokrizia që ka mbërthyer shoqërinë e asaj kohe.
Ndryshimet dhe ngarjet e mëdha politike, konfliktet dhe përplasjet ushtarake janë bërë objekt i vazhdueshëm i pasqyrimit të tyre në teatër si në rastin e luftës në Vietnam dhe pasojave të saj, prej kompanisë teatrore “Living Theatre”, apo lufta në Irak e cila u bë objekt dhe temë në shumë tekste dramash politike të autorëve anglezë si David Hare, Mark Ravenhill dhe të tjerë autorë që kanë përdorur satirën politike.
Një tjetër autor, i cili ka hyrë në historinë e teatrit botëror edhe për faktin se njëra nga veprat e tij më të mira ka provokuar debatin dhe diskutimin mbi një plagë të madhe sociale, është shkrimtari dhe dramaturgu shqiptaro-australian Alex Buzo.Vepra e tij “Norm dhe Ahmed” e relizuar për herë të parë në pranverën e vitit 1968 në Austral arriti që t’i trondiste fuqishëm themelet e shoqërisë australiane. Kjo vepër mundet të jetë unike në botë për faktin se aktorët e saj janë arrestuar nga policia brenda sallës së teatrit kur ata ishin duke e luajtur atë në skenën e teatrit të famshëm “La Mama” në Melburn. Shpjegimi zyrtar i qrrestimit të tyre u bë përdorimi i një termi jo etik në fund të shfaqjes, por në atë kohë, sjellja puritane e policisë përpiqej të fshihte arsyen e vërtetë të përpjekjes për ta ndaluar atë shfaqje. “Norm dhe Ahmed” ishte një vepër që tregonte një fytyrë raciste të shoqërisë australiane; një fytyrë të cilën deri në atë kokë ajo nuk kishte dashur ta shikonte.50 vite më parë të flisje dhe të sillje në skenë tema dhe diskutime mbi paraqykimet racialeduhej jo vetëm guxim, pordhe një mendje të aftë për të parashikuar format e rrezikshme dhe të sofistikuara me të cilat paraqitet sot. Sot, pas 50 vitesh, vepra e Alex Buzo i drejton gishtin e akuzës jo individit të keq dhe racist, por shoqërisëe cila me indiferentizmin dhe ftohtësinë e saj i krijon kushte për të zhvilluar individë të tillë. Në këndvështrimin e sotëm, të dy personazhet, si Norm dhe Ahmed, janë viktima të një shoqërie që e ka harruarr individin në vetminë e tij. Por është edhe një fjali tjetër që e bën këtë vepër po aq të guximshme dhe të “rrezikshme” sa edhe 50 vite më parë. ”Më vjen shumë keq për të rënët në betejë, thotë Ahmed në këtë vepër. Të gjorët! Por, legjenda e tyre kujtohet shpesh për të justifikuar luftra të tjera.Më falni që po e them këtë si një kritikë ndaj vendit tuaj”.Duke e parë dhe analizuar në sfondin e zhvillimeve të këtij shekulli të ri, vepra “Norm dhe Ahmed” është më shumë se një vepër kundër racizmit. Ngjarjet e marsit në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku mbi 40 veta, muslimanë u qëlluan për vdekje përgjatë ritualit të faljes, tregon se urrejtja i ka kaluar kufijtë e racave ajo është shtrirë edhe në urrjetje kulturore, besimi, mënyre të jetuari e në çdo gjë që vjen si diçka ndryshe.

 

