11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Siria dhe Krishtërimi: Halepi përfaqëson një dilemë morale për liderët kristianë

Më të lexuarat

Vuajtjet e Halepit, siç bien dakord përgjithësisht të gjithë, përbëjnë një nga krizat më të mëdha morale të kohës sonë. Qyteti është gjithashtu, vendndodhje e disa kishave të krishtera të respektuara, që datojnë që nga vitet më të hershme të këtij besimi, kështu që mund të pritej që liderët e krishterë të botës do të kishin shumë për të bërë për ngjarjet në atë vend të palumtur dhe në Siri, përgjithësisht.

Në fakt, reagimi i krishtërimit botëror ndaj dramës që shpalosej në veri të Sirisë ka qenë i mbytur dhe kontradiktor. Ka shumë arsye për një gjë të tillë. Liderët e kishave lokale në Siri e kanë mbajtur presidentin Bashar Al-Asad si mbrojtësin e tyre, dhe ndjenjat e tyre se vetëm ai mund të garantonte jetët e tyre janë thelluar ndërsa konflikti po polarizohej, mes grupeve opozitare nga njëra anë dhe forcave qeveritare të mbështetura nga milicitë shiite dhe forca ajrore ruse nga ana tjetër. Në këtë gjendje si ishin punët, vetëm koalicioni i dytë duket se u ofronte kishave të krishtera ndonjë mundësi për të zgjatur ekzistencën e tyre të dyshimtë. Shumë do të thonin se Assad duhet fajësuar se solli në skenë atë polarizim, por për një arkipeshkv në linjën e frontit sirian, mbijetesa me gjasa kishte më shumë rëndësi sesa analiza politike.

Situata në Halep, ashtu si ishte vetëm pak javë më parë, simbolizon këtë dilemë: të gjitha kishat e krishtera që ende funksionojnë në qytet ishin përcaktimisht në perëndim, në anën e kontrolluar nga qeveria dhe si rrjedhim nën bombardimin e kryengritësve, jo të shiut të bombave ruse. Ndërsa grupet e lidhura me Al-Kaedën apo ISIS nisën të dominojnë kampin anti-qeveritar, liderët lokalë të krishterë ndjenë se mbijetesa e tyre varej nga fitorja e qeverisë. Nga lentja e teleskopit të tyre, shtypja e forcave të opozitës në Halep e ka bërë më të gëzueshme Krishtlindjen.

Ashtu si edhe Iraku, Siria përmban një spektër të gjerë të krishterësh, të dallueshëm mes tyre nga pozicioni që kanë mbajtur paraardhësit e tyre në këshillat kishtarë deri në 15 shekuj më parë. Disa janë në bindje të Romës, të tjerët pranë ortodoksisë ruse e greke, e ka edhe më shumë grupe me ndryshime të holla doktrinale me të parët, por që mbajnë marrëdhënie miqesore me bashkë-fetarët e tyre gjetkë.

Çfarëdo që ata besojnë, virtualisht të gjithë kanë pranuar pretendimin e rinovuar të Rusisë, që e ka origjinën që nga shekulli i 19-të, se është mbrojtëse e të krishterëve në rajon. “Rusia u ka dhënë shpresë njerëzve në Siri”, kjo sipas patriarkut Ignatios Ephrem II, drejtues i kishës ortodokse siriane.

Duke parë situatën me besimtarët e krishterë, drejtuesit e kishave perëndimore kanë hezituar të bëjnë deklarata të forta për Sirinë. Të mbroje Asadin dukej moralisht mizore, por thirrjet për largimine tij do të tingëllonin si kambanë vdekjeje për bashkëbesimtarët e krishterë. Vatikani, i mirëinformuar dhe me mjaft lidhje në Siri, ka vepruar me më shumë finesë sesa të gjitha autoritetet e tjera kristiane. Më 11 dhjetor, ai njoftoi se i dërguari i Vatikanit në Damask kishte përcjellë një letër për Asadin, në të cilën, ndërsa dënohej dhuna ekstremiste nga të gjitha palët, i bëhej apel atij të “të krijonte sigurinë që ligji humanitar ndërkombëtar të respektohet plotësisht për mbrojtjen e civilëve”. Kjo ishte mënyra që sinjalizonte se papa Francesku ishte në dijeni të bombardimeve tronditëse mbi Halep, por se ai pranonte se në skenë kishte edhe djem të tjerë të këqinj.

Një arkipeshkv anglikan në pension, i linduri në Pakistan, Michael Nazir-Ali, krijoi tronditje kur u takua në shtator me Asadin së bashku me një grup britanikësh të shqetësuar. Takimi u dënua nga Uestministeri se i dha dorë propagandës në një luftë kriminale, por arkipeshkvi e mbrojti takimin me terma të matur, duke këmbëngulur se ai dhe kolegët e tij i kishin shtruar çështje të vështira presidentit për bombardimin e civilëve dhe torturimin e tyre. “Jam i sigurtë se ka abuzime nga të gjitha palët dhe qeveria nuk mund të shfajësohet nga kryerja e krimeve”, tha ai.

Në ditët e fundit, një nga ata të grupit të arkipeshkvit në fjalë, u rikthye në Siri dhe nuk tregoi aspak ekuilibër në rrëfimet e tij për “çlirimin” e Halepit, duke shkruar në mediat sociale e duke dhënë një intervistë për televizionin “Rusia sot”. Ndërsa këmbëngulte, e ndoshta me të drejtë, se bota nuk kishte treguar vëmendje të mjaftueshme për veprimet e ekstremistëve sunitë, ai nuk kishte asnjë fjalë tjetër veç atyre më të ngrohta, për ushtrinë ruse dhe humanitarizmin e saj pa interes.

Eshtë e mundshme, pra, që një klerik i krishterë në Siri të flasë me integritet për bëmat e këqija dhe vuajtjet e sjella nga të gjitha palët? Dy njerëz tepër të guximshëm e kanë provuar ta bëjnë. At Paolo dall’Oglio, jezuit italian me vite të gjata përvoje në Siri, artikuloi simpati për opozitën demokratike kur doli në skenë në vitin 2011 dhe u dëbua nga qeveria. Ai u përpoq të rihynte në Siri përmes territoreve të kontrolluara nga kryengritësit në vitin 2013 me shpresën se do të ndihmonte miqtë atje, por më pas u zhduk. Një tjetër jezuit, Frans van der Lugt, solli dëshmi kundër mizorive të palëve ndërluftuese në një mënyrë tjetër: kundrejt të gjitha këshillave për maturi, ai qëndroi në Homs ndërsa qyteti ishte nën bombardimin e forcave qeveritare dhe mbrohej kryesisht nga militantët sunitë. Ai u vra në prill 2014.

Kështu, për ta riartikuluar pyetjen: a është e mundshme një një klerik i krishterë në Siri të flasë me integritet e të mbetet gjallë. Një prift sirian jashtëzakonisht kurajoz ka arritur ta bëjë këtë: at Jacques Mourad, pjesëtar i komunitetit fetar të themeluar nga at dall’Oglio i cili në mënyrë të mrekullueshme mbijetoi pesë muaj në duart e ISIS. I pyetur në tetor se çfarë mendonte për fuqitë e huaja që po ndërhynin në vendin e tij, ai e nisi duke thënë (dhe në këtë pikë çdo i krishterë në Siri do të pajtohej) se Arabia Saudite duhet të frenohet nga fermentimi i ekstremizmit suni. Ai shkoi më tej duke thënë diçka që mund t’i bëjë të gjithë të krishterë “dashurues të Asadit” të marrin kohë për reflektim:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bombarduar Sirinë dhe Irakun me vite, dhe tashmë edhe rusët po bëjnë të njëjtën gjë. Dhe çfarë kanë arritur? A e kanë ndaluar dhunën terroriste? Absolutisht jo.

Shumë më tepër sesa të krishterët me ndikim në Siri, at Mourad duket se e ka ndjerë se ekstremizmi nuk do të varroset nën rrënojat e Halepit, por do të emigrojë dhe do të nxjerrë metastaza.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit