Nga fronti promovohen në administratën ruse
Programi “Koha e Heronjve”, i promovuar nga Vladimir Putin, po shndërron veteranët e luftës në Ukrainë në pjesë të elitës politike ruse. Mes të përzgjedhurve ka edhe persona të akuzuar për masakra ndaj civilëve dhe ekzekutime të robërve të luftës.
Në mars të vitit 2022, në zonën e Bucha-s, ndodhi një nga masakrat më të rënda të pushtimit rus të Ukrainës. Gjatë avancimit drejt Kievit, trupat ruse ngritën pika kontrolli ku ndalonin dhe kontrollonin civilët.
Një prej tyre ishte 29-vjeçari ukrainas Ivan Fitzner. Gjatë kontrollit, ushtarët gjetën në telefonin e tij fotografi të materialeve të ndërtimit.
Për ta, kjo ishte e mjaftueshme për ta akuzuar se ndihmonte Ukrainën në ngritjen e fortifikimeve mbrojtëse. Fitzner u rrëmbye, u dërgua në një pyll pranë fshatit Dmytrivka, u torturua dhe më pas u ekzekutua.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), urdhrin për ekzekutimin e dha Nursultan Mussagaleyev, atëherë komandant i Regjimentit të 104-t Ajror të Divizionit të 76-të të Gardës Ruse, njësia që kontrollonte pikën ku u ndalua Fitzner.
Katër vjet më vonë, Mussagaleyev nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, ai është kthyer në një figurë të rëndësishme të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Pas kthimit nga fronti në vitin 2023, Vladimir Putin e dekoroi me titullin “Hero i Federatës Ruse” dhe me medaljen “Për Merita ndaj Atdheut”.
Më pas ai u emërua zv/ministër i Politikës së Informacionit në rajonin e Orenburgut, drejtoi distriktin Novosergiyevsky dhe në vitin 2026 siguroi kandidimin për Dumën e Shtetit.
Rasti i tij nuk është i vetem. Veteranë të tjerë të luftës, të akuzuar nga autoritetet ukrainase për krime lufte, kanë marrë poste të rëndësishme shtetërore.
Mes tyre janë Temirlan Abutalimov, ministër i përkohshëm për Politikën Kombëtare dhe Çështjet Fetare në Dagestan, si edhe Yuri Abayev, ministër i Punës dhe Zhvillimit Social në Osetinë e Veriut.
Që të dy akuzohen për përfshirje në ekzekutimin e katër robërve ukrainas pranë Robotynes, në rajonin e Zaporizhias.
Tre raste të ndryshme, por një model i përbashkët: njerëz të akuzuar për krime lufte jo vetëm që nuk ndëshkohen, por shpërblehen me poste publike.
Sipas analistëve, kjo është pjesë e strategjisë së Kremlinit për ta kthyer pjesëmarrjen në luftë në simbol të besnikërisë politike dhe për të forcuar kontrollin e partisë në pushtet.
Në vitin 2024 kjo strategji mori formë zyrtare me programin “Koha e Heronjve”. I prezantuar personalisht nga Putin, ai synon të trajnojë ushtarët e kthyer nga fronti për t’i integruar në administratën shtetërore përmes praktikave, mentorimit dhe kurseve të specializuara.
Megjithatë, programi është vetëm pjesa më e dukshme e një procesi më të gjerë. Sipas një hetimi të publikuar nga portali investigativ Meduza në qershor, të paktën 1.305 veteranë kanë marrë gjithsej 1.311 poste në administratën shtetërore ose institucione publike ruse.
Shumica janë emëruar në nivel lokal ose rajonal, ndërsa një pjesë edhe në shkolla, për të përhapur narrativën patriotike të luftës. Vetë Meduza thekson se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, pasi shumë emërime nuk e përmendin shërbimin ushtarak.
Putin i ka quajtur këta veteranë “elita e re e Rusisë”, duke i përshkruar si njerëz me besnikëri absolute ndaj shtetit. Por realiteti është më kompleks.
Në fund të vitit 2025, Sergei Novikov, drejtues i projekteve publike pranë presidencës ruse, pranoi se dhjetëra mijëra veteranë mbeteshin të papunë, pavarësisht premtimeve për punësim.
Fillimisht mediat shtetërore flisnin për rreth 250 mijë veteranë pa punë, por kjo shifër më pas u zhduk nga debati publik. Edhe ata që arrijnë të marrin poste nuk përfitojnë domosdoshmërisht një pushtet real.
Hetimi i Meduzës tregon se vetëm rreth një e treta e emërimeve janë bërë përmes programit “Koha e Heronjve”, ndërsa pjesa tjetër u përkiste personave që kishin karrierë politike ose ushtarake edhe para luftës.
Nga 1.305 veteranët e analizuar, 848 kishin mbajtur poste publike përpara pushtimit të Ukrainës. Burime të cituara nga Meduza thonë se shumica e veteranëve marrin funksione kryesisht ceremoniale ose përfaqësuese.
Postet me ndikim të vërtetë rezervohen vetëm për persona që Kremlini i konsideron plotësisht të besueshëm. Ky kriter po zbatohet edhe për kandidatët e zgjedhjeve parlamentare të shtatorit të këtij viti, ku sipas burimeve pranë Kremlinit, përzgjidhen figura “sa më të parashikueshme”.
Kandidimi i Nursultan Mussagaleyev për Dumën e Shtetit, i shpallur nga guvernatori i Orenburgut si shembull i një njeriu “të kalitur nga lufta”, e ilustron qartë këtë model. Ndërsa karriera e tij politike vazhdon të ngjitet, akuzat për krime lufte mbeten ende pa u shqyrtuar në ndonjë gjykatë. \tesheshi.com\