Janë të shumta rastetqë historia e tearit botëror i dëshmon sishembuj të misionit politik dhe angazhimit qytetar që duhet të ketë teatri dhe rolit që ai duhet të luaj në shoqëri.Në një farë mënyre teatri është një matës i mirë i shkallës së emancipimit dhe nivelit të demokracisë që funksionon brenda shoqërisë.Kur teatri i një shoqërie të kapluar prej krizave dhe me një pakënaqësi që rritet dita ditës, ineresohet vetëm për tema dhe nevojat për argëtim të shoqërisë tregon se; ose arti është kthyer në një vegël të pushtetit dhe e ndihmon atë në pasqyrimin e gënjeshtër të realitetit, ose se kjo shoqëri funksionon në një diktaturë ku frika të pengon të thuash të vërtetat e vërteta.
Nëse do ta analizoninim dhe vlerësonim zhvillimin e teatrit shqiptar nisur prej rolit dhe angazhimit të tij ndaj problemeve që ka patur shoqëria shqiptare pas viteve 90, përfundimi i kësaj analize nuk do të ishte aspak ipëlqyeshëm për teatrin dhe ata që merren me të.
Keqpërdorimi që ju bë teatrit gjatë viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri duke e konceptuar tërësisht si mjet propagandues të partisë në pushtet prodhoi në vitet në vazhdim një ndjenjë refuzuese ndaj detyrimit që teatri ka për t’u bërë pjesë e diskutimit dhe debatit publik. Pas ndryshimeve social-politike në Shqipëri, shoqërisë, të etur për liri dhe demokraci, ju hodhën për konsum të tjera ëndrra dhe arti ishte aty për t’i konkretizuar dhe shërbyer këto ëndrra në formën e tyre skenike të iluzionit.Duke rendur pas iluzionit që prodhonte ëndërra europiane dhe ajo amerikane teatri shqiptar është treguar përgjithësisht i pavëmendshëm dhe i pa interesuar ndaj problemeve të shoqërisë shqiptare. I paaftë për t’i paraprirë, nxitur dhe udhëhequr frymën e revoltës dhe të transformimeve social-politike teatri shqiptar ka luajtur shpesh një rol nxitës në procesin e shpërbërjes dhe shkatërrimit të atyre pak vlerave që trashëgonte shoqëria shqiptare.

 

Teatri shqiptar u tregua i pamundur që të trajtojë dhe sjellë në skenë tema të rëndësishme për shoqërinë shqiptare.Ndarjaprej periudhës së komunizmit, vendosja e drejtësisë sociale, drejtësia e munguar, rivlerësimi i dijes dhe punës, forcimi i ndjenjës kombëtare dhe vlerave qytetare ishin tema të cilat janë trajtuar fare pak në skenat e teatrit shqiptar.Prej dramaturgjisë botërore u sollën kryesisht vepra që trajtonin problemet e shoqërive të tjera si prishjen e familjes, tradhëtinë bashkëshortore, drogën, prostitucionin, mashtrimin, inçestin dhe lloj lloj perversitesh të tjera. Mungesa e informacionit dhe përgatitjes së shoqërisë për t’u përballur me fenomene të tilla siedhe pafuqia artistike për t’i sjellë këto tema me frymë kritike, si antivlera dhe si një rrezik për shoqërinë e re, bënë që hap pas hapi dhe shfaqje pas shfaqjes publiku të familjarizohet dhe t’i pranojë këtovese si fenomene normale dhe të natyrshme të zhvillimeve demokratike brenda shoqërisë, si liri e zgjedhjes personaledhe lirisësë individit.
Detyra e teatrit nuk është vetëm paqyrimi me vërtetësi i realitetit dhe problemeve që mund të ketë shoqëria. Bertolt Brechtkur flet për rolin e teatrit thotë se“Teatri nuk është një pasqyrë e vendosur përballë realitetit por është një çekan me të cilin mundet ta ndryshojmë realitetin”
Akti i parë që kërkohet nga çdo qytetar i angazhuar dhe i dëshiruar për ndryshime sociale është të ketë të qartë brenda tij vizionin e një jete dhe bote më të mirë. Sfida mbetet tegjetja e rrugës dhe mënyrësmë të mirëpër ta përcjellë dhe ndarë këtë vizion me të tjerët.Në kuptimin e tij më të gjerë, teatri mbetet në thelb të tij një nga rrugët më të mira për të përcjellë te qytetarët imazhet e një bote më të mirë.
Augusto Boal e shpjegon teatrin si mjet përmes të cilit mundet dhe duhet të ndryshohet dhe transformohet shoqëria.“Teatri mund të na ndihmojë të ndërtojmë të ardhmen tonë, në vend që vetëm të presim për të”.
Aështë teatri shqiptar një teatër i tillë? Një teatër i cili i ofron shoqërisë shqiptare imazhin e një Shqipërie më të mirë dhe më të fortë?
Fatkeqësisht,jo! Teatri shqiptar vazhdon të mbetet larg detyrës, misionit dhe kërkesave që shtron përpara tij për zgjidhje një shoqëri e pakënaqur dhe e revoltuar.

*Regjisor/dramaturg

Marrë nga revista “MEDIUS”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit