14.1 C
Pristina
Friday, November 8, 2024

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq: Plani Evropian në tavolinë

Më të lexuarat

Ballafaqimet mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel pothuajse çdo herë janë karakterizuar me mosmarrëveshje dhe qëndrime tejet të kundërta për raportet mes dy shteteve.

Plani franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i njohur ndryshe edhe si Plani Evropian është në rend të ditës në takimin e nesërm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajčak, së fundmi ka deklaruar se pret nga palët ta pranojnë planin evropian.

“Plani, të cilin besoj se do ta pranojmë të hënën (27 shkurt), do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët, nuk është një marrëveshje e përkohshme, pas saj do të vazhdojë procesi i normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, i cili duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse para hyrjes së Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Lajčak.

Ai ka theksuar se dokumenti do të jetë i disponueshëm për opinionin kur do të pranohet nga të dyja palët, gjegjësisht nga Beogradi dhe Prishtina.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti Planin Evropian e ka pranuar dhe e ka cilësuar si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme. Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha se më datën 27 në Bruksel gjithsesi se do të flitet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe për këtë duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë.

Në vazhdim TRT Balkan ju sjell historikun e takimeve të deritanishme me Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel:

15 qershor 2021

Takimi i parë i nivelit të lartë i Dialogut Prishtinë-Beograd me Albin Kurtin, Kryeministri i Kosovës, dhe Aleksandër Vuçiqin, Presidenti i Serbisë, u mbajt më 15 qershor 2021, në Bruksel, Belgjikë. Ky takim u mbajt nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe të dërguarit të tij Mirosllav Lajčak.

Pala kosovare gjatë këtij takimi tregoi qëndrimin e tyre kritik ndaj procesit dhe marrëveshjeve të deritanishme. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për dialog konstruktiv dhe njohje reciproke.

Delegacioni serb refuzoi katër propozime të delegacionit kosovar.

Të dyja palët u inkurajuan nga Borelli që të vazhdojnë me takimet në kuadër të dialogut, pa vonesa, dhe me fokusin për të prodhuar rezultate pavarësisht të gjitha pengesave ekzistuese.

19 korrik 2021

Delegacioni i Kosovës në takimin e dytë të nivelit të lartë të Dialogut Prishtinë-Beograd në mes Albin Kurtit, kryeministri i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, e ofroi Deklaratën e Paqes me gjashtë artikuj, e cila fliste për angazhimin për të mos sulmuar njëri-tjetrin dhe reciprocitetin e të drejtave. Ata gjithashtu siguruan prova të 11 shkeljeve të kryera nga Serbia kundër Kosovës nëpërmjet pengesave kundër tregtisë së lirë që do të duhej të eliminoheshin. Të dyja këto propozime u refuzuan nga delegacioni serb.

Vuçiq e përshkroi takimin me kryeministrin Kurti si “edhe më të keq” se ai i mbajtur në qershor. Ai gjithashtu shtoi se pala serbe pranoi propozimet e përgatitura nga BE-ja, ndërsa pala kosovare i refuzoi ato.

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Mirosllav Lajčak u citua duke thënë se takimi ishte i vështirë dhe se ai tregoi qasje shumë të ndryshme të të dyja palëve.

E vetmja gjë për të cilën u ra dakord është që Dialogu të vazhdojë, dhe që takimi I radhës të mbahet në gusht të këtij viti.

18 gusht 2022 Takimi i 18 gushtit 2022 shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Takimin e ka inciuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, si shkak i rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Më 31 korrik 2022 serbët lokalë në veri vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar atë menjëherë përderisa Kosova filloi zbatimin e këtyre marrëveshjeve më datën 1 gusht 2022, mirëpo si kërkesë nga palët negociuese dhe përkrahëse të dialogut, vendimi shtyhet deri më 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri, e rezultat i vendimit ishte që serbët i larguan barrikadat.

Pas takimit për dialog të 18 gushtit kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave ose edhe të dokumenteve për qytetarët serbë. Ai shtoi se pas tri raundeve të takimeve, në mungesë të marrëveshjes, dialogu do të vazhdojë. Duke folur i vetëm në sallën e konferencave të shtypit, Borrel paralajmëroi se në rast të përshkallëzimit të tensioneve, pala që do t’i nxisë do të mbajë përgjegjësi.

21 nëntor 2022

Një takim disaorësh mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit për çështjen e targave ishte mbajtur edhe në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas këtij takimi deeklaroi se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.

Sipas tij, propozimi i BE-së që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

“Në propozimin që na e kanë sjellë [më herët] zotërinjtë [kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep] Borrell dhe [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, tha Kurti.

Ndërkohë, presidenti serbi Vuçiq kishte deklaruar se pala serbe do të respektojë vendimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, që të mos lëshojë targa të reja dhe as t’i ripërtërijë ato.

“Konsideruam të japim të gjithë diçka nga vetja, të pranojmë zgjidhje kompromisi, edhe pse do të ishim kritikuar për këtë. Dhamë të tërën nga vetja, pranuam kërkesat e reja. Unë dikur pas një ore e gjysmë i thashë Borrellit dhe Lajçakut se nuk ka asgjë nga kjo, e kuptova se do të kalojë koha dhe do të ketë kërkesa të tjera dhe në realitet pala shqiptare nuk do të dëshirojë zgjidhje kompromisi”, tha ai.

Ndryshe, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pas përfundimit të takimit me Vuçiqin dhe Kurtin, tha se ky i fundit e kishte refuzuar propozimin e BE-së.

TRT Balkan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit